Turqia kërcënon se do të mbyllë bazat ushtarake të SHBA-së nëse kjo i vë sanksione

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar sot se vendi i tij mund të mbyllë bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së nëse kjo e fundit vendos sanksione kundër Ankarasë zyrtare.

“Varet nga ne që të marrim vendimin për mbylljen e bazës së Ingirlik për Shtetet e Bashkuara. Nëse është e nevojshme, ne do të mbyllim të dyja bazat në Ingirlik dhe Kurezik”, tha Erdogan për televizionin A haber.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme për të dy palët që SHBA të mos ndërmarrë hapa që më pas do të ishte e pamundur të korrigjoheshin.

“Sigurisht, Turqia do t’i përgjigjet çdo sanksioni amerikan”, tha Erdogan.

Elementet e sistemit evropian të mbrojtjes raketore janë instaluar në bazën e Kurezikut.

Edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, njoftoi gjithashtu se Ankaraja mund të kërkojë nga SHBA-ja që të tërhiqnin trupat e saj nga bazat e forcave ajrore, nëse Washingtoni vendos sanksione për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse S-400, transmeton Ksp.

Nga ana tjetër, ministri Cavusoglu deklaroi sot se vendi i tij do të vazhdojë të blejë sisteme S-400 nga Rusia pavarësisht pasojave të paralajmëruara nga administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Ai gjatë një konference në Doha të Katarit tha se Turqia ka nevojë për një sistem të mbrojtjes ajrore.

“Pavarësisht nga pasojat, Turqia nuk do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë për të blerë sistemet e raketave S-400. Ne u përpoqëm ta merrnim atë nga SHBA-ja dhe të tjerët, por pa asnjë përfitim. Ky është një sistem mbrojtës që është jetik për ne”, tha Cavusoglu.

Në mënyrë të ngjashme, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar foli në të njëjtin tubim, duke përsëritur se Turqia është përpjekur të sigurojë sisteme nga vendet e tjera, duke përfshirë SHBA dhe Francën, por pa asnjë dobi, dhe se vetëm Rusia është përgjigjur.

LEXONI EDHE KËTË:  Spanjë, arrestohet trafikanti i njohur i kokainës

Ministrat folën vetëm dy ditë pasi senatorët amerikanë mbështesin një projektligj që do të lejonte sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit S-400.

Gjithashtu, ky ligj parashikon dënime për zyrtarët turq për një operacion ushtarak në Siri kundër forcave lokale kurdë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *