Lidhu me ne

MAQEDONI

Maqedonia bëhet gati të nisë vaksinimin kundër COVID-19

»

: Botuar më

Dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit të ri, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë në muajin shkurt. Kontingjenti i parë do të ketë 5.850 doza të vaksinës.

Autoritetet maqedonase kanë thënë se në total, nga kompania amerikane Pfizer, kanë siguruar 833 mijë doza të vaksinës, të mjaftueshme për vaksinimin e 400 mijë qytetarëve. Shkupi zyrtar është po ashtu pjesë e programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra dhe Maqedonia e Veriut pritet të marrë vaksina edhe nga ky program.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut përmes një njoftimi për media kanë thënë se shteti ka nisur me kohë përgatitjet për vaksinimin kundër koronavirusit dhe se tashmë është bërë gati edhe infrastruktura.

Infektologia Arlinda Osmani thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo dëshiron që të jetë ndër të parat që do të vaksinohet kundër koronavirusit, pasi sipas saj, kështu do të ndihej më e sigurt për veten, familjen, por edhe për pacientët.

“Po, do ta marr vaksinën pasi të kem kontrolluar sistemin imunitar. Kjo është e nevojshme sepse ne mjekët këtu tërë kohën jemi me pacientët e sëmurë nga virusi i ri”, thotë Osmani, e cila punon në Klinikën Infektive në Shkup, aty ku trajtohen pacientët me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

Osmani thotë se është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me respektimin e masave kundër COVID-19, pasi sipas saj, shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të jenë të mbrojtur nga kjo sëmundje, vetëm pas arritjes së imunitetit kolektiv. Ajo po ashtu thekson se lajmet e rreme që ndërlidhen me vaksinimin, po nxisin qytetarët që të hezitojnë që të marrin vaksinën kundër koronavirusit.

“Duke pas parasysh impaktit që dha kjo sëmundje unë mendoj se ia vlen të vaksinohemi edhe pse përqindja e efekteve anësore mund të jetë shumë e ulët kundrejt problemeve që i shkakton kjo sëmundje, përkatësisht infeksioni me COVID-19”, tha ajo.

Ndërkaq, mikrobiologu Nikolla Panovski nga Fakulteti i Mjekësisë thotë se sa i përket masave për ta frenuar përhapjen e koronavirusit, ka pas ndërhyrje edhe të politikës, që sipas tij, këto ndërhyrje kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

“Liderët politikë, madje dhe ata fetarë në masë të caktuar e kanë shfrytëzuar krizën për përfitimin e tyre, në periudha të ndryshme gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që personeli mjekësorë në vazhdimësi ka qenë nën presionin për të menaxhuar situatën, përkatësisht numrat në rritje. Kjo nuk duhej toleruar, por fatmirësisht së fundmi të gjithë e kanë kuptuar seriozitetin e COVID-19”, thotë Panovski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 2020 ka regjistruar mbi 83 mijë raste. Prej tyre, mbi 2,500 pacientë kanë vdekur.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme