Lidhu me ne

KULTURË

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë drejt rikthimit në destinacion turistik

»

: Botuar më

Kur flaka e arsimit shqip ndriçoi Korçën, aty ku u hap e para mësonjëtore shqipe në katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare, poeti kombëtar Naim Frashëri endi vargjet e paharrueshme: “Lumja ti moj Korçë o lule/ Q’i le pas shoqet’ e tua! / si trimi në ball’u sule/ Ta paçim përjetë hua!” Ndërtesa dykatëshe e Mësonjëtores së parë shqipe – që e dhuroi filantropi Diamant Tërpo – i është nënshtruar restaurimit të plotë në kuadër të projektit për muzealizimin e Muzeut të Arsimit. I nisur para më shumë se tre muajve, me fonde të Ministrisë së Kulturës, projekti synon të nxisë vizitorë nga vendi e bota në Korçë

Është vetëm një ngrehinë dykatëshe, por prania e saj hijerëndë përkap vëmendjen e secilit që çatis në bulevardin e Shën Gjergjit në Korçë. Edhe sikur të mos jetë pllaka e ngjitur në kangjela dhe skulptura e “ABC”-së në oborrin e vogël, shtëpia e rilindësit Diamant Tërpo hyri në histori si vendi ku u lejua për herë të parë një shkollë shqipe më 1887.

Godina historike, me të cilin nyjëtohet historia e arsimit shqip, tashmë i është nënshtruar restaurimit të plotë. Lajmin e ka dhënë të martën ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka njoftuar për projektin që kishte nisur në vjeshtën e vitit të kaluar.

“Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Sipas dosjes së konkursit publik “Muzealizimi i Muzeut ‘Mësonjëtorja e parë shqipe’”, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale më 14 shtator të vitit të kaluar kishte miratuar projektin për muzealizimin e “Muzeut të Arsimit Korçë” me projektues “iRI”.

Kontrata në vlerë mbi 5 milionë lekë ( rreth 40 mijë euro) parasheh suvatim të murit të jashtëm, shkallë betoni, pllaka guri, hidroizolim të murit, zhvendosje dhe restaurim të skulpturës “ABC”, stola të rinj betoni me ulëse druri, sipërfaqe të gjelbëruar, ndriçim si dhe sistem shkarkimi të ujërave të shiut.

Një goditje jo të vogël për ndërtesën e mësonjëtores së parë shqipe dha tërmeti i 1 qershorit të vitit 2019. Pas dëmeve serioze që pësoi, Muzeu Kombëtar i Arsimit u detyrua të mbyllte dyert për vizitorët.

Fill pas kësaj, Drejtoria Rajonale e Kulturës kishte ndarë një fond prej 30 milionë lekësh për rikonstruksionin e saj.

Në Korçën me 6 muze, objekti dykatësh vlerësohet si një prej pikave që tërheq më së shumti vizitorë nga vendi e bota.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kultorore (IKRTK), ndërtesa e mësonjëtores së parë shqipe i përket periudhës së Rilindjes (1831-1912)

“Ndërtesë e formës dy kate, konstruksion e muraturë guri, dyer e dritare druri, fashaturë druri, konsull në pjesën qendrore, hajat në katin e dytë, çati me tjegull vendi e avlli me kangjell hekuri”, thuhet në përshkrimin e IKRTK-së,

Po sipas të njëjtave shënime, “Mësonjëtorja” është shpallur Monument Kulture me 10 qershor të vitit 1973 me vendimin nr. 1886 nga Ministria e asokohshme e Arsimit dhe Kulturës në Shqipëri.

Në të vërtetë, ndërtesa kishte marrë statusin e “Muzeut Kombëtar të Arsimit” më 1967, duke u plotësuar me lëndë historike nga etapat kryesore të përpjekjeve për shkolla në gjuhën shqipe. Brenda ndërtesës me tetë mjedise ekspozimi janë shpalosur botime të vjetra në gjuhën shqipe duke filluar me abetaren e parë shqipe të Naum Panajot Bardhit (Veqilharxhi), fotografi, alfabetet e përdorura para 1908-s, etj.

Falë përpjekjeve të Naim Frashërit dhe rilindësve të tjerë të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” ishte siguruar më në fund një leje nga sulltani për hapjen e një shkolle private shqipe në Korçë. Me mbështetjen entuziaste të mërgatës shqiptare në Rumani, mësonjëtorja do të hapej më 7 mars 1887 në shtëpinë që e dhuroi atdhetari, Diamant Tërpo. Që në ditët e para, drejtori Pandeli Sotiri dhe bashkëpunëtorët e tij, Petro Nini Luarasi dhe Thanas Sina, u ndeshën me pengesa nga autoritetet osmane dhe Patriarkana e Stambollit.

Porta e Lartë kishte dhënë leje që vetëm fëmijët e krishterë të mësonin në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën kësaj ndalese dhe mësimin e vijuan edhe fëmijë nga familjet myslimane.

Si pasojë e represionit osman, Mësonjëtorja e Korçës u mbyll në vitin 1902. Derisa në këtë qytet toleroheshin me të madhe shkollat greke, administrata osmane arrestoi mësuesit Leonidas e Naum Naçi me akuzat për tradhti shtetërore, derisa të njëjtin fat patën edhe arsimdashësit e tjerë si Vani Kosturi, Spiro Kosturi, Thimi Marko e Orhan Pojani. Kërkesat e pandalshme të rretheve patriotike bënë që ajo të rihapej në vitin 1908, por autoritetet osmane do ta mbyllnin sërish më 1912.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

LIFESTYLE

TECH & AUTO

MË TË LEXUARAT