MAQEDONI

Pandemia shpërfaqi vonesën e digjitalizimit në Maqedoni

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut thonë se pandemia e koronavirusit në masë të theksuar e ka ndryshuar jetën e tyre, madje dhe konceptin e të menduarit për të ardhmen.

Ata në rend të parë kanë apostrofuar shëndetin, megjithëse kanë theksuar rëndësinë e teknologjisë informative.

Guxim Nuhiu nga Këshilli Nacional Rinor në Maqedoninë e Veriut, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se pandemia e koronavirusit ka shpërfaqur vonesën e digjitalizimit në këtë shtet, si në procesin edukativo-arsimor, po edhe në funksionimin e institucioneve të shtetit.

“Digjitalizimi, si në punë, ashtu dhe në shkollë, është i paevitueshëm, por duket se ne kemi qenë pak vonë në këtë drejtim, e të cilën gjë e nxori në pah kriza e pandemisë. Për fat të keq janë reduktuar shumë aktivitete dhe ngjarje të ndryshme, por në anën tjetër besoj se kemi kuptuar se në disa drejtime edhe online mund të arrijmë rezultate të mira”, thotë Nuhiu.

Ai thekson se personalisht pandemia e ka mësuar ta çmojë kohën dhe shoqërinë.

“Mua personalisht më ka mësuar se sa e çmuar është koha të cilën e kalojmë me njerëzit e afërt. Mësova se si të jemi mbështetje për njëri-tjetrin edhe kur nuk mund të takohemi, mësova se sa i rëndësishëm është shëndeti mental në përgjithësi , jo vetëm në këtë situatë”, thekson Nuhiu.

Mila Zdravkovska për Radion Evropa e Lirë thotë se viti që e lamë pas, 2020, për të ka qenë shumë i vështirë veçanërisht në aspektin e përshtatjes që mësimin ta ndjekë online. Zdravkovska thotë se për të ka ndryshuar koncepti për sigurinë, pasi edhe në ato takimet e pakta që ka pasur me miqtë e saj, ka mbretëruar frika e rrezikut nga infektimi me virusin e ri.

LEXO »  Etnia në letërnjoftime nxit ndarje apo avancon pozitën e shqiptarëve?

“Në ato pak raste kur jam takuar me shoqërinë në ajër kudo ishte ajo frika e krijuar nga situata që e imponoi pandemia, se prania ime mund t’u kushtojë me jetë miqve të mi më të afërt, familjes sime të ngushtë dhe anasjelltas”, thotë Zdravkovska.

Ndërkaq, Stefan Mitiq, student, thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia i detyroi të rinjtë që më shumë të orientohen kah përvetësimi i shkathtësive digjitale, megjithëse shton se prania fizike mbetet e pazëvendësueshme, si në mësim, ashtu dhe punë.

“Sipas meje, sado që përvetësuam shkathtësi digjitale, sado që mësuam të përdorim vegla të ndryshme digjitale për të krijuar lidhje në një shoqëri të izoluar për shkak të koronavirusit, megjithatë për mua mbetet e pazëvendësueshme përvoja që të jesh në një hapësirë me më shumë njerëz dhe të mund të shoqërohesh po edhe më e rëndësishme për të këmbyer përvoja”, thotë Mitiq.Ai nënvizon se nga viti që lamë pas, ka mësuar se shëndeti mbetet parësor:

“Nëse diçka më mësoi viti 2020 është ajo se çdo dëshirë është lehtësisht e realizueshme dhe e parëndësishme përpos ajo për shëndet të mirë, përkatësisht të jenë shëndosh e mirë të gjithë të afërmit”.

Nga ana vjetër, Blerina Pollozhani, aktiviste për të drejtat e të rinjve, e cila personalisht e ka kaluar dhe sfidën e përballjes me koronavirusin, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mësuar ta çmojë shëndetin dhe kohën, por gjithsesi të punojë nga shtëpia duke qenë mjaft efektive. Punën online thotë se mund ta vazhdojë edhe pasi të përfundojë pandemia.

“Ajo që ndryshoi tek unë është gjetja e modaliteteve për shfrytëzimin efikas të kohës, si dhe mënyra e punës nga shtëpia përmes platformave online, gjë të cilën do ta kisha vazhduar edhe gjatë vitit 2021”, thotë ajo.

LEXO »  Sela uron Vjosa Osmanin, Presidenten e Kosovës

Pollozhani shton se shpresat për t’u kthyer në realitetin e mëhershëm mbeten te vaksinimi kundër koronavirusit:

“Ajo që pres nga viti 2021 është një zhvillim dhe shpërndarje e sigurt sa më e shpejtë e vaksinës, që jeta të mund të kthehet në normalitet”.

Edhe Rita Beadini, 23-vjeçare, si aktiviste për të drejtat e njeriut për Radion Evropa e Lirë thotë se pandemia e ka mësuar shumë gjëra, veçanërisht faktin se edhe në vështirësi mund të organizohen aktivitete të ndryshme në të mirë të shoqërisë.

“Gjatë vitit 2020 ka qenë shumë i vështirë organizimi i aktiviteteve të ndryshme. Megjithatë edhe në kushte pandemie, arrita të organizoj aktivitetin që ka të bëjë me grumbullimin e mjeteve mësimore për fëmijët në nevojë nën moton ‘Shtatori këtë mot me çantën plot’. Më duhet të pranoj se ishte shumë i vështirë, si grumbullimi, ashtu dhe shpërndarja e këtyre mjeteve, por ia arritëm”, tregon Rita Beadini, e cila është e angazhuar për detektimin dhe luftën ndaj dhunës së grave, e cila ende mbetet e fshehur brenda mureve të shtëpisë.

“Për vitin 2021 dua të kemi më shumë aktivitete për avancimin e gruas. Të luftojmë që ajo të ketë sa më tepër pozita udhëheqëse, pra të jetë denjësisht e prezantuar në politikë dhe sidomos të arijmë te kemi një sistem funksional që i mbron gratë viktima të dhunës”, thotë ajo.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se është koha e fundit që autoritetet shtetërore të përfshijnë qëndrimet e tyre në politikat e institucioneve të vendit./REL

Lajme të ngjashme

Filipçe: Numri i të infektuarve shënon rënie

PressOnline.mk

Bien investimet e huaja për rreth 40 për qind

Press Online

Karakaçanov: Maqedonasit urrejnë bullgarët dhe shqiptarët, i duan serbët

Press Online

Ora policore dhe masat tjera restriktive mbeten në fuqi edhe një javë

PressOnline.mk

Bastoret në Maqedoni nuk pranojnë të vendosen në distancë 500 metra nga shkollat

PressOnline.mk

Reeker: Maqedonia e Veriut sinjalizoi angazhim për sigurinë globale

Press Online