Shaqiri shpreson të luajë më tepër në edicionin e ri me Liverpoolin

Xherdan Shaqiri ka përvojë në mbrojtje të titujve në ligë dhe është i sigurt se Liverpooli ka atë etje që i duhet për ta mbrojtur titullin e Premier Leagues në edicionin 2020-21.

Shaqiri më herët kishte fituar tituj rresht në Gjermani dhe Zvicër me Bayern Munchenin përkatësisht Baselin.

Pasi Liverpooli i dha fund pritjes duke e fituar titullin e parë në ligë afro dy muaj më parë, skuadra e Jurgen Kloppit ka nisur përgatitjet për mbrojtjen e titullit.

“Të gjithë jemi të entuziazmuar që do të luajmë sërish dhe të mbrojmë titullin që e fituam stinorin e kaluar”, ka thënë Shaqiri për faqen zyrtare të Liverpoolit nga kampi stërvitor i klubit në Austri. “Është shumë e vështirë, por ne provojmë të arrijmë shumë gjëra dhe duam të fitojmë shumë ndeshje. Kemi kapacitet, kemi skuadër që është ende e uritur dhe dëshiron të fitojë shumë tituj. Sigurisht është ndryshe në Premier League krahasuar me ligat tjera, dhe kisha kënaqësinë dhe jam shumë krenar me atë që kam arritur në Gjermani duke fituar dy tituj dhe i njoh shumë shtete tash. Por me Liverpoolin, të fitoj titullin stinorin e kaluar ishte e pabesueshme, diçka ndryshe pas 30 vjetëve për tifozët dhe për ne po ashtu. Ne jemi shumë të entuziazmuar dhe gjithmonë duam të fitojmë çdo ndeshje. Por e dimë se do të jetë e vështirë. Skuadra tjera po ashtu duan të fitojnë, kështu që do të jetë një stinor shumë interesant”.

Në aspektin personal, Shaqiri shpreson që stinori i ri të jetë më i frytshëm dhe të ndihmojë më tepër në fushë. Lëndimet e kanë limituar Shaqirin edicionin e kaluar në 11 ndeshje në të gjitha garat. Ndonëse ai shënoi gol në dhjetor në derbin lokal kundër Evertonit.

“Gjithmonë nëse je i lënduar apo nëse nuk je duke luajtur, je i frustruar. Por po shikoj para këtë stinor dhe ta ndihmoj skuadrën gjithë kohën, të kem mundësi të luaj si në stinorin e parë. Mundohem të jap më të mirën në fushë dhe të ndihmoj skuadrën të fitoj ndeshje e tituj. Kjo është me rëndësi për mua”, ka shtuar Shaqiri.

Shaqiri është plotësisht i vetëdijshëm se si faza parasezonale e fortë nën drejtimin e Kloppit mund ta ndihmojë që të arrijë objektivat.

“Faza parasezonale është gjithmonë e fortë, por të gjithë janë të lumtur të kthehen, të luajnë sërish futboll e të shohin njëri-tjetrin. Ne patëm pushim të shkurtër, por tash i jemi kthyer punës. Ne gjithmonë kemi punuar fort në të kaluarën në fazën parasezonale. E dimë se do të punojmë fort dhe kjo do të na hyjë në punë në fushë. Puna që e bëjmë në fund do t’ia vlejë”, ka thënë Shaqiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *