Lidhu me ne

SPORT

Arenat sportive në shërbim të luftës për barazi racore

»

: Botuar më

Sporti është atraktiv për njerëzit edhe për faktin se kur blejnë biletë për të hyrë në arenë sportive apo kur e ndezin televizorin për të parë një ndeshje, sigurojnë një shkëputje prej trazirave që përfshijnë botën e jashtme.

Mirëpo në vitin 2020, prej fushave të futbollit në Premier Leaguen e Anglisë e deri te fushat e tenisit në “US Open”, nuk është injoruar lufta për barazi racore, ndërsa sportistët u vendosën në vijën e parë të kampanjës që pastaj u bë një lëvizje globale. Nisma “Black Lives Matter” u bart edhe në fushat e NFL-së dhe në palestrat e NBA-së. Sportistët ngritën grushtin lart dhe u gjunjëzuan në shenjë proteste.

“Ne garojmë si një”, ishte mesazhi i dërguar nga Formula 1 dhe i dëgjuar me gjithë zhurmën e motorëve ulëritës të bolidëve, si ata të “Mercedesit” të fuqishëm, me mbështetjen entuziaste të pilotit të vetëm afro-amerikan në F1, Lewis Hamilton. Në fakt, Hamiltoni pati ndikim edhe te skuderia e tij, e cila në bolidët që garonin në F1 e ndryshoi ngjyrën e shigjetave të argjendta në të zezë për të treguar

përkushtimin për lëvizjen e nisur nga bota e sportit. Kishte momente heshtjeje në garat e golfit PGA dhe zemërim në një garë të Kupës NASCAR. Një verë protestash në SHBA, të shkaktuara nga vdekja e George Floydit në muajin maj, ndërsa ndikim pati edhe vrasja e një afroamerikani tjetër, Jacob Blake, ndikoi për të fuqizuar edhe më shumë nismën “Black Lives Matter”. Në Wisconsin ishin edhe shkëndijat që ndezën një lëvizje globale që bashkonte sportistët në të gjithë botën. Sportistët aktivistë nuk janë një gjë e re, por sporti dhe protesta kanë qenë një përzierje e paqëndrueshme polarizuese në të shkuarën.

Padrejtësia racore

Kur Tommie Smith dhe John Carlos u ngjitën në podium në Lojërat Olimpike të Meksikës në vitin 1968, pa këpucë dhe me grushte të zeza të ngritura në shenjë proteste pasi fituan medaljen e artë dhe të argjendtë në 200 metra vrapim, ata u kthyen në shtëpi në SHBA për t’u përballur me turpin dhe kërcënimet me vdekje. Pothuajse 50 vjet më vonë, ishte Colin Kaepernick, ish-ragbisti i San Francisco 49ers që u vë në shënjestër të urrejtjes për protestat e tij me gjunjëzim në vitin 2016 që janë bërë një simbol i luftës kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë. Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i etiketoi protestat e tilla si jopatriotike dhe tha se ato i bëjnë ata që nuk janë sportistë të vërtetë.

Drejtuesja e “Fox News”, Laura Ingraham, i tha emrit më të madh të NBA-së dhe aktivistit më të shquar, LeBron Jamesit, të Los Angeles Lakersave, të hiqte dorë nga futja e hundës në politikë dhe “të heshtte e të driblonte”. Kjo ndodhi para katër vjetësh. Megjithatë, sportistët gjetën zërin e tyre jo si individë në vitin 2020, por si një grup që shtyn një kauzë të përbashkët dhe ndryshon përgjithmonë dinamikën mes tyre, pronarëve të klubeve dhe tifozëve. Një vit më parë sportistët kishin protestuar nën kërcënimin e ndëshkimit dhe hakmarrjes, por këtë vit ata e bënë këtë, në shumicën e rasteve, me bekimin e ligave të tyre dhe organeve drejtuese. FIFA, organi drejtues i futbollit botëror, kishte zhgënjyer prej kohësh në shfaqje të tilla, por në muajin qershor të këtij viti, presidenti Gianni Infantino tha se futbollistët që protestonin ndaj vdekjes së George Floydit në fushë “meritonin një duartrokitje të fortë dhe assesi një dënim”.

Komisari i NFL-së, Roger Goodell, shkoi më tej duke thënë se kampionati i futbollit amerikan bëri një gabim të madh duke mos dëgjuar lojtarët dhe i inkurajoi ata “të gjithë të flisnin dhe të protestonin paqësisht”.

Protesta sportive

Pas muajsh tensioni në rritje i sjellë nga vdekja e Floydit, bashkimi i lëvizjes së sportistëve erdhi në muajin gusht pas vrasjes së Blaket. Skuadra e NBA-s, Milwaukee Bucks, me bazë në Wisconsin, filloi bojkotin kur refuzoi të dilte në parket për ndeshjen e plejofit dhe këtë shembull e ndoqën edhe ekipet e tjera duke e shndërruar në një shfaqje të paparë të solidaritetit të atletëve. Protestat u përhapën në MLB (bejsboll), MLS (futboll), WNBA (basketboll) dhe tenis, ndërsa fituesja e tre Grand Slameve, japonezja Naomi Osaka, u tërhoq nga një turne pasi arriti në gjysmëfinale. Një javë më vonë, Osaka në “US Open” e përdori këtë turne të madh të tenisit për të vënë në qendër të vëmendjes padrejtësinë racore duke mbajtur nga një maskë të ndryshme për secilin nga shtatë meçet e saj, me emrin e një viktime amerikane të brutalitetit të policisë.

“Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur sportistë si Muhammad Ali, John Carlos dhe Tommie Smith u ngritën dhe përdorën sportin e tyre për të ndryshuar veprimet e njerëzimit. Tani kjo traditë është bartur edhe te Naomi që po e përcjell për vetëdijesimin e të gjithëve”, tha pionierja e tenisit dhe aktivistja për të drejtat e femrave, Billie Jean King.

Ndërsa viti po mbyllet, sportistët kanë vënë fjalët në veprim, duke i detyruar ligat të bashkohen me ta, me pothuajse çdo sport, duke prezantuar programe të kësaj nisme. Ndërsa disa kanë premtuar shumë, ka sportistë që kanë ofruar përkrahje për organizatat e dedikuara për barazinë gjinore. Ish-ylli i NBA-së, Michael Jordan, ka premtuar 100 milionë dollarë gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm për këto organizata, si dhe ka inkurajuar sportistët që të vazhdojnë me ngritjen e zërit.

“Ne jemi rrahur (si afrikano-amerikan) për kaq shumë vjet”, tha Jordan, pronari kryesor i Charlotte Hornets. “Kjo jua thith shpirtin. Ju nuk mund ta pranoni më. Kjo është një pikë kthese. Sportistët janë ata që mund të vendosin për barazi racore. Ne duhet të jemi më të mirë si shoqëri. Dhe zëri i sportistëve është ai që dëgjohet më së miri”.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme