Lidhu me ne

KULTURË

Xhemil Tagani – aktori i thjeshtësisë sublime

»

: Botuar më

Vetëm 24 vjet zgjati karriera e tij skenike dhe kinematografike, por breza të tërë u rritën me interpretimet e tij fine. Pos roleve të shumta në dramaturgjinë kombëtare, Xhemil Tagani shkëlqeu edhe në kinemanë shqiptare me rolin e priftit te komedia e shumënjohur “Përrallë nga e kaluara” (1987), si dhe të beut te filmi “Tokë e përgjakur” (1976)

Breza të tërë filmdashësish e kanë ende të fiksuar priftin Sotir, gërnjarin e fshatit që ngarend fare pak pas punëve të perëndisë e më shumë pas intrigave. Por, komedia “Përrallë nga e kaluara” nën regjinë e Dhimitër Agagnostit ishte veç një nga interpretimet e paharruara të Xhemil Taganit. Përgjatë një karriere të shkurtër, por të bujshme, ai interpretoi mbi 70 role skenike dhe kinematografike.

Mëngjesin e së hënës, Tagani është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare në banesën e tij në Tiranë. Teksa kumti i pikëllimtë është bashkëndarë nga familjarë, miq e dashamirë në mediat sociale, arti skenik dhe ai kinematografik ka përjetuar edhe një tjetër humbje të brezit të artë.

Tagani është vlerësuar për aftësitë e tij organike për të krijuar karaktere të mëvetësishme duke spikatur anët komike e sarkastike të tyre me vese, huqe e mangësi të tjera. Interpretime të kësaj fryme janë cilësuar shfaqjet “Fytyra e dytë”, “Nën dritat e skenës”, “Duke u gdhirë viti 145”, “Monserrati”, “Komunistët”, “Shtëpia me dy porta” e të tjera performanca skenike.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit të njohur të Teatrit Kombëtar, Xhemil Tagani”, thuhet në njoftimin mortor të Teatrit Kombëtar.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti e ka vlerësuar shuarjen e aktorit si një tjetër humbje për skenën dhe ekranin shqiptar.

“Xhemil Tagani, aktori i karaktereve të spikatura u nda nga ne. Mes dhjetra rolesh do të mbetet i paharruar me interpretimin e tij te ‘Përrallë nga e kaluara’, një nga filmat më të dashur të shqiptarëve! U prehsh në paqe!”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Gazetarja shqiptare në Itali, Alba Kepi e ka cilësuar si lajm të trishtë shuarjen e Taganit.

“Lamtumirë o njeri i mirë e aktor i madh, fjalurti i thjeshtësisë sublime që rrallë gjen dje e sot”, ka shkruar Kepi.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, e ka cilësuar si “mjeshtër të shkëlqyer të roleve episodike dhe i karaktereve në kinema e teatër”.

Regjisori nga Presheva, Kastriot Saqipi i është rikthyer një historie të vitit 1992 kur kishte mësyrë azilin në Gjermani. Në një shkrim në llogarinë e tij në “Facebook”, ai ka evokuar takimin me një “burrë të urtë” që qëlloi të ishte vetë Xhemil Tagani.

“[…] E kuptoi mërzinë time, më kapi për qafe e më çoi në dhomën e tij, nxori një kasetë VHS nga sirtari i tij, e lëshoi filmin ‘14 vjeç dhëndër’ “, ka treguar Saqipi duke kujtuar se si Tagani me lot në sy i kishte kujtuar se ishte aktori që e kishte interpretuar priftin në komedinë e njohur.

Kujtime të ndjera për kolegun ka bashkëndarë për publikun edhe aktori i njohur elbasanas, Astrit Çerma. Ai e ka përkujtuar shëmbëlltyrën e tij me të qeshurën e çiltër kudo mes miqsh.

“Ikja duke lënë pas një seri rolesh në teatër dhe në kinematografi që gjithnjë e gjithnjë do të na e sjellin pranë, ashtu siç vinte me ata sy që i shkëlqenin nga ai shpirt i çiltër fëmijëror”, ka shkruar Çerma.

Sipas një jetëshkrimi të shkurtër të afishuar nga Teatri Kombëtar, Xhemil Tagani u lind në Tiranë më 6 shkurt 1945. Mbaroi studimet në degën e dramës pranë Institutit të Lartë të Arteve më 1967.

Viti pasues shënoi debutimin e tij si aktor në të asokohshmin Teatri Popullor derisa doli në pension (1992). La gjurmë me rolet e tij të arrira si Samiu te “Kështu të dua”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Peç Mblloçi te “Lumi i vdekur”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Thomai te “Nën dritat e skenës” , Alqi tek “Studentja e vitit të fundit”, Reizi tek “Duke u gëdhirë viti 1945”, Agroni tek “Shokët”, Uçi tek “I pazëvendësueshmi” e tjerë.

Tagani u varros pasditen e së hënës në varrezat e Tufinës në Tiranë.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

Lajme të ngjashme