KULTURË

“Kthimi i babait” i shkrimtarit nga Kosova, në portalin boshnjak

“Unë dhe nëna të kërkuam me vite. Nuk lamë njeri pa pyetur, nuk lamë gjurmë pa ndjekur. Donim ta dinim se në ç’vend të kishin zhdukur. Edhe pse kaluam një dhjetëvjeçar lirie, së cilës ti iu bëre fli, ne ende kishim shpresë se një ditë do të ktheheshe i gjallë, se një ditë krejt papritmas do t’i bije ziles së banesës, ose pa bërë zhurmë do të hyje brenda në orët e vona, mu ashtu siç kishe dalë nga ajo, për të mos u kthyer më kurrë”, është një pjesë e tregimit “Kthimi i babait” të Adil Ollurit. Tashmë ai i flet edhe lexuesit në Bosnjë-Hercegovinë. Është përkthyer dhe botuar në portalin prestigjioz për letërsi dhe kulturë “Strane”, me seli në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. “Strane”, sipas përshkrimit në ueb-faqe, ka për qëllim që të bëjë bashkë shkrimtarë e artistë nga regjioni dhe të nxisë dialog si nevojë thelbësore për komunikim midis kulturave të ndryshme. Nisi nga një grup i pavarur i shkrimtarëve që kishin për qëllim promovimin dhe afirmimin e letërsisë dhe formave të tjera të artit, si fotografisë, kulturës, filmit dhe muzikës.

Tregimi “Kthimi i babait” është shkruar në vitin 2012, ndërsa është botuar në vitin 2013 në kuadër të librit me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”. Deri tani është përkthyer në dhjetë gjuhë të huaja.

Shkrimtari Adil Olluri ka thënë se shpreson që botimi i tregimit të tij në një portal të tillë të jetë nxitës edhe për përkthime dhe botime të tjera nga letërsia e Kosovës.

“Botimi i tregimit tim ‘Kthimi i babait’ në portalin prestigjioz për letërsi dhe kulturë ‘Strane’ është një lajm i mirë për prozën time artistike, sepse me këtë hap (përkthimin dhe botimin), krijimtaria ime ka mundësi të takohet me lexuesin e huaj, konkretisht me atë boshnjak dhe atë të vendeve të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ku mund të lexohet dhe kuptohet ky portal i mirëfilltë letrar”, ka thënë ai në lidhje me botimin e tregimit.

LEXO »  Libri i Barack Obamas thyen rekorde, mbi 3 milionë kopje në vetëm një muaj

Sipas Ollurit, përkthimi dhe botimi i letërsisë së mirëfilltë shqipe jashtë vendit ka një rëndësi të madhe.

“Me këtë ajo mund të arrijë te një gamë më e gjerë e lexuesve, komentuesve dhe vlerësuesve, të cilët do të mund ta shohin me një sy tjetër prej tonit, ngaqë secila kulturë ka pikëvështrime të ndryshme rreth krijimtarisë artistike e letrare”, ka thënë ai. Sipas tij, letërsia e tashme shqipe ka prozatorë dinjitozë, të cilët do ta nderonin secilën shtëpi të huaj botuese dhe redaksi botimesh letrare në revista e portale të specializuara që e botojnë dhe promovojnë letërsinë.

Në vitin 2015, Adil Olluri kishte botuar romanin e tij të parë “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, titullin e të cilit e kishte marrë nga njëri prej tregimeve të librit “Shumë rrugë dhe një rënie”. “Bartësi i shpirtrave të përzënë” trajton një fragment tragjik të luftës, shpërnguljen me dhunë, duke e vendosur një “hero frikacak” në qendër të romanit. Romani i promovuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës ishte cilësuar si rrëfim i ftohtë për ngjarjet që zhvillohen më 1999.

Studiuesja nga Shqipëria, Virion Graçi, me rastin e promovimit kishte thënë se romani ka një detyrë të vështirë, në dukje të pamundur, të tregojë për eksodin e shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999, e aparteidin e shtetit jugosllav ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Olluri, ka treguar se është duke shkruar romanin e tij të ri, të dytin me radhë. E për tregime të reja ka thënë se shpreson që do zbulojë detaje gjatë ose pas vitit 2023.

Lajme të ngjashme

Kompania e Beogradit synon që në maj t’i rikthehet Kalasë së Novobërdës

PressOnline.mk

Libri i Barack Obamas thyen rekorde, mbi 3 milionë kopje në vetëm një muaj

Press Online

Andrea Bogdani, hartuesi i gramatikës latinisht-shqip

Press Online

Aktori i pakompromis në luftë për vlera

Press Online

Pianistja Anila Aliu fiton çmimin ‘Grand Award’ në Bangkok

Press Online

Mendohet se Stonehenge fillimisht ishte në Uells

Press Online