Lidhu me ne

OPINIONE

Frika e madhe nga Albin Kurti

»

: Botuar më

Nga Ermal Mulosmani

Ka një hezitim të theksuar – deri në dëshpërim nga shumë prej komentatorëve politikë në Kosovë për mundësinë e zgjedhjes së Albin Kurtit si Kryeministër i Kosovës. Këto rezerva kryesisht lidhen me mënyrën sesi ka bërë politikë Kurti deri tani – një kritizer i pamëshirëm i çdo veprimi që ka kompromisin brenda,  qoftë ky edhe me kërkesë të shteteve aleate çlirimtare të Kosovës.

Sjellja e Kurtit ka qenë sikur Kosova të jetë Franca e jo një shtet mjaft i brishtë, i panjohur nga gjysma e botës ndërmjet të cilëve edhe 5 shtete të Bashkimit  Evropian apo fuqi të mëdha botërore si Kina dhe Rusia. Me një fjalë një shtet i ri në zgrip të  ekzistencës me një popullsi multietnike dhe me zona të tëra jashtë kontrollit shtetëror si Mitrovica apo komunat serbe në veri të Kosovës.

Sikur të mos mjaftonte ky fakt, Serbia gjithmonë e më shumë po konsolidon pozitat e saj ndërkombëtare duke shfrytëzuar viktimizimin nga sulmet e NATO-s dhe kriminalizimin e luftës së UÇK-së përmes Gjykatës Speciale – një krijesë e lobit serb me Rusinë dhe në kompromis me amerikanët .

Duket sikur mes fuqive aleate të Kosovës ekziston një dilemë : “A ia vleu barra qiranë që ndërmorëm gjithë ato sulme me kosto të lartë gjeopolitike dhe ekonomike për një popull grindavec, të korruptuar, kokëfortë e mbi të gjitha, me shumicë muslimane?!” Kjo pyetje u sëmbon sa herë Kosova u sjell telashe. “Një fëmijë i llastuar që mendon se Perëndimi e ka për detyrim ta mbrojë ”- mundet të mendojnë udhëheqësit e sotëm aleatë. Ka gjasa të mëdha që, nëse masakrat serbe të ’99-ës të përsëriteshin në ditët tona, sjellja amerikane të ishte njësoj si ndaj kurdëve të Irakut, pra një mosdënim.

“Njih vetveten!”- është parimi i lashtë i thënë nga Sokrati. Para se të kërkosh të drejtën për vetvendosje dhe të këmbëngulësh në të drejtat e tua shtetformuese duhet të njohësh se kush je, sa i fortë je dhe sa e mundshme është të shkosh deri në fund të ideve tua. Një politikan i vërtetë i një vendi të vogël njihet nga aftësia për të thënë “Po” kur e di që thënia “Jo”, megjithëse më e drejta, i bën dëm shtetit të tij në të ardhmen. Sepse politika është “arti i të mundshmes” dhe jo kapja pas parimeve të ngurta apo të drejtës absolute. E drejtë është ajo që është e mira më e madhe e mundshme për tu arritur për popullin tënd. Por vetëm kjo nuk mjafton.

Paraardhësit e Albin Kurtit kanë zgjedhur të jenë luajalë deri në nënshtrim ndaj aleatëve perëndimorë, dhe, kur mes aleatëve pati kundërshti, pa hezitim u kapën pas më të fortit prej tyre, Amerikës. Kjo politikë kishte në bazë parimin “Njih vetveten” por edhe ishte një strategji për të qenë të përkëdhelurit e më të fortëve duke mos llogaritur fare që duhet edhe të qeverisin popullin e tyre. Korrupsioni, bajraktarizmi, nepotizmi e shumë “izma” të qeverisjeve të shkuara e konsoliduan Albin Kurtin çdo ditë e më shumë drejt një rruge pa kthim, atë të Kryeministrit të Kosovës. Tani pushteti po i vjen te këmbët Albinit ndonëse ky nuk po bën asnjë përpjekje për ta marrë.

Kundërshtarët kanë 7-8 muaj që tallen përditë me të, e shajnë, i gjejnë kundërshti, i tallin bashkëpunëtorët… Ky vazhdon i heshtur, indiferent, përçmues, përbuzës. Ama sondazhet tregojnë rritjen e tij çdo ditë që kalon. Kjo nuk ka lidhje fare me nivelin e qeverisjes aktuale. Ndër qytetarët që nuk votuan Albin Kurtin në Tetor’19, përditë rritet pakënaqësia sesi një udhëheqës që mori më së shumti vota në Kosovë është sot pa kurrfarë pushteti, nuk është as deputet, si pasojë e makinacioneve kushtetuese. Ditën që koalicioni i Isa Mustafës me Haradinajn dhe Limajn mori votëbesimin, me bekimin e Hashim Thaçit, shënoi edhe ditën e parë të rënies së madhe për LDK-në. Rënie që vazhdoi çdo ditë që kalonte dhe nuk kishte të bënte fare me cilësinë e qeverisjes por me transferimin e vullnetit popullor. Votat ishin marrë për të qeverisur pa PAN-in dhe shkuan pro tyre. Pa u verifikuar në popull.

**************

Albin Kurti nuk është më politikani i dhunës së tymueseve apo deklaratave patetike për bashkim kombëtar. Ai dalngadalë do braktisë edhe parimet etatiste të ekonomisë, kryeneçësinë ndaj aleatëve, politikën populiste vetvendosëse. Përvoja e rrëzimit të Qeverisë Kurti i ka dhënë të kuptojë se ai nuk është qendra e botës por një politikan i vogël i një vendi krejt të vogël në periferi të botës. Bindjet e majta do të jenë një burim inspirimi për një politikë të drejtë dhe luftë korrupsioni. Por vetëm kaq. Në një botë globale kapitaliste nuk ka kurrfarë rëndësie edhe nëse Enver Hoxha apo Che Guevara është Kryeministër i Kosovës.

Prandaj asnjë frikë nuk shoh në zgjedhjen e Albin Kurtit Kryeministër të Kosovës. Sigurisht nuk do mendoja kështu nëse do zgjidhej President i USA-s.

Në fund fare, Albin Kurti ka dhënë prova që tërhiqet nga pushteti i tij. Kur e sheh që e ka të pamundur të luftojë për idetë e tij ai hap rrugën siç e bëri përpara presionit amerikan. Unë nuk kam parë kurrë një “diktator” kaq të heshtur, të qetë e deri të qeshur.

Kundërshtarët duhet ta votojnë Qeverinë e Kurtit nëse Vetvendosje! merr mbi 41 deputetë. Nëse nuk e votojnë atë qeveri, qoftë edhe të pakicës (nëse nuk arrin të bëjë koalicion) e kanë të pamundur të zgjedhin Presidentin edhe sikur të bëhen të gjithë bashkë (nuk arrijnë kuoriumin e 80 votave) çka automatikisht do të çojë në zgjedhje të reja. Dhe në çdo palë zgjedhje që do të vijnë Kurti do të shtojë votat në kurriz të tyre.

Prandaj, nëse Vetvendosje! arrin të ketë mbi 40 mandate le të qeverisë e vetme në këmbim të një Presidenti opozitar dhe kontrolli të komisioneve parlamentare nga opozita. Ky do ishte një balancë e mirë, një kontroll i qeverisjes përmes votës bllokuese (votëbesimit të qeverisë) dhe komisioneve. Por mbi të gjitha do të ndalte trendin rritës të Vetvendosje!.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

MË TË LEXUARAT