Shtatzënat, më të rrezikuarat nga COVID-19

0
23

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë të hënën kanë shtuar shtatzëninë në listën e faktorëve shëndetësorë që i vë njerëzit në rrezik më të madh ndaj COVID-19 për t’u sëmurë rëndë nga ky virus, përfshirë edhe rrezik më të madh për vdekje. Përderisa gratë shtatzëna të infektuara me koronavirus nuk janë të sëmura rëndë, paralajmërimi i ri i bazuar në një studim të madh që i përcolli dhjetëra e mijëra gra shtatzëna që kanë pasur simptoma të COVID-19.

Krahasimi

Studimi zbuloi se ato ishin posaçërisht me shumë mundësi të kishin nevojë për kujdes intensiv, për makinë të specializuar, për stenta, zemër-mushkri dhe për ventilator mekanik, sesa gratë bashkëmoshatare që nuk ishin shtatzënë, por të cilat kishin simptoma të koronavirusit. Më e rëndësishmja, gratë shtatzëna ballafaqohen me rrezik të shtuar prej 70 për qind për vdekje, kur bëhet krahasimi me gratë që nuk janë shtatzënë, të cilat kishin simptoma. Studimi nga Qendrat për Parandalim dhe Kontrollim të Sëmundjeve, studimi më i madh i këtij lloji deri më tani, ekzaminoi rezultatet nga 409.462 gra simptomatike 15 deri 44 vjeçe që kishin dalë pozitive me koronavirus, 23.434 prej të cilave ishin shtatzënë. “Tani po themi se gratë shtatzëna janë në një rrezik të shtuar për t’u sëmurë rëndë. Më herët kemi thënë “mund të jenë” në rrezik të shtuar për t’u sëmurë rëndë”, ka thënë Sascha Ellington, shkencëtare e shëndetësisë në The C.D.C dhe një nga autoret e studimit të ri. Përsëri, dr. Ellington ka theksuar se rreziku i përgjithshëm i komplikimeve dhe vdekjeve ishte i ulët. “Rreziku i përgjithshëm i këtyre rezultateve është i ulët në mesin e grave nga 15 deri 44 vjeçe, pa marrë parasysh gjendjen e shtatzënisë, por ajo që shohim është një rrezik i shtuar që lidhet me shtatzëninë”, ka thënë ajo.

Masat shtesë

Dr. Denise Jamieson, kryetare e gjinekologjisë dhe obstetrikës në “Emory University School of Medicine”, ka thënë se të dhënat e reja e nënvizojnë rëndësinë e marrjes së masave shtesë nga gratë shtatzëna për t’iu shmangur ekspozimit të virusit, përfshirë tubimet sociale dhe kontaktet me njerëzit – madje edhe me anëtarët e familjes së tyre – që mund t’i jenë ekspozuar virusit apo mund të jenë infektuar me të. “Këto informata të reja që i shtohen listës së faktorëve dhe vërtet nënvizojnë rëndësinë që gratë shtatzëna duhet ta mbrojnë veten nga COVIDI-”, ka thënë dr. Jamieson. “Është e rëndësishme që të bartin maska dhe t’iu shmangen njerëzve që nuk i bartin”. Por, ajo ka thënë se gratë nuk duhet t’i lënë anash vizitat mjekësore dhe duhet t’i marrin vaksinat që iu duhen, si p.sh. vaksinën kundër gripit dhe theksoi se studimi tregon se shtatzënat duhet të kenë qasje në vaksinën e sigurt dhe efektive të COVID-it, posa ajo të jetë gati. Një studim i mëhershëm nuk ka gjetur ndonjë rrezik të lartë të vdekjeve në mesin e pacienteve shtatzëna me COVID, por pacientet shtatzëna në studimin e ri kishin 1.7 herë më shumë gjasa të vdesin sesa pacientet e tjera. Kjo llogaritej me një shkallë vdekjeje 1.6 për 1.000 raste në mesin e grave shtatzëna simptomatike, kundruall me 1.2 për 1.000 raste të grave simptomatike, që nuk ishin shtatzënë. Edhe pas përshtatjeve që janë bërë për dallimet në moshë, racë, etni dhe sëmundjet e tjera shëndetësore, si diabeti apo sëmundjet e mushkërive, gratë shtatzëna kishin gjasa tri herë më shumë sesa gratë joshtatzëna që të dërgoheshin në njësi të kujdesit intensiv dhe 2.9 herë kishin më shumë gjasa që të merrnin ventilim mekanik.

Ndikimi racor e etnik

Studimi vëri në pah edhe dallimet racore dhe etnike. Afro një e treta e shtatzënave që kishin COVID ishin hispanike. Dhe përderisa gratë afroamerikane përfaqësonin 14 për qind të shtatzënave të përfshirë në analizë, nëntë nga 34 vdekje ishin gra afro-amerikane. Dr. Ellington theksoi rëndësinë për të marrë masa për t’iu shmangur infektimit, duke thënë se gratë shtatzëna duhet t’i kufizojnë kontaktet me njerëz që i ekspozohen virusit. “Gratë shtatzëna duhet të këshillohen rreth rëndësisë për të kërkuar kujdes mjekësor të duhur kur ato kanë simptoma”, kanë shkruar autorët. Një studim më i vogël, i publikuar gjithashtu të hënën nga C.D.C.-ja, ka raportuar se gratë që janë pozitive me koronavirus ishin në rrezik më të shtuar që të lindin para kohe, duke zbuluar se 12.9 për qind e lindjeve natyrale në mesin e një mostre prej 3.912 ishin lindje të parakohshme, krahasuar me 10.2 për qind sa është në popullsinë e përgjithshme. Mostra nuk përfaqësonte tërë kombin, por zbulimet shpërfaqin edhe një herë raportet që paralajmëruan për një rrezik më të lartë për lindje të parakohshme. Në mesin e 610 foshnjave të porsalindura që ishin testuar për koronavirus, 2.6 për qind ishin pozitivë, ku shumica e infektimeve ndodhnin në mesin e foshnjave nënat e të cilave ishin infektuar brenda javës në të cilin kishin lindur.

Shkuaj një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here