Lidhu me ne

KULTURË

Rëndësia e betejës së Drenogllavës, në lëvizjen autonomiste shqiptare

»

: Botuar më

Në vitet e para të shkekullit të kaluar dhe sidomos 1908-1909 vetëdija nacionaliste shqiptare erdhi duke u rritur.Kjo vetëdije kishte disa arsye të zgjohej e vepronte po ajo më kryesorja mendoj se ka qënë verpimi i unifikuar i Cetinës dhe Beogradit,në kufijtë veriorë dhe verilindorë të vilajeteve shqiptare:Më pas u vu re me trishtim nga pjesa më e madhe e atdhetarëve shqiptarë se trojet arbërore i kërcënonte një rrezik i ri,ndoshta më i rëndë se sundimi osman.Lakmitë e Sofjes,Beogradit,Athinës dhe Cetinës,planet e tyre të hapura e të fshehta tek e mbramja,prashihnin shtrirjen e perandorive bizantine,serbe e bullgare,në territoret e tyre në mesjetë.Përballë kësaj gjendjeje kërcënuese atdhetarëve shqiptarë të fillimshekullit të kaluar,u duhej pos luftës së drejtëpërsëdrejti me Portën e Lartë,edhe një veprimtari e tërë ushtarake,për të ruajtur tërësinë territoriale të vilajetit shqiptar.Parë në këtë rafsh,nuk është aspak e rastit që trevat e Kosovës e të Maqedonisë shqiptare dhe deri diku të Çamërisë,u shëndrruan në fole të ideve kombëtare.Duke qenë karakollet e para të qëndresës shqiptare,në të vërtetë,me shpirtin e trimërisë dhe të sakrificës së rrëfyer,banorët e këtyre trevave,veçanërisht në vitet 1908-1912 u shndrruan në simbole të heroizmit masiv në lëvizjen për pavarsinë trojeve amtare.E rëndësishmja është të potencohet ideja se lëvizjet autonomiste të shqiptarëve në këto vite nuk u panë askurrë të shkëputura nga veprimet diplomatike e politike të atdhetarëve shqiptarë.Historiografia serbosllavomaqedonase,duke u ndalur vetëm në veprimet “luftarake” të shqiptarëve në këto vite,në mënyrë krejt abuzive ka dashur ta sintagmizoj këtë lëvizje kulturore shqiptare si “punë kaçakësh” apo” hesape kriminelësh”.Sigurisht,ata e kanë pasur dhe e kanë të vështirë të pranojnë faktin që dimensioni i luftërave në vitet 1908-1912 ishte tejet i madh.Po aq sa kish të bënte me flakjen tutje të perandorisë osmane po aq ,shqiptarët ndjenë se mund të bashkoheshin,me pushkë e me pendë për të kundërshtuar fuqitë e Mëdha,si edhe monarkitë ballkanike që kërkonin zhdukjen e kombit të tyre.

Dihen tanimë planet e Rusisë,Beogradit e Athinës për coptimin e Shqipërisë.Mandej Rusia duke përfituar nga situatat e reja kur Stambolli po dergjej i sëmurë,ka ndërmarrë hapa të shumta diplomatike për t’a detyruar Portën e lartë të shtyp me zjarr e hekur çdo ide dhe veprim të shqiptarëve,për pavarsinë e tyre.Në pranverën e vitit 1910,veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare,rreth 40 mijë trupa të rregullta të perandorisë osamne u derdhën mbi shqiptarët,duke dashur të mbytnin ende pa lindur,pavarsinë e kombit.Shtypi i atyre ditëve,pos të tjerve do të shkruante :”Shpresat e bukura që lajmet zyrtare kishin ngulur në zemrat tona,se ngjarjet e Kosovës do të merrnin një përfundje të mirë,mjerisht nuk u vërtetuan.Ushtima e topave, e përzjerë me gjëmimin e të plagosurve,me vajnë e grave e me psherëtimat e të varfërve,arrin sot ndër veshtë tanë më të tmerruar se kurrë nga këto male të larta nga ato vise të mjera që janë nga pjesët më të çmueshme të atdheut tonë.Ndë Ipek e ndë Prishtinë,ndër na Cernaovë e ndë Kaçanik,ndë Rekë e ndë Jakovë,tymi i barutit ka mbuluar rreth e rrotull qiellin një mjergull fatëzezë.Arat po mbeten të papunuara e po ujiten me gjak… katundet po digjen shtëpitë po rrëzohen,mëmat po mbeten pa djem, atdheu pa ushtarë”. ( Gazeta “Dielli e Flamuri “.Boston mas. 10 qershor 1910 ).

Në dimrin e egër 1910-1911,Shtabi Ushtarak i Stambollit ndërmori një tjetër inkursion në drejtim të viseve veriore shqiptare.Rreth 20 mijë forca,mësynë drejt Kaçanikut,Ceralevës, Budakovës, Jezercës, Reçakut,,Sedllarit,Berishës,Bllacës etj.Në këtë inkursion për shkak të dezertimit në masë të ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë nga ushtria osmane,pashallarët turq thirrën kontigjente të tjera,nga Anadolli,të armatosur me armë më moderne të kohës,si edhe të komanduara edhe nga disa pashallarë turq.Mësymja dimërore kish të bënte me inatin e Turqve të Rinj të cilët çdo ditë e më tepër po demaskoheshin prej atdhetarëve shqiptarë,deri në sallën e parlamentit osman.Këtij inkursioni burrat shqiptarë mbi supet e të cilëve binin hallet e mëdha të popullit,do t’i përgjigjeshin me veprimin luftarak si dhe përpjekjet e vazhdueshme politike e diplomatike.Ngase diplomacia e Austro-Hungarisë,bashkohej në disa pika me lëvizjen autonomiste të patriotëve shqiptarë, në shkurtin e vitit 1911,Ismail Qemal Vlora takohet në Stamboll me konsullin austrohungarez Pallaviçin.Sipas telegramit që ky i ka dërguar Vjenës,dy ditë pas bisedës në fjalë veç të tjerave mësohet ;”Shumë i nderuari Kont ! Para disa ditëve prita Ismail Qemal Beun.Deputeti i Beratit u përpoq që situatën në Shqipëri,të ma paraqiste tepër të rëndë dhe pakënaqësinë e popullsisë së atjeshme,tepër të madhe.Mu duk se donte të më jepte të kuptoja se nëqoftëse Bullgaria,Serbia dhe Mali i Zi,do t’i binin në pranverë Turqisë,do të shpërthente edhe në Shqipëri një kryengritje.Siç duket qëllimi i tij ishte që të nxirte nga unë,nëse në një rast të tillë shqiptarët mund të llogarisnin dhe në ndihmën e monarkisë perandorake e mbretërore”.( Arkivi i Institutit të Historisë– Tiranë. Fondi i dokumentave të Vjenës,telegram i Pllavçinit dërguar Kontit Erental.dt.25 02.1911).

Ndërkaq ishin zhvilluar luftërat e Kaçanikut dhe Ceralevës.Të dyja këto beteja dhanë jehonë të gjërë jo vetëm në trevat e vilajeteve shqiptare por edhe më gjërë:në rrafshin historik,të dy këto beteja shquhen për një vetëdije të lartë nacionale të shqiptarëve të cilët për të mbrojtur trojet e tyre,ngarendën drejt sakrificës më sublime.Me dhjetra e qindra telegrame të konsujve të huaj ç’prej Prishtine,Cetine,Shkupi apo Stambolli,hodhën dritë mbi trimëritë e shqiptarëve duke i treguar Stambollit dhe Fuqive të Mëdha,ky komb i lashtë vlente të trajtohej njëlloj me të tjerët në Ballkan,se ai mundet të asgjësohej fizikisht apo të asimilohej i copëtuar ndër fqinjët e vet shovenë. Në këto rethana,koha thërriste një tjetër betejë,një tjetër emër.Drenogllava ! Pasi përballuan me sukses disa mijëra të ushtrisë osmane, në janar-shkurt të vitit 1911,udhëheqësi kryesor të këtyre trevave,Idriz Seferi,Isa Boletini,Abaz Bekteshi,Islam Pra,Sinan Maxhera etj,patën ndërtuar disa formacione të vegjël ushtarake duke i shkaktuar fuqive osmane dëme tejet të mëdha.Në pamundësi për të hapur luftë frontale,këto njësi vullnetarësh shqiptarë,me ato armë të zëna armikut dhe me pak fishekë,organizonin luftime të befasishme,në kohë të vështirë dhe terren të panjohur për osmanët,duke u shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme.Veçanërisht në betejat e zhvilluara në fshatrat Smirë,Kukali,Nikovc,Sudovinë etj,Shkëlqyen së bashku trimëria karakteristike e shqiptarëve dhe arti ushtarak i prijësve të tyre të cilët anipse nuk kishin mbaruar akademitë e famshme të Stambollit, u shndruan në tmerr për pashallarët dhe taboret osmane.Pas këtyre betejave,shtabi ushtarak i kryengritësve shqiptarë,me në krye Idriz Seferin,vendosi të rrethojë dy reparte të mëdhenj të divizionit të Osman Pashës,në pyjet e fshatit Drenogllavë,i cili kishte pozicione tejet të favorshme,ç’ka mund t’i përshtateshin luftës popullore dhe taktikave të saj.Për të përgaditur betejën e Drenogllavës,Idriz Seferi porositi krejt prijësit e çetave që të furnizonin me armë e ushqime së paku për 4-5 ditë trimat e tyre.Si kurdoherë edhe kësaj radhe,burrat e Kosovës kreshnike ngarendën të lidhnin besën e të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut,kundër ushtrisë osmane.Këtë beslidhje, e zbukuroi së tepërmi akti i Isa Boletinit,i cili duke kaluar përmes taborreve osmane,mundi të mobilizojë qindra burra të cilët falën gjaqet dhe u rreshtuan në radhët e kryengritësve.Por grumbullimit të kryengritësve shqiptarë,u parapriu plani i komandantit të divizionit turk Osman Pasha.”Ky kishte një fektiv prej 15 mijë vetësh dhe disa dhjetra oficerë madhorë,të përgaditur për luftë malore dhe repartet speciale alpine.Meqenëse zona e operacioneve ishte shumë e vogël,vendosi t’u bënte një rrethim të plotë kryengritësve për t’i asgjësuar plotësisht.Ai e dinte që nëse do t’ia arrinte qëllimit,atë e prisnin shpërblime të mëdha,prandaj ia filloi punës me zell të madh”.(G.Ratkoceri “Idriz Seferi dhe Lëvizja Kombëtare në Kosovën Juglindore” Tiranë më vitin 2000 , faqe 187 ).

Më 2 mars 1911,Osman Pasha thirri në çadrën e vet,shtabin osman,duke bërë të qarta detyrat për çdo vartës.Nga Presheva në drejtim të Karadakut do të marshonin rreth 3 mijë trupa,nën komandën e Fejzi Beut,Dy kompani ushtarë të stërvitur për veprime alpine u paraprinin trupave,duke çelur shtigjet dhe duke siguruar rrugëkalimin.Grupimi tjetër i forcave,i nisur nga Shkupi po i afrohej Kosovës veriore,nën komandën e Sahid beut,i njohur për mizoritë e tij,jo vetëm në Shkup,por deri në Manastir e rrethina.Ndërsa vetë Osman Pasha,me rreth 6 mijë forca iu drejtua luginës së Moravës.Mbase nuk duhet harruar fakti që në këtë inkursion,Osman Pasha ashtu si edhe në Kaçanik,zbatoi parimin e “tokës së djegur”.Kjo do të thoshte që në çdo fshat ku hynin trupat osmane,u vinin flakën shtëpive dhe masakronin pleq e fëmijë të pafajshëm,deri tek foshnjat e djepit.

Nga ana tjetër atdhetarët shqiptarë me në krye Idriz Seferin,Isa Boletinin etj,u mblodhën me shpejtësi duke marrë vendime me rëndësi për të ndaluar barabrinë osmane.Ndërsa u zgjodh Drenogllava për t’u përballuar me forcat e Osman Pashës,kjo për tri arsye,arsyeja e parë ishte që forcat osamne nuk e njihnin fare terrenin e Drenogllavës tejet të thyer,plotësisht të favorshëm për kryengritësit shqiptarë.Osman Pasha ndonëse pagoi me flori disa oficerë shqiptarë për t’i patur si udhërrëfyes në Drenogllavë,këta u bashkuan me forcat kryengritëse.Arsyeja e dytë ishte pasi në Drenogllavë,vetë terreni me pyje,gryka e humnera nuk lejonte që ushtria osmane të mësynin me të gjitha forcat njëherësh,përkundrazi ato futeshin në luftime pjesë-pjesë.Dhe arsyeja e tretë ishte që nëse Osman Pasha do të rezistonte me çdo kusht,forcat kryengritëse mund të largoheshin pa rrezikuar.Më 5 maj 1911,kolona e parë e ushtrisë osmane,e udhëhequr nga Sadedin beu,iu drejtua Drenogllavës në ultësirën e saj.Në të vërtetë në atë drejtim kryengritësit shqiptarë nuk patën parashikuar zhvillimin e luftimeve:për këtë arsye prijësit shqiptarë,caktuan trimin Halim Begunca me 30-40 lutëtarë që të hapin zjarr ndaj kolonëve osmane,duke ndryshuar drejtimin e saj dhe duke i detyruar forcat armike të marrshonin drejt pritës kryesore të kryengritësve.Në këtë mënyrë kolona osmane,duke menduar se po asgjësonte kryengritësit,u vu në ndjekje të tyre duke vënë në përdorim edhe artilerin e tyre:por kjo artileri do të ishte jashtë funksionit,ngase kryngritësit shqiptarë patën zënë pozicione nëpër shkëmbij.Pikërisht rreth orës 11 të datës 5 maj,atëherë kur rreth 2000 trupa osmane po u afroheshin 100 metra kryengritësve,u dëgjuan klithma e prijësve shqiptarë;”BiniBurra!

Grykat e majat e Drenogllavës u mbuluan sakaq prej thirrjeve të kryengritësve shqiptarë dhe krismave të pushkëve,sulmi qe tejet i papritur për ushtrinë osmane,Sadedin beu,tentoi të ndrronte drejtimin e mësymjes së tij por e kuptoi se ishte e pamundur,ushtarëte tij,ose do të përballeshin deri në vdekje,ose do të ktheheshin pas të turpëruar.Në këto kushte ai u detyrua të futej pa dëshirën e tij,në unazën e hekurt të kryengritësve shqiptarë.Ndonës raporti i forcave ishte pothuajse 3 me 1, në favor të osmanëve,këta për shkak të terrenit dhe befasisë po humbisnin shpresat.Nga ana tjetër kryengritësit shqiptarë,ashtu sikundër edhe në betejën e Kaçanikut,luftonin heroikisht duke goditur armikun pikërisht aty ku ai nuk e priste.Përballë kësaj gjendjeje Osman Pasha nxitoi të kapte shtigjet në verilindje të Drenogllavës,duke dashur t’i fuste kryengritësit shqiptarë në mes dy zjarresh,ai urdhëroi gjithashtu që në ndihmë të gjeneralit Sadedin beut të shkonin edhe dy batalione të Sahid beut,duke dashur të mashtrojë prijësat shqiptarë se i vetmi drejtim i mësymjes do të ishte ai i pari.Manovrën e Osman pashës e kuptojnë menjëherë oficerët shqiptarë të cilët kishin dezertuar nga ushtria osmane.Këta bindën Isa Boletinin që t’u priste rrugën formacioneve të Osman Pashës,me ç’rast beteja e Drenogllavës do të ishte kurdoherë e kontrolluar dhe dominuar prej kryengritësve,të udhëhequr nga Idriz Seferi.Në këtë mënyrë në mesditën e 5 majit Osman pasha e kuptoi se ushtria e tij,ishte ndarë në tri pjesë dhe sejcila prej tyre gjendej e rrethuar nga kryngritësit shqiptarë. Mençuria e prijësve ushtarakë shqiptarë,dëshmonte në këtë mënyrë epërsinë e vet mbi gjeneralët e Stambollit.Dy ditë më pas konsulli austriak në Shkup do t’i raportonte Vjenës pos të tjerave se : “Drenogllava për nga guximi i shqiptarëve,na kujton Kaçanikun.Turqit kanë lënë aty në disa orë luftimesh qindra ushtarë dhe oficerë të vrarë”( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i dokumentave të Vjenës, dok.Dt.7 maj 1911 ).

Ende sot,pas dhjetë deceniesh,beteja e Drenogllavës nuk e ka humbur lavdinë e saj.Pushka e kryengritësve shqiptarë që gjëmoi atje u dëgjua jo vetëm në Stamboll por edhe në Kancelaritë e Fuqive të Mëdha të Evropës.Ato krisma po aq se tregonin shpirtin liridashës të shqiptarëve,po aq u kumtonin fqinjëve tanë shovenë se trojet arbërore nuk mund të dilnin aq lehtë në pazar.Atdhetarët e shquar shqiptarë si Ismail Qemali,Sali Gjuka,Hasan Prishtina,Idriz Seferi ,nuk munguan t’us bëjnë të njohur Drenogllavën,diplomatëve evropianë,si shprehje e qartë e rritjes së lëvizjes kombëtare shqiptare.Pamvarsisht hakmarrjes së verbër të mëvonshme të Osman Pashës,Drenogllava ishte dhe mbeti simbol i rezistencës së shqiptarëve.

Bern-Zvicër

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme