Përzgjedhësi i Moldavisë e sheh Kosovën fituese të grupit

Pavarësisht se ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, përzgjedhësi i Moldavisë, Engin Firat, e sheh Kosovën fituese të grupit të dytë të Ligës C. Firat në një intervistë për uebfaqen “moldfootball”, ka insistuar se Kosova e ka ekipin më të mirë në grup.

Kosova ka barazuar me Moldavinë (1:1) dhe ka humbur nga Greqia (2:1) në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Firat ka thënë se i është gëzuar shumë barazimit me Kosovën në ndeshjen e luajtur në Parma të Italisë derisa ka shtuar se Kosova ka pësuar nga Greqia për shkak të mungesave të mëdha që i ka pasur në ekip. Kosovës i munguan shumë lojtarë për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, ku lojtarët kryesor të “dardanëve” kanë rrezikuar të karantinoheshin nëse do të kishin qëndruar në Kosovë.

“Kosova është kundërshtari më i fortë në grup dhe bazuar në cilësinë që e ka mund të them se do të përfundojë e para. Mendoj se me ekip të kompletuar, Kosova do ta mposht si Slloveninë ashtu edhe Greqinë. Mund të them se barazimi me Kosovën në gëzoi shumë kurse Greqia e mposhti për shkak se ishte pa lojtarët kryesor. Megjithatë, përkundër mungesave, Kosova u tregua shumë e fortë edhe kundër Greqisë”, ka insistuar Firat. “Ka shumë lojtarë sulmues dhe ka shumë mundësi për ta ndryshuar taktikën e lojës. Askush nuk duhet të mashtrohet prej rezultateve aktuale sepse kur një ekipi i mungojnë shtatë lojtarë, atëherë është e pamundur të fitojë. Madje as Franca nuk na ka bërë presion më shumë se Kosova që ka ekipin më të mirë dhe më cilësor në grup”.

Firat gjatë një interviste për KOHËN, muajin e shkuar, ka thënë me bindje të plotë se Kosovën e sheh në “Euro 2020” që do të mbahet vitin tjetër, jo vetëm si pjesëmarrëse por si një ekip me synime për rezultate të mira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *