Dua Lipa kthen këngën e viteve 80’

Kënga pozitive “Physical” u ka mundësuar njerëzve arratisje nga këto kohë të pasigurta. Shkrimi i këngës përfshiu lexime të letrave Tarot dhe një shabllon të çmendur flaute. Ylli i popit i shpjegon te gjitha në “Ditarin e një Kënge”
New York, 8 maj (NYT) – Me vite, tingulli dominues i muzikës pop ka qenë i sikletshëm, paranoik, i hidhëruar dhe klaustrofobik – këngë të pikëlluara e të murrme për kohëra të pasigurta. Deri sa nuk erdhi Dua Lipa.

Në dy albumet e saj të para, këngëtarja 24-vjeçare ka preferuar këngë me rritëm të shpejtë, vallëzuese dhe të hareshme, të cilat, edhe kur flasin për humbje dashurie, nxisin lëvizje, energji dhe optimizëm.

Me të drejtë, ajo e quajti albumin e saj të fundit “Future Nostalgia” (Nostalgjia e së ardhmes), i cili u publikua në mars dhe ktheu botën te popi argëtues i Lady Gaga, Katy Perry, Pink, Nelly Furtado dhe Blondie.

Por derisa muzika e re e Dua Lipës duhej të ishte muzikë e një vere të ngrohtë në podiumet e vallëzimit përreth botës, “Future Nostalgia” u publikua në një kohë të izolimit të detyruar, ku bota përpiqet të luftojë koronavirusin. Në vend se të jetë festim, albumi u bë “ilaç” për shumë njerëz, me këngë që ndriçojnë dhe ndezin dritat në shtëpitë e izoluara. Dhe asnjë nga këngët nuk e ka atë efekt më shumë se kënga “Physical”, për të cilën Dua Lipa, flet në episodin e fundit të “Diary of a Song” (Ditari i një kënge).

Kënga “Physical”, refreni dhe energjia e së cilës vjen nga hiti me emër të njëjtë i viteve të 80-ta të Olivia Newton John-it, ndodhi pak si pahiri një ditë në Los Angeles, ku Lipa u takua me një ekip bashkëpunëtorësh, përfshirë autorët Clarence Coffee Jr. e Sarah Hudson, dhe incizimi i këngës, ashtu si gjithmonë, u nis me leximin e letrave Tarot.

LEXONI EDHE KËTË:  Taylor Swift mendon ta themelojë një shtëpi muzikore

Producenti Jason Evigan i dha ngjyrë fillestare këngës duke përdorur shabllonet e një flaute persiane, gjersa Lipa dhe bashkautorët u përpoqën t’i përshtaten me energji pozitive dhe ritëm nxitës.

Kënga “Physical” pastaj u gdhend deri në fund nga producenti Koz, i cili punoi në detaje, e në fund erdhi inkurajimi dhe ekspertiza e trajneres së zërit dhe producentes së Dua Lipës, Lorna Blackwood. Ajo i ndihmoi në mjeshtërimin e toneve të thella dhe atyre të larta e valëzuese.

“Physical” që nga atëherë u bë hit i madh në Britani, duke e arritur numrin 3 në top listë, në javën e njëjtë kur publikoi edhe dy këngë tjera: “Don’t Start Now” dhe “Break My Heart,” të cilat gjithashtu gjeten vend në “top 10”.

Videoja e këngës është shikuar më shumë se 100 milionë herë, duke mos numëruar versionin shtëpiak me vallëzim aerobik, që mori rëndësi të posaçme në izolim gjatë pandemisë globale.

29

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *