Kush fiton dhe kush humb nga koalicionet

Shkruan: Xhelal Neziri

Pas shumë përpjekjesh, hezitimesh e taktizimesh, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës dhe Alternativa e Afrim Gashit lidhën koalicionin parazgjedhor me të cilin do të garojnë më 12 prill.
Para se ta zyrtarizojnë këtë koalicion, ASH u kishte dërguar një ofertë ultimative Alternativës dhe BESËs së Bilall Kasamit, ku listat në njësinë e parë dhe të dytë zgjedhore, ku realisht mund të fitojnë nga një deputet, do të kryesohet nga Alternativa, kurse e pesta dhe e gjashta nga ASH-ja. Kjo ofertë u konsiderua si nënçmim nga BESA, ndërkohë që u pranua nga Alternativa.

Koalicioni duket se ishte planifikuar që më herët, por se duhej të menaxhohej në atë mënyrë që partia e Kasamit të mos marrë pjesë në të. Që nga viti 2018, kur partia që udhëhiqte Kasami u nda në dy subjekte, Sela e kishte të qartë se do të duhet të zgjedhë midis dy partive rivale. BESA e Kasamit trashëgoi strukturën që është e koncentruar në Pollog, që është pjesë e njësisë së gjashtë zgjedhore, kurse Alternativa e Gashit – si parti e dalë nga BESA – është e pozicionuar mirë në njësinë e parë dhe të dytë zgjedhore. Duke marrë parasysh këtë gjeografi zgjedhore, ASH duket të ketë parë një partner më të favorshëm te Alternativa nga shkaku i mungesës së përkrahjes për të nxjerrë deputetë në njësitë ku kjo e fundit qëndron mirë. Në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, partia e Selës ka një përkrahje të konsiderueshme në njësitë 5 dhe 6, por qëndron jo aq mirë në njësitë 1 dhe 2. Matematikat e ASH-së janë se me Alternativën do të arrijë të mbulojë të gjitha njësitë zgjedhore që nxjerrin deputetë shqiptarë dhe kështu ta konkurrojë më seriozisht Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit.

LEXONI EDHE KËTË:  Koronavirusi mund të përcaktojë fatin e përballjes SHBA-Kinë

Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 ASH ishte në koalicion me BESËN, duke kandiduar për kryetar shteti Blerim Rekën, i vetmi në garë. Edhe pse dihej se gjasat që Reka të zgjedhet president janë teorike, Sela dhe Kasami e paralajmëruan këtë bashkëpunim si afatgjatë, kurse Rekën si unifikues i opozitës shqiptare. Ky koalicion mori afër 80 mijë vota, në një garë pa kundërkandidat shqiptar pasi BDI dhe Alternativa – si parti qeveritare – mbështetën që në raundin e parë Stevo Pendarovskin, si kandidat i koalicionit në pushtet i propozuar nga LSDM. Ky rezultat nuk është i mjaftueshëm për të mundur BDI-në, e cila në zgjedhjet e 2016 kishte afër 84 mijë, kurse në 2017 – rreth 86 mijë vota. Reka, ndërkaq, midis luftës politike në krye të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe pozitës në qeverinë e Kosovës, zgjodhi të dytën.

Nëse merren si pikëorientim votat e grumbulluara në zgjedhjet lokale të vitit 2017, atëherë ASH do të numëronte 6-7 deputetë, kurse Alternativa 2-3 deputetë. Në bazë të rezultateve zgjedhore, Alternativa do të fitonte një deputet në zonën e parë, një në zonën e dytë kurse me pikëpyetje do të ishte deputeti në të gjashtën. ASH do të fitonte një deputet në njësinë e pestë, një në të dytën dhe katër në të gjashtën. Sipas këtyre treguesve, por edhe anketave të besueshme për rejtingun aktual, në varijatin më optimist koalicioni ASH-AA do të fitonte 10, kurse atë më pesimist – 6 deputetë. Nga ana tjetër, po në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e fundit lokale dhe anketave, BDI do të fitonte 10-12, BESA 1-2 deputetë, kurse PDSH 1 deputet.

LEXONI EDHE KËTË:  Ose “agjent” i NATO-s, ose i Serbisë!

Kjo përllogaritje dhe analizë nuk e bën favorit për fitore dyshen Sela-Gashi karshi Ahmetit, i cili përveç se mund të ketë 1-2 deputetë më shumë, pas zgjedhjeve do të mund të tërheqë në orbitën e tij edhe deputetët që do t’i merrte BESA dhe PDSH.

Nga ana tjetër, në garë për vota të shqiptarëve etnikë edhe në këto zgjedhje do të jetë LSDM e ish-kryeministrit Zoran Zaev. Paralajmërohen koalicione parazgjedhore me së paku një parti shqiptare dhe dominim të kandidatëve shqiptarë në zonën e gjashtë. Numri i përgjithshëm i deputetëve që do të marrë Zaev, por edhe numri i deputetëve shqiptarë në veçanti, mund të përcaktojnë koalicionet e ardhshme për formimin e qeverisë. Nëse LSDM do të fitojë zgjedhjet me 52-54 deputetë dhe në radhët e saj do të ketë së paku 5 deputetë shqiptarë, atëherë pritet që koalicioni të bëhet me ASH-AA, duke e çuar kështu në opozitë BDI-në pas 12 viteve pushtet radhazi. Nëse LSDM si fituese merr 49-52 deputetë, atëherë koalicioni me BDI-në do të ishte i paevitueshëm.

Pa marrë parasysh këto parashikime, rezultati i 12 prillit do të varet parasegjithash nga strategjia partiake, ofertat, përzgjedhjet kadrovike dhe aktivitetet konkrete në teren.

19

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *