Lidhu me ne

BOTA

Imamët e dajakut

»

: Botuar më

“Kam parë dhe filmuar shumë fëmijë, disa syresh vetëm pesë vjeç, që ishin rrahur fort, zakonisht të prangosur e të lidhur me zinxhirë, dhe të burgosur pa ushqim e ujë prej sheikëve, ose burrave religjiozë në krye të shkollave”, ka përshkruar gazetari i BBC-së, Fateh Al-Rahman Al-Hamdani, i cili ka dokumentuar tmerret që përjetojnë fëmijët në njërën prej 23 shkollave islamike në Sudan

Gazetari i BBC-së, Fateh Al-Rahman Al-Hamdani, ia ka dalë të futet në njërën prej shkollave sudaneze, në të cilat nxënësit lidhen me zinxhirë si pjesë e masave ndëshkimore nëse nuk i përmbushin detyrat e rënda me të cilat i ngarkojnë.

Hamdani ka përshkruar hollësisht takimin me njërin prej nxënësve pa treguar se është gazetar i BBC-së dhe se synimi i tij ishte që ta shihte me sytë e vet se çfarë në të vërtetë po ndodhte në shkollën islamike, ku nxënësve u mësohet libri i shenjtë i islamit, Kurani.

Ai ka treguar se shkolla që vizitoi, pa treguar qëllimin e shkuarjes, është një prej 23 institucioneve islamike në Sudan, të njohura si “khalva”. Puna e gazetarit kishte nisur para dy vjetësh, duke dokumentuar edhe me pamje gjithçka që po zhvillohej brenda mureve të njërës prej tyre.

Shkolla e torturës

“Kam parë dhe filmuar shumë fëmijë, disa syresh vetëm pesë vjeç, që ishin rrahur fort, zakonisht të prangosur e të lidhur me zinxhir, dhe të burgosur pa ushqim e ujë prej sheikëve, ose burrave religjiozë në krye të shkollave”, ka përshkruar ai. “Disa prej fëmijëve që nuk janë shfaqur në dokumentarin tim më kanë thënë se ishin dhunuar ose se kishin përjetuar forma të tjera të abuzimit seksual”.

Image

Në mbarë vendin llogaritet se janë tridhjetë mijë “khalva”, bën të ditur Qeveria e Sudanit. Ato marrin para nga Qeveria dhe donatorët privatë vendas dhe të huaj.

Hamdami shkruan se fëmijët e mësojnë përmendsh Kuranin. Meqë këto shkolla janë falas, shumica e familjeve i dërgojnë fëmijët e tyre si formë alternative ndaj edukimit shtetëror, sidomos në fshatra të thella, ku nuk ka shkolla që janë nën drejtimin e autoriteteve qeveritare. Fëmijëve u ofrohet aty edhe bujtja. Në shtëpi kthehen vetëm për pushime.

“Për shumë njerëz, shkollat, që operojnë për dekada me radhë, janë element thelbësor i kulturës sudaneze, që shihen si pjesë e identitetit kombëtar”.

Sidoqoftë, viteve të fundit, xhirimet e fëmijëve të rrahur në shkolla janë ndarë në mediat sociale, dhe ka pasur shumë raportime në mediat vendase të imamëve të akuzuar për përdhunim në këto shkolla fetare. Mediat, qeveria dhe organizata për të drejtat e njeriut i kanë injoruar këto akuza.

Shpalosja e së vërtetës

“Doja të ekspozoja se sa i përhapur është abuzimi, dhe t’u jepja zë atyre që nuk kanë pasur rastin t’i ndajnë historitë e tyre. Dhe pata përvojat e mia. Si tinejxher, ndoqa një ‘khalva’. Çdo ditë është një proces gjykimi për t’iu shmangur rrahjes nga mësimdhënësit”, ka shkruar Handami.

Image

Ai ka përshkruar hollësisht se si është dashur fillimisht të përplasej me anëtarë të familjes dhe me miq, të cilët i bënin thirrje që të mos i futej kësaj beteje, por ai kishte ndarë mendjen se duhej të dëgjoheshin këto dëshmi të tmerrit. Shumëkush i kishte kujtuar se si dokumentimi i këtyre shkeljeve do të mobilizonte imamët e shkollave dhe zyrtarët qeveritarë që ta akuzonin atë si pjesë e një “komploti perëndimor për të sulmuar edukimin fetar”.

Ai tashmë kishte disa muaj qëkur kishte nisur xhirimet tinëz, para se të arrinte marrëveshje me transmetuesit publikë britanikë, BBC. Zgjodhi që punën ta niste në shkollën “Haj el-Daly”, ku i ishte thënë se po kryheshin shumë shkelje. Ai u ishte bashkuar besimtarëve që ishin futur në xhami për të kryer namazin e drekës, njëherësh duke përdorur celularin për xhirime sekrete.

Namaz me zinxhirë

Dhe me të rënë në gjunjë do të habitej kur do të dëgjonte jehonën e pazakonshme në atë mjedis qetësie. “Zemra desh mu ndal në vend. Hapa sytë dhe pashë fëmijë me këmbë të lidhura me zinxhirë, të prangosur si kafshë”. Me t’u kryer namazi, fëmijët u shprangosën. “Por derisa po largohesha dëgjova britmat e qarjet”, ka kujtuar Al-Handami.

Më pas do të shkonte në një dhomë ngjitur, ku do të shihte një fëmijë të strukur që po dëneste. Këmbët i kishte të lidhura me zinxhirë. Aty do të niste të xhironte tinëz. Ai ishte Ahmedi.

“Ai më tha se donte të kthehej në shtëpi. U mundova t’i jepja zemër, por dëgjova zërat e imamëve që po afroheshin, ndërpreva xhirimin dhe ia mbatha nga ‘khalva’”.

Por ai do të kthehej në xhami me qëllim që të merrte vesh më shumë hollësi se çfarë po ngjante në faltore. Një nxënës më i rritur, e kishte vërejtur se Handami po xhironte, duke i paralajmëruar imamët, të cilët iu kthyen dhe e kërcënuan.

Menaxhmenti i medresesë e ka njoftuar BBC-në se tashmë është një sheik, i cili është vënë në krye të shkollës dhe se rrahjet e prangosjet janë ndalur.

Kujtimet e dokumentuesit të abuzimeve

Handami ka kujtuar në shkrimin e gjatë edhe historinë personale, si një prej viktimave të abuzimit në shkollat islamike, ku nuk zgjidhen mjetet për të arritur qëllimin e shkollës. Përplasja me sheikun e shkollës së Ahmedit ia ngjallu atij kujtimet e kohës kur vetë kishte ndjekur mësimin në shkollë të ngjashme. Gjithçka kishte nisur me entuziazëm të madh kur ishte vetëm 14 vjeç në ditën e parë të shkollës. Mezi kishte pritur të zbardhte dita për të veshur “xhalabijën” – uniformën tradicionale të medresesë – por me të hyrë në shkollë do ta kuptonte se pritjet ishin krejt të kundërta. “Pashë se fëmijët dukeshin të frikësuar prej sheikëve dhe mësimdhënësve”.

Image

Abuzimi nisi që në orët e para mësimore të ditës së nesërme, kur ende pa u ngritur nga shtrati, nxënësit do të rriheshin nga sheikët. “Kështu padyshim se do të ngriheshim”, ka treguar Handami, i cili do të vuante për një muaj me radhë torturat e përditshme. Me t’u kthyer në pushimin e parë në shtëpi, do t’u rrëfente prindërve për torturat dhe do t’u thoshte se nuk dëshironte të kthehej.

“Ata nuk ishin të lumtur pse po i lija studimet, por nuk më detyruan të kthehesha”, ka treguar ai.

Megjithatë, tani kur iu kthyen këto kujtime, e kishte më të vështirë të vazhdonte punën e dokumentimit, por dëshmitë ua ka dorëzuar Reporterëve Arabë të Gazetarisë Hulumtuese (ARIJ), që pastaj e lidhën me program arab të BBC-së.

Ndikimi i dokumentarit

Redaktori në Londër e lidhi me producentin Mamdouh Akbik. Ai ishte me prejardhje siriane. Dhe kështu do të krijohej një hartë, për të parë shtrirjen e këtyre abuzimeve në mbarë Sudanin. Në disa prej rasteve, familjet kanë treguar se fëmijët kishin vdekur, por nuk diheshin arsyet. Shumë familje mendojnë se imamët ua dëshirojnë fëmijëve më të mirën dhe se “gabimet” mund të ndodhin. Handami dokumentoi edhe krimet e imamëve ndaj fëmijëve nëpër medresetë e Darfurit, ku ende jeton familja e tij.

“Filmi ka pasur ndikim të madh në Sudan. Familjet në qendër të hetimit tonë janë vërshuar me oferta financiare, me përkrahje legale dhe emocionale nga njerëzit në bashkësitë e tyre dhe nga e mbarë bota”, ka treguar Handami. Qeveria sudaneze është zotuar se do të merren masa. Ministria sudaneze për Çështje Fetare ka thënë se më nuk do të ketë “rrahje, torturë, abuzim të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve tash e tutje” brenda medreseve.

“Por, ne ende duhet të presim ndonjë ndryshim real”, ka thënë Handami. “Të gjitha këto janë shenja se Sudani po merret me fantazmat e së kaluarës së tij të afërt, por prania e mijëra fëmijëve, të lidhur me zinxhirë dhe të abuzuar nëpër ‘khalva’, vazhdon të mos i ndahet vendit. Se a do të reagojë Qeveria, do të jetë test i vullnetit të saj për të sfiduar establishmentin e fuqishëm fetar në Sudan”.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme