Lidhu me ne

OPINIONE

Mësimet e një çerekshekulli

»

: Botuar më

Veton Surroi

Udhëzimet e Daytonit për Kosovën dhe si të kalohet prej një çështjeje që shërbeu për kusuritje politike politikanësh provincialë, avancim karrierash diplomatësh të panjohur apo kauze për të fituar imunitet personal juridik, sërish në çështje parësore transatlantike

1.

Një ditë para fillimit të Konferencës së Daytonit më 1995, në Prishtinë ende kishte të atillë që deklaronin publikisht se Kosova do të jetë pjesë e kësaj konference, dhe se madje në të SHBA-ja do ta detyrojë Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deklaratat e këtilla nuk ishin përjashtim nga diskursi i shumicës politike, në fakt ato përbënin shumicën politike. Gjatë disa vjetëve u ndërtua diskursi se ishte vetëm çështje ditësh (apo javësh, më së shumti muajsh) kur në një konferencë ndërkombëtare (si kjo e Daytonit) në fund do të përcaktohet drejtësia dhe Kosova do të jetë e pavarur.

Daytoni përfundoi me nënshkrim të një marrëveshjeje paqeje për Bosnjë-Hercegovinën, apo ashtu u quajt deri më sot. Kosova u përmend një herë, në një shëtitje kopshti që bëri R. Holbrooke me liderin serb Millosheviq në bazën ajrore të Daytonit. Holbrooke sugjeroi që, ashtu me improvizim dhe pas disa ditë punimesh, në konferencë të ftohet edhe dr. Rugova, por Millosheviqi e ndërpreu bisedën me një mërrolje fytyre, një dëbim të idesë me dorë dhe me shqiptimin e një “jo”-je të thatë. Kështu më përsëriste Holbrooke çdoherë që takoheshim.

Njëzet e pesë vjet më pas, në kushte pandemie, u organizua një konferencë ZOOM, konferencë nga ECFR, Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme, me disa prej pjesëmarrësve ndërkombëtarë të Konferencës së Daytonit, përfshirë edhe presidentin Clinton. Njëzet e pesë vjet më pas dhe në kushte paqeje, në ditën e parë të konferencës do të ketë një pajtim mes veteranëve të Daytonit se ende nuk janë “zgjidhur” Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, se ende janë çështje të hapura. Bosnjë-Hercegovina është shtet jofunksional, i kapur dhe i kontestuar nga brenda. Kosova është një shtet në masë të madhe i kapur dhe ende në konflikt të papërfunduar me Serbinë.

Po të ishte gjallë, Richard Holbrooke do të konstatonte se dhjetë vjetët e fundit politika në Kosovë ia përkujton atë të kohës së Daytonit: kosovarët ende presin që presidenti i Serbisë disi do të detyrohet ta njohë Kosovën.

2.

Një çerek shekulli më pas – ky është titull nxitës për një libër të gjatë që do të përshkruajë një ecje të përbashkët të aktorëve vendës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, të ngjashme me atë prej pijanecësh që mbajnë njëri-tjetrin në ecje, rrëzime e ringritje, të bindur se dikur do të mbërrijnë në cak, por pa e ditur saktësisht se as cili është caku e as kur mund të mbërrijnë në të.

Por, në vend të këtij libri, ja tri shënime që nxora si mësim nga Daytoni, mësim që Kosova e përsëriti edhe si mësim, edhe si pësim.

Shënimi i parë: shpejtësia e arnimit. Në Dayton negociatat u bënë për ta ndalur luftën, jo për ta vendosur një shtet funksional demokratik. Apo, siç tha njëri prej hartuesve të marrëveshjes, ajo ishte marrëveshje për ndërprerje të luftimeve dhe në të u vendos një lloj mekanizmi i funksionimit shtetëror me shpresën se do të vendosen funksionaliteti e demokracia; që të dyja shënojnë deficit të theksuar pas 25 vjetësh.

Forcimi i shpejtësisë (atëbotë të arsyetuar nga lufta), është futur si modus operandi edhe në kushte paqeje. Prej vitit 2008 përfaqësuesit e Kosovës kanë hyrë në negociata, si palë e dobët dhe e papërgatitur, me arsyetimin se “nëse nuk e bëjmë tash, kushtet do të jenë edhe më të këqija pastaj”. Së paku në katër vjetët e fundit Kosova ka jetuar nën psikozën se duhet të arrihet marrëveshja me Serbinë gjatë ndërmjetësimit të Mogherinit, sepse pas zgjedhjeve evropiane do të “fitojë e djathta ekstreme, e cila do ta favorizojë Serbinë”. Brenda këtyre katër vjetëve vend të spikatur ka zënë narracioni se duhet të arrijmë marrëveshje gjatë presidencës Trump – dhe ndërmjetësimit të ambasadorit Grenell – sepse në të kundërtën “Amerika do të tërhiqet nga Kosova”.

3.

Shënimi i dytë: vërejtja e Chiracut dhe mungesa e letrës së bardhë.

Në gjysmën e parë të të nëntëdhjetave presidenti francez J. Chirac deklaroi se “pozita e liderit të botës së lirë është vakante”, gjegjësisht se Amerika nuk po e luan atë. Presidenti Clinton filloi ta kuptojë në mandatin e tij të dytë dhe fillimisht reagoi në BeH dhe pastaj në Kosovë. Këtë zbrazëti në Ballkan vazhdoi ta mbushë presidenti Bush dhe në fund të mandatit, në një formë krejtësisht jokonvencionale edhe presidenti Trump, i cili ndoshta ende vazhdon me besimin se me meritë të tij e pas përqafimit të presidentit të Serbisë e kryeministrit të Kosovës janë ndërprerë 400 vjet gjakderdhjet në Kosovë.

Përgjatë mungesës së lidershipit amerikan (dhe partneritetit me një bosht të fortë evropian) ka pasur përpjekje për ta adresuar çështjen e BeH në formë parciale dhe me zgjidhje parciale është arritur në Dayton, thanë pjesëtarët e konferencës. Kështu, kur u arrit Marrëveshja e Daytonit, një pjesë e saj tashmë ishte krijuar në marrëveshje paraprake (Coutillheiro, Vance-Owen, e kështu me radhë). Pra, në fund, paraliza e krijuar në Dayton qe parandërtuar më herët.

Përgjatë mungesës së lidershipit amerikan (dhe partneritetit me një bosht të fortë evropian), Kosova ka hyrë në një aventurë negociatore në të cilën ka pranuar të formojë (në Bruksel) një autonomi territoriale serbe, ka pranuar (në Bruksel) që të bashkadministrojë me Serbinë kadastrën, telekomunikacionin e kështu me radhë, dhe ka pranuar që ta ndajë territorin e vet (në procesin Mogherini dhe në ofertën e John Boltonit). Në fund, ka pranuar që çështja e njohjes së ndërsjellë të zëvendësohet me një proces të dorës së dytë çfarë ishte “Marrëveshja e Washingtonit” në zyrën e presidentit Trump.

Tash, pozitën e liderit të botës së lirë do të përpiqet ta mbushë presidenti i ri Biden. Por, kur të vijë koha e negociatave serioze, në partneritet me një bosht të fortë evropian, në vend të letrës së bardhë negociatore do të jetë dosja e premtimeve unilaterale që i ka bërë Kosova në dëm të sovranitetit dhe rendit të vet kushtetues.

4.

Dhe shënimi i tretë: definimi i cakut.

Në Dayton caku qe të ndalet lufta dhe të ruhet sovraniteti i BeH. Që të dyja u arritën. Nuk u caktuan funksionaliteti i shtetit dhe demokracia, ndoshta sepse, siç tha njëri prej pjesëmarrësve në konferencë, “arritëm marrëveshje kompromisi për atë çfarë ishin të interesuara palët ndërluftuese”. Funksionaliteti dhe demokracia nuk ishin primare e tash po tregohet se pa to BeH vështirë të quhet shtet, pra një entitet funksional e demokratik.

Në Kosovë caku qe “normalizimi i marrëdhënieve” si pjesë e aspiratës evropiane të “Prishtinës e Beogradit” apo në iniciativën Grenell “zgjidhja e problemeve konkrete që rëndojnë jetën e qytetarëve” (si fluturimi Beograd-Prishtinë). Presidenti Vuçiq ka të drejtë të plotë të thotë se nuk ka hyrë në këto negociata për ta njohur Kosovën, dhe nuk ka arsye pse të dyshohet konstatimi i tij.

Në këtë çerekshekull pas Daytonit caku duhet të ridefinohet. Për SHBA-në dhe BE-në, në një plan global ku shtetet si Kina dhe Rusia kanë investuar në konceptin e prishjes së rendit liberal perëndimor, pra të funksionalitetit demokratik të shteteve dhe aleancave të tyre, BeH dhe Kosova paraqesin një sfidë për një politikë të jashtme proaktive SHBA-BE. Në të, funksionimi i shtetit demokratik të BeH dhe vendosja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve demokratike e funksionale, Kosovë dhe Serbi, janë pjesë të shtrirjes së demokracisë në Evropë dhe stabilizimit të saj, posaçërisht kundruall sfidave lindore jodemokratike (Rusi, Kinë,etj).

Pas një dhjetëvjetëshi shkarjesh e gabimesh konceptuale dhe praktike, Kosova duhet të kthehet në rrugëtimin e vet strategjik të partneritetit, të atij që e çliroi dhe e mbrojti në rrugëtim për t’u pavarësuar. Tash e ka radhën që prej një çështjeje që shërbeu për kusuritje politike politikanësh provincialë, avancim karrierash diplomatësh jo shumë të njohur apo kauze për të fituar imunitet personal juridik të shndërrohet sërish në çështje parësore transatlantike.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme