Lidhu me ne

RAJON

Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

»

: Botuar më

Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, shton Zariqi, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh. Ata megavat deri në atë moment janë marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë transmetimin e energjisë për Kosovën”.

“Tashmë jemi të sigurt në operim të energjisë elektrike, kështu që besoj që do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, thotë Zariqi, duke shtuar se tashmë është futur në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë.

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Kjo e ka futur komercialisht në funksion linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”, pas katër vjetësh nga përfundimi i ndërtimit të saj. Sipas KOSTT-it, kjo do të ketë impakt pozitiv në optimizimin e dy sistemeve dhe rritjen e kapaciteteve transmetuese mes dy vendeve.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit deklaruan për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i marrëveshjës me ENTSO-në do të jetë në fazë testuese deri më 31 dhjetor, dhe se lidhur me këtë, janë të angazhuar të gjithë aktorët e sektorit të energisë.

“Në këtë proces deri tash ka raportime që gjithçka po shkon si duhet. Nuk duhet të anashkalohet assesi ndihma e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë KOSTT-i do të inkasojë deri në tre milionë euro në vit shtesë për tarifat që merr për shkak të qarkullimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

“Ky operim i pavarur dhe bashkëpunimi me Shqipërinë do të fillojë të lulëzojë shumë më tepër, sepse kemi një linjë me kapacitet të lartë, ku kemi gjithmonë mbiprodhim të energjisë gjatë verës dhe nënprodhim gjatë dimrit. Dhe, normalisht, hapet një treg tjetër botëror siç është Italia, pjesë tjetër që e mundëson shitjen e energjisë dhe lëvizjen më të lirë”, thotë Lluka.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme