Diplomacia e xhamive dhe komisarët e diasporës

0
28

Nga doli terroristi i Vjenës? Ca thonë ishte manifestim i suksesit të politikës serbe për difamimin e shqiptarëve si radikalë islamik. Disa tjerë thonë se Islami është ai që tërboi të riun të masakrojë njerëz. Ndërkaq ne themi se gjitha këto janë të mundshme, por këto do të ishin të pamundshme pa ndihmën (ose dështimin) e shteteve shqiptare. Ku dhe si dështojnë ato?

Shkruan: Xhemal Ahmeti

PROBLEMI – Ekziston një problem relacional ndërmjet diasporave shqiptare dhe mediave, politikës dhe masave të caktuara në Kosovë. Konflikti nuk është i pabazë. Diasporat ndihen të injoruara nga shtetet e tyre, të fyera nga media të caktuara dhe të diskriminuara në vendet ku kanë gjysmën e jetës (familjet, pasurinë). Vendorët kritikë dhe ata që sulmojnë diasporat ankohen se këto ua prishin imazhin në botë duke u shfaqur edhe si terroristë islamikë, duke ua prishur rezultatet e zgjedhjeve në favor të partive destruktive, të cilat u asistuakan madje edhe rrymave religjiopate në botën perëndimore. Ky është refreni që e kemi thënë aq shpesh, çka matej?

Janë këto stereotipia e zakonshme e një fryme të ndarë në dysh apo problemet vërtet qëndrojnë – këtë duam ta analizojmë në këtë tekst.

DIASPORAT SIÇ JANË – Pjesa dërmuese e emigrantëve shqiptarë në shtetet e perëndimit tashmë është e «gjeneratës së dytë», tretë. Kjo shtresë është e shkolluar dhe emancipuar me një sistem vlerash që si inkubator dhe centrifugë ka individualizmin. Të atij tipi formimi që thotë se bota [le t’i shkojë mendja lexuesit tek krahasimi ndërmjet figurave Yogi dhe Komisari të Arthur Koestler] nuk ndryshohet duke futur kolektivat në revolucione, por përmirësohet duke u nisur nga vetja, kontributi personal brenda një shoqërie. Kjo shumicë është e lirë dhe deri më tani e pakontaktuar në ndonjë formë nga shtetet e origjinës. Ose tepër rrallë, duke rekrutuar ndonjë prej tyre për nevoja politike apo fisnore.

Pjesa tjetër, më minorja përbëhet nga njerëz që nuk kanë mundur të kyçen në shoqëritë ku jetojnë. Qoftë për arsye të diskriminimit ende ofensiv ndaj kategorive të veçanta të të huajve në vendet perëndimore, qoftë për shkak se prindërit i kanë izoluar brenda ndonjë ideologjie refuzuese ndaj sistemit ku u jetojnë fëmijët.

Është kjo kategori, e dyta, që edhe kërkon strehim organizatave e klubeve që improvizojnë ndjenjën e kolektivit të munguar të atij që ndihet i përjashtuar nga shoqëria ku jeton. Deri para vitit 2008 gjendja ishte më ndryshe, ishte ajo e «gjeneratës së parë».

DIASPORAT SIÇ ISHIN – Të ashtuquajturat diaspora të «gjeneratës së parë» i përkonin asaj shtrese njerëzish që erdhën në perëndim si sezonierë, punëtor krahu apo të përndjekur politikë. Kjo kategori jetonte barakave, klubeve dhe bodrumeve me shpresën në shpirt se një ditë do kthehen tek kolektivi nga ikën, të detyruar nga skamja apo ndjekja. Për këtë arsye mbështetja doli aq e madhe ndaj organizatave patriotike dhe luftës në trojet shqiptare. Sot do të ishte komplet ndryshe. Ose shtetet shqiptare do të ndiqnin ndonjë politikë ndaj emigracionit të tyre, ta zëmë si Izraeli ose Italia, gjë që do të na bënte të reflektojmë këtu ndryshe.

«KOLEKTIVAT» E TË PËRJASHTUARVE – Pas «mbylljes» së kauzave patriotike u mbyllën edhe klubet e shoqatat kulturore, letrare, patriotike. Me këto rra edhe rrjeti aq i suksesshëm i shkollave shqipe në diasporë. Pas këtyre Ishte shtresa e dytë, ajo pra që ndihet e përjashtuar, që kërkonte mundësitë e reja të strehimit tek kolektivat e origjinës. Pasi shtetet, klubet dhe qendrat kulturore shqiptare mungonin, këta u drejtuan bodrumeve ku faleshin kryesisht mërgimtarë të paktë në numër kryesisht nga Maqedonia Veriore. Shumimi i kësaj shtrese mund të matet pa vështirësi analog me rritjen e ndikimit të Turqisë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Raportet e para mediave perëndimore që edhe shqiptarët të jenë në masë të inkuadruar në terrorizmin dhe radikalizmin xhihadist datojnë që nga vitet 2010 – 2011. Jo rastësisht të gjithë të radikalizuarit e diasporës vinin nga qytetet ku janë edhe të stacionuara xhamitë më aktive shqiptare e të ndërtuara nga pasanikë shqiptarë nga Maqedonia. Në promovimin dhe hapjen e të cilave mbanin fjalime eksponentët kryesorë të partive politike në pushtet të Maqedonisë dhe ambasadorë të Kosovës.

RELACIONI I DIASPORAVE ME ATDHE – Lidhja ndërmjet vendeve të origjinës dhe emigrantëve të tyre janë të shumëllojshme. Sidomos sot në këto kushte të globalizmit, rrjeteve e politikave transnacionale, interdependenca në relacionin diaspora – atdhe do të bëhet shumë më e ndikueshme se ç’është sot. Politikisht më tepër se ekonomikisht siç ç’është sot.

Aktualisht mirëpo relacionin e ndërmjet këtyre dy sferave u determinon kategoria religjioze, kjo që strehimin e gjeti xhamive shqiptare. Të njëjtët janë edhe politikisht më aktivët në përkrahje të ndonjë partie në Kosovë. Ose janë masa që më së shumti instrumentalizohet nga ndonjë parti kosovare e maqedonase qoftë direkt apo indirekt. E njëjta kategori është po ashtu e vetmja që në forumet, institucionet, diskurset që kërkojnë zërin e ndonjë grupi në shtetet perëndimore përfaqëson kosovarët, shqiptarët, maqedonasit.

SI ERDHI DERI KËTU – Pas çlirimit të Kosovës nuk u shuan vetëm klubet por u kthyen edhe shumica e atyre (edhe mediat bëheshin dikur këtu) që ishin vektorët e organizimit në diasporë. Jo vetëm të diasporave kosovare, por të të gjithave, edhe asaj nga Maqedonia, Lugina e gjetiu. Atje bënë shtetin, por nuk u kujdesën më për ato masa që i financuan dhe ndihmuan ta bëjnë shtetin të cilit iu vunë në krye ose ndajnë pushtetin me tjerët (Maqedoni).

Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kosovare, nëse flasim për hapësirat franko – gjermanofone janë më parazitet në krahasim me çdo përfaqësi tjetër që veprojnë dheut të Bernës, Parisit, Berlinit në kontekst me kujdesin ndaj diasporave të veta [1]. Një mik imi që është moti në diplomaci më tha se nuk qëndron faji tek ambasadat dhe konsullatat në këtë drejtim, por tek direktivat (ose mungesa e tyre) eMPJ-ve të shteteve të origjinës. Atje departamentet e autorizuara për diasporë janë partiake, nepotiste dhe inkompetente, nuk e njohin diasporën dhe nuk u intereson asgjë tjetër përveçse t’u organizojmë mbledhje me biznesmenë; dërgojnë nëpunës/e me hixhab dhe me mjekrra syneti përfaqësive, njerëz që jo se nuk kanë lidhje me perëndimin por janë madje edhe me pikëpamje problematike; u intereson se kush është me partinë që e ka sjell aty e çka mund të bëhet që edhe NISMA, LVV, AAK apo LDK të marrë më shumë vota (…) dhe të ngjashme. Ka të drejtë burimi ynë? Nuk është me rëndësi: rezultatet flasin vetë! Ndryshe MPJ që moti do të kishte kuptuar se me një situatë të tillë Kosova do t’i ketë dy probleme madhore: imazhin të jetë burimi i islamit radikal dhe terrorizmit në perëndim dhe e dyta të konfirmojë akuzën serbe , e cila thotë se nga edhe një shtet shqiptar në juglindje vetëm dëme mund të ketë Europa dhe asgjë tjetër.

IMPERATIVI – MPJ e Kosovës (pasi shumica absolute janë e emigracionit është nga Kosova) dhe MPJ e Maqedonisë Veriore me në pushtet shqiptarët (ngase grupi i dytë më i madh dhe shumë më problematik se i pari) duhet të sajojnë projekte për përfaqësim sekular të shteteve [konform kushtetutave që kanë] të tyre në vendet e perëndimit; të ringjallin rrjetet e shkollave shqipe; të krijojnë kushtet politike të votimit jo nëpër xhami por nëpër qendra kulturore dhe nëpër institucionet vendore ku jetojnë emigrantët; të krijojnë ligje për marrëveshje me shtetet nikoqire se kush dhe si mund të ndërtojë xhami apo kishë në emër të organizatave fetare të atjeshme si BIM apo BIK të llojit; MPJ – të duhet të vënë veprim konsullatat dhe ambasadat e tyre që të organizojnë kuadro profesionale brenda vetes dhe të punojnë në këtë drejtim, para se edhe ky kolektiv i fundit të shuhet. Rrjet ky që bashkëvepron me vendet e origjinës ngase edhe atje ende mbizotëron psikopolitika e kolektivit, i cili në krahasim me atë të individualizmit është i programuar me idenë e retrotopive [Bauman, 2017], regresit, prapaecjes shekujve të mesjetës së errët.

Qeveria kosovare duhet ta kërkojë këtë nga MPJ dhe ministritë tjera që merren me kulturë, arsim e të llojit. Në të kundërtën, pas shuarjes të kategorisë së dytë, asaj të përjashtuarës që ende kërkon kolektivin e formatit “ballkanik” edhe sistemi i mbështetjes financiare dhe politike do të zhduket. E kjo do të ishte më shumë se keq për një shtet në konsolidim e sipër që pa diasporat nuk do të mbijetonte dot – jo vetëm për nga aspekti financiar. Ose minimum do ta kishte edhe më rëndë dhe shumë më të gjatë konsolidimin.

_____________________________

[1] Autori shkruan, vepron dhe hulumton diasporat shqiptare që nga viti 1992 e deri sot)

Shkuaj një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here