MAQEDONI

Lufta kundër ndotjes së ajrit me qasje shpërfillëse

Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet kryesore me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut, por pa një zgjidhje konkrete përkundër premtimeve të shumta të qeverisë, se sigurimi i ajrit të pastër do të jetë në listën e prioriteteve në punën e saj.

Në buxhetin për vitin 2020 me vlerë prej rreth katër miliardë euro, për mjedisin ishin ndarë 0.5 për qind apo rreth 16 milionë euro, mjete këto që vlerësohen te pamjaftueshme për përballje me ndotjen enorme të ambientit. Disa qytete të Maqedonisë së Veriut, si Shkupi dhe Tetova, në disa raste janë gjendur në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë.

Përkundër kësaj, ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini, thotë se institucionet ndodhen në rrugë të mbarë për zgjidhjen e problemit, por pa saktësuar masa konkrete.

“Ministria e Ekologjisë nuk ka buxhet më të madh, por ne normalisht se kërkojmë shumë më tepër dhe do të vazhdojmë të kërkojnë, sikur edhe mbështetje. Besoj se vitin e ardhshëm do të kemi rritje për investime në ambientin jetësor. Çdo institucion apo ministri ka në buxhetin e saj mjete për investime në ambientin jetësor dhe ne jemi këtu për koordinim dhe bashkëpunim me këto institucione me strategjinë për uljen e ndotjes së ajrit dhe kujdes më të madh për ambientin”, ka deklaruar ministri Nuredini, teksa ka folur për punën e Ministrisë që udhëheqë në 100 ditët e para.

Ai njoftoi se në procedurë parlamentare janë dërguar nëntë ligje në fushën e mjedisit, që parashohin rritjen e gjobave deri në 20 herë për ndotësit dhe kushdo që kryen shkelje në këtë fushë do të duhet të kompensojë dëmin.

LEXO »  Në Ballkan, numërimi nuk është kurrë i lehtë si 1, 2, 3....

Por, nga partia e gjelbër, Rimëkëmbja Demokratike, thonë se pa fonde adekuate vështirë se do të mundet të arrihet rezultate. Deputetja Maja Moraçanin thotë se Bashkimi Evropian, ku ruajtja e mjedisit ka rëndësi të madhe, nuk mund të arrihet me fonde shpërfillëse.

“Nga buxheti ndahen shumë pak fonde, jo vetëm kundër ndotjes së ajrit, por për mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi. Fonde për këtë qëllim janë paraparë edhe në sektorë të tjerë, si në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në buxhetin për shëndetësinë, për ekonominë, por në përgjithësi ato janë burime të vogla financiare. Ne nuk mund t’i zgjidhim çështjet mjedisore nëse nuk kemi mjete, sigurisht jo me intensitetin që duam. Institucionet duhet ta kenë parasysh se për të pasur një ambient të pastër nevojiten fonde. Ne synojmë Bashkimin Evropian dhe Kapitulli 27 i cili merret me mjedisin dhe klimën është një nga, do të thosha, kapitujt më të shtrenjtë, sepse me të vërtetë duhet të investosh shumë për të arritur standardet evropiane”, thotë Moraçanin.

Shoqatat për mbrojtjen e ambientit vlerësojnë se gjendja do të ishte më e mirë, sikur qeveria të mos shpenzonte fonde për gjëra aspak të nevojshme, siç thotë Arianit Xhaferi nga shoqata “Eko Guerilla”.

“Qeveria derdh fonde për Lotarinë e Maqedonisë për blerje të aparateve për bixhoz ndërkohë që nuk po gjejnë fonde për monitorimin e ndotjes. Kjo është krejtësisht joserioze që tregon se sa ata brengosen për shëndetin e qytetarëve. Vitin e fundit arsyetohen me pandeminë, por kjo tregon se ata vërtetë nuk janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve mjedisore, jo se i pengon pandemia”, thotë Arjanit Xhaferi nga shoqata “Eko Guerilla”, duke theksuar se neglizhenca e këtillë e institucioneve nuk i ndihmon as përballjes me pandeminë, meqë siç thekson ai, shumë studime ndërkombëtare mjekësore kanë konstatuar se ndotja e ambientit ndikon në përhapjen e koronavirusit dhe rrjedhimisht në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës.

LEXO »  Ligji për shtetësinë i parashtruar nga opozita shqiptare do përkrahet edhe nga BDl

Maqedonia e Veriut problemet kryesore i ka në fushën e mjedisit jetësor, sidomos kur kemi parasysh studimet e ndryshme ndërkombëtare të cilat ndotjen e ajrit e ndërlidhin me përhapjen e viruseve të ndryshme, përfshirë edhe sëmundjen COVID-19. Kjo tregon se ky pushtet nuk po kujdesen as për të luftuar koronavirusin e as për ndotjen e ajrit, pasi këto dyja janë të lidhura njëra me tjetrën.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh ekologjik ndaj shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Sipas listës së publikuar mbi vdekjet në vendet e rajonit dhe të Evropës, Maqedonia e Veriut renditet e 30-ta me 120 vdekje në 100 mijë banorë./REL

Lajme të ngjashme

Zaev i përgjigjet Varhejit: Asnjëherë nuk mund të bisedojmë për identitetin dhe gjuhën maqedonase

Press Online

A mund ta transmetojnë virusin personat e vaksinuar?

PressOnline.mk

Mitko Çavkov dhe katër të burgosur të tjerë infektohen me COVID-19

PressOnline.mk

“Rashkovski”, Zaev: Të gjithë jemi të barabartë para ligjit, të mos ketë dilema

PressOnline.mk

Masat që miratohen sot, u propozuan shumë më herët

PressOnline.mk

E FUNDIT/ Regjistrohen 41 viktima dhe 303 raste të reja me Covid-19

PressOnline.mk