Asllani synon kualifikimin me Real Madridin në Champions

0
26

Kosovare Asllani ka arritur shumë suksese gjatë karrierës. Ka fituar disa trofe. Por ajo synon një sukses tjetër. Synimi i saj me skuadrën e Real Madridit është kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Asllani, 31-vjeçare, ka theksuar se synimi i drejtuesve të klubit është ndërtimi i një skuadre fituese. Pranon se për një gjë të tillë duhet pak kohë. Është viti i parë i Real Mardidit që garon me një skuadër të femrave, lidere e së cilës është Asllani.

“Në Real Mardid qëllimi gjithmonë është fitorja. Ky është viti ynë i parë që kemi krijuar skuadër dhe natyrisht duhet kohë për t’u ndërtuar një ekip fitues. Megjithatë, qëllimi është që të përpiqemi të fitojmë qysh në fillimet tona. Personalisht dua që ta ndihmoj ekipin e Realit drejt sigurimit të një vendi në Ligën e Kampionëve këtë vit”, ka thënë Asllani për gazetën suedeze “Aftonbladet”.

Asllani karrierën si seniore e nisi në Linkopingsi. Ka luajtur edhe për Chicago Red Stars, Kristianstadsin, Paris Saint-Germainin dhe Manchester Cityn. Ajo ka treguar edhe për jetën e saj në Spanjë në këtë kohë pandemie. Spanja është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi. Asllani ka zbuluar se në shtetin spanjoll janë vendosur masa të ashpra për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Ne nuk mund të largohemi nga shtëpia, kjo është paksa e trishtuar. Mund të qëndrojmë vetëm në hotel dhe të stërvitemi, është paksa monotone. E bëjmë rregullisht testin për koronavirus, në mënyrë që ta mbrojmë veten. Jam mësuar edhe me maskën e vendosur, sepse në Spanjë është e detyrueshme”, ka thënë futbollistja e përfaqësueses së Suedisë.

Asllani është pyetur se cili do të ishte vendimi i saj nëse ajo me Suedinë do ta fitonte titullin e Botës. Është përgjigjur me shaka se do ta linte futbollin. Por, menjëherë i është kthyer seriozitetit duke shtuar se ka ende për t’i dhënë futbollit të femrave.

“Do të festoja mbi të gjitha”, ka thënë Asllani.

Asllani ishte golashënuesja më e mirë e Suedisë në kampionatin botëror të mbajtur në Francë në vitin e kaluar. Ajo luajti në çdo ndeshje të turneut final të Kupës së Botës dhe e ndihmoi Suedinë të përfundonte e treta në botëror, ku realizoi tre gola. Në fakt, Asllani është një nga lojtaret kryesore te Suedia dhe me më shumë se 130 paraqitje. Ka debutuar në vitin 2008 dhe deri më tash ka shënuar 37 gola. Asllani pritet të jetë edhe pjesë e Suedisë edhe në Lojërat Olimpike “Tokios 2020”, që shkaku i pandemisë janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm.

Shkuaj një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here