A do të ketë rrugëdalje nga vetoja Bullgare?

0
27

Kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, në emisionin “Klik Plus” të TV21 tha se për t’i zgjidhur problemet me Bullgarinë duhet të pranohet se çështjet e identitetit dhe historike nuk mund të jenë kyçe në bisedimet aderuese, por siç tha, këto çështje sërish duhet të zgjidhen.

“Mendoj se është më e rëndësishme që kjo çështje të jetë e qartë dhe të zgjidhet para se të filloni me negociatat aderuese, qoftë në nëntor apo dhjetor, sesa të filloni me negociatat aderuese duke e pasur këtë çështje e cila përsëri do të kthehet vitin e ardhshëm. Më e rëndësishme është të shpjegohen, qartë të theksohen se çështjet historike dhe të identitetit nuk mund të jenë pjesë e negociatave aderuese”, theksoi Gerald Knaus – kryetar i Nismës Evropiane për stabilitet.

Në drejtim të përpjekjeve të Gjermanisë, si vend-kryesues me Bashkimin Evropian që të ndërmjetësojë në zgjidhjen e problemit që e ka Maqedonia me palën bullgare, është edhe biseda e sotme e kryeministrit Zoran Zaev me kancelaren gjermane, Angella Merkel. Sipas zëdhënësit, Dushko Arsovski, nuk pritet që Bullgaria të heqë dorë nga kërkesat e saj lidhur me gjuhën maqedonase dhe identitetin, por siç tha, bisedimet do të vazhdojnë.

“Në lidhje me gjuhën maqedonase, tashmë është e qartë se gjuha maqedonase dhe identiteti janë fakte të vërtetuara nga OKB dhe Qeveria vlerëson se për këtë nuk duhet të ketë dilema”, potencoi Dushko Arsovski – zëdhënsë i Qeverisë.

Shefi i opozitares DPMNE, Hristijan Mickoski, në fjalimin përmes video incizimit, bëri thirrje që nuk mund të negociohet për çështjet e identitetit, ndërsa njëkohësisht përsëriti se Maqedonia nuk mund të nënshkruaj aneks të marrëveshjes.

“Do të kërkoj bashkim rreth kësaj çështje për shkak se me çështjet e identitetit, me historinë tonë, me faktet historike, me rrënjët tonë, si popull, si shtet që e kërkonte vendin e vet nën diellin në zemrën e Ballkanit, në Evropë, për rrënjët e gjuhës maqedonase nuk ka negociata”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në deklaratën e mbrëmshme të shefes së diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, qartë theksohet se Bullgaria nuk është e gatshme që t’i japë dritë jeshile Maqedonisë për fillim të negociatave.

Shkuaj një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here