Lidhu me ne

KULTURË

Mandrica – fshati shqiptar në Bullgari

»

: Botuar më

Në ditët më të mira në Mandricë jetonim mbi tre mijë banorë. Ndërsa sot kanë ngelur më pak se 40, nga të cilët vetëm 10 janë banorë rezidentë. Të tjerët e kanë braktisur përgjithmonë. Por ata që janë aty a që kthehen kohë pas kohe, s’i kanë braktisur gjuhën, identitetin, rrënjët e tyre shqiptare

Është një nga fshatrat në dukje të qeta, në skajet më jugore të Bullgarisë. Në të djathtë të bregut të lumit Byala, që vjen prej Rodopeve, është Mandrica me një histori shqiptare që e ruan edhe sot. Është vendi për të cilin thuhet se u themelua në gjysmën e dytë të shekullit të 17-të. Aty ku dikur gëlonte gjallëria e njerëzve. Sot kanë mbetur veçse disa dhjetëra banorë shqiptarë.

Një copë historie e fshatit, e rrëfimet e banorëve të Mandricës, janë shpalosur në dokumentarin “Mandrica – fshati shqiptar në Bullgari” i shfaqur premierë në Kohavision të premten mbrëma. Dokumentarin mund ta shihni duke klikuar KËTU 

Në ditët më të mira në Mandricë jetonin mbi tre mijë banorë. Ndërsa sot kanë ngelur më pak se 40, nga të cilët vetëm 10 janë banorë rezidentë. Të tjerët e kanë braktisur. Përgjithmonë.

Por jo edhe Sulltana Aleksandrova Gramenova. Flet dialektin e katundit, atë lloj toskërishteje që e trashëgoi prej të parëve.

“Deri kur t’ mund o t’rrojmë këtu”

Gati nëntë dekada jetë mbi supe nuk e kanë mpakur fuqinë e plakës e cila thotë bindshëm se do të jetë në Mandricë: “Deri kur t’ mund o t’rrojmë këtu”.

“Sohem Sultana Aleksandrova jam pjelltur këtu d’ Mandrica, këtu kam rriturë, këtu kam martuarë, këtu kam bënë kazanë. Kam tri kazanë, dy çupëza dhe një djalë – janë martuar gjithë kamë vnuçka, pravnuçka – jam 88 vjeç – shykyr të perëndisë jam mirë, mbahem, punojsë nga cingëzë – jam shumë mirë”, thotë shqiptarja Gramenova.

E këta pak banorë që kanë mbetur, kujtimet i kanë të zbehta dhe shpesh thonë rrëfime të ndryshme për fillet dhe të parët e këtij vendbanimi. Sipas asaj që ka dëgjuar, plaka Gramenova tregon se këto toka iu falën stërgjyshërve nga sunduesi i kohës, pasi kishin ndërtuar një xhami në qytetin e Edrinës së sotme, Adrianopoja e dikurshme.

Me sytë që i tretën në kujtime, ajo tregon se si “Albanci përpara 400 vjeç paskan jerdhur këtu nga Korça, nga Vithkuqi, ato ardhne shkipëtarët demek ata Arnaute jerdhën kanë këtu mirë ama të mbeteni në Mandrica”.

“Nga Vithkuq paskan ardhur ato shkipëtare këtu, edhe këna varfëra bota mirë ama turkut bej shënka hin do të veni të punoni në qytetin e Edrines, në qytet të punojnë zënka hin një xhami, a te bëjnë bukur atë xhami o të marrin këtu në fshat mirë ama ato klekan shumë të bukura mjeshtëra dhe atë xhami e bëkan shumë bukur, shumë bukur e bëkan atë xhami e pastaj ai turkut bej i thënka do të veni në Mandricë o tarashitni naj bukur vend”, tregon Gramenova mikpritëse në një takim gjatë vizitës se ekipit të KOHËS në korrikun e vitit 2019.

Në fjalët e saj, me gjithë moshën e shtyrë, është edhe krenaria për atë që e ruajtën për qindra vjet. Sepse, siç e thotë në shqipen e saj, “glufa ka mbajture, nuk kemi ne shkrojtur as do ge, ama glufënë e dimë si neve nga dadorat nga baborat dhe e mbamë. Gjerë jemi neve gjalle, o të kemi glufënë, neve kur vdesmë, kazantë nuk dinë tonë glufë dhe mund të batisë”.

Image
“Deri kur t’mund o t’rrojmë këtu”, thotë Sulltana Aleksandrova Gramenova, njëra nga banoret më të vjetra e më të njohura të Mandricës

Rrëfime si këto banorët nuk i kanë të shkruara, por i kanë bartur brez pas brezi në shqipen e fshatit. Ka pak edhe shënime për ta. Por anash historiografinë, copëzat e këtyre rrëfimeve kur bashkohen janë dëshmi e gjallë. Jo vetëm për rrugëtimin e këtyre shqiptarëve, por për ngulimin e tyre në ruajtje të gjuhës, identitetit. Në portretet e bisedat me ta, përvijon malli. Ai mall për një vend që vetë ata s’e kanë vizituar. E ruajnë si një lloj përfytyrimi.

Ambasadorja e Shqipërisë në Sofje, Donika Hoxha, thotë se druan që me vdekjen e banorëve në moshë do të marrë fund edhe një traditë e pasur e shqipes së folur, si dhe traditave e zakoneve të mbijetuara gjer më sot.

“Nga Vithkuq paskan ardhur ato shkipëtare këtu, edhe këna varfëra bota mirë ama turkut bej shënka hin do të veni të punoni në qytetin e Edrines, në qytet të punojnë zënka hin një xhami, a te bëjnë bukur atë xhami o të marrin këtu në fshat mirë ama ato klekan shumë të bukura mjeshtëra dhe atë xhami e bëkan shumë bukur…”, thotë Sulltana Aleksandrova Gramenova

“Është sigurisht impresionuese se si kanë arritur ta mbajnë atë gjuhë, por nga ana tjetër më vjen keq për depopullimin e fshatit”, thotë Hoxha.

Por pavarësisht shpopullimit dhe shtëpive që braktisen çdo ditë, Mandrica jep shenja se diçka po rilind.

Ivajllo Petrov s’e di shqipen, por atë e ka ruajtur në emrin e biznesit të tij.

Image
“Bukur shtëpi”, eko-kompleksi që ruan emrin shqip

“Nëna ime është nga Mandrica. Jam rritur në fshatin e Mandricës. Fëmijërinë e kam kaluar këtu dhe prandaj jam aq fort emocionalisht i lidhur me Mandricën”, thotë Petrov, pronar i eko-kompleksit “Bukur shtëpi”. Emri i këtij konaku i hapur për të gjithë është shkruar në cirilikë me shkronja ngjyrë ndryshku.

Si të ishte shkruar në skenar, mbi kulmin e “Shtëpisë së bukur” janë të shpeshta skenat kur ndalen lejlekët. Është si një lloj shenje që ilustron mandricasit – veçmas ata të gjeneratës së re – që shtegtojnë në vende të tjera, por prapë kthehen këtu. Ose, duhet të kthehen këtu, në shtëpinë e tyre.

Petrov, një mezoburrë me ide të kthjellëta jo vetëm për biznes por edhe për të mirën e vendit të tij, i ka të gjalla në mbamendje ditët kur fshati ishte i gjallë, kur jetonin shumë familje me plot fëmijë.

“Më kujtohet biblioteka lokale, furra e bukës shumë të mirë, spitali, shërbimi i urgjencës mjekësore, kabineti i dentistit. Kishte shkolla fillore deri në klasën e tetë dhe të mesme, kishte konvikte për nxënësit të cilët vinin nga fshatrat përreth dhe flinin, sepse kjo ishte shkolla kryesore ku ndiqnin mësimet”, tregon Petrov në bullgarisht, sikur përpara t’i dilnin fotografi të moçme, bardhezi në teknikë, por me shumë ngjyra në kujtesë për një realitet të tillë nga kohë e shkuar.

Thuhet se fshati është themeluar në vitin 1636, banorët e anës e thonë këtë bazuar në mbishkrimin e gjetur në varrezat e kishës “Shën e diela”. Për katër shekuj banorët e Mandricës s’e kanë njohur dorën e shtetit amë. Vizita e korrikut 2019 për ta, por edhe për ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës merr kuptim historik

Përtej tregimeve në kujtesën e banorëve, historia shqiptare e fshatit ruhet në kishën “Shën e diela”. Në mungesë të priftërinjve, Gramenova kujdeset për kishën.

“Kur vi diela, kur vi kremne, o t’ vemi o klishë, nga klisha nuk kemi prift ama vemi në klishë, e hapmë klishën andaj pastaj vemi do mirë këtë e bëri Ivayla këtë hotel qe këtu vemi pimë nga një kafe me baboratë të shkoi koha dhe od hamë bukëze od bjemë i cingëzë të flemë. Atë bëjmë – në gradinka do dalmë jashtë, dhe gradinka kemi të vini të shihni gradinkën kam një tokë madhe gradinkë”, tregon ajo për kopshtin.

Ndonëse Maria Stoençeva, një tjetër banore e fshatit e paralajmëron se mund të pandehet se në mos ka rast vdekjeje në fshat, Sulltana qesh dhe i bie kambanës, ani pse në atë mënyrë e kohë ajo dëgjohet veç për mort. Është pikërisht ajo që, në mungesë të priftërinjve, kujdeset për kishën.

“Klisha është e vjetër klishë a lart mi është Sveta Nedelja i thojnë – këtë kemi një kor”, nis e tregon Gramenova një grimë historie.

Por ka diçka që e lidh me jetën e dikurshme në fshat.

“Katër priftë këtu e ka një kohë se shumë bota…”, thotë ajo tek tregon se duheshin aq, sepse dikur kishte shumë “botë” që në variantin e shqipes së tyre përdoret për njerëz, banorë. Ishin katër mëhallë. “Katër mahalla, katër priftirnjë”, thotë si për ta konfirmuar teksa shoqes së saj, si kërcënueshëm i thotë se kur ajo të vdesë, punët e kishës u barten atyre. Maria e rrotullon muhabetin.

“Në gjithë klemëra vimë në klishe. Pastaj vemi në ‘Bukur shtëpi’, në kafe vemi”, thotë në buzëqeshje.

Image
Mandricaset me veshje tradicionale para kishës së fshatit

“Bukur shtëpi” është nikoqire e vendësve që kanë mirëpritur mysafirë nga Kosova e Shqipëria.

“I vetmi motiv që më nxiti ta bëja atë ishte mundësia për të pritur dhe për të strehuar turistët të cilët do të vinin në fshatin Mandricë. Rregulli i parë dhe themelor i turizmit është t’i sigurosh ushqim dhe strehim mysafirit”, thotë Ivajllo Petrov. Ushqim e pije ka më bollëk. Këngë e rrëfime po ashtu. Për Petrovin nuk ishte punë e lehtë ta hapte biznesin. Por vullneti ishte i madh.

“Patëm shumë vështirësi gjersa e arritëm. Jam i mendimit se ndërtimi i kësaj baze, këtij eko-kompleksi çoi në përmirësimin e infrastrukturës duke e kthyer Mandricën jo thjesht në një pikë të arritshme të hartës, por dhe në një vend turistik”, thotë ai.

Viteve të fundit fluksi i turistëve në fshatin e Mandricës shkon rreth shtatë-tetë mijë dhe Petrovi thotë krenueshëm se “kjo është gjë e mrekullueshme”. “Ne arritëm t’ia tregojmë Mandricën gjithë Bullgarisë”, thotë ai. Mandrica është e njohur në të gjithë vendin. Po është larg të qenit destinacion i njohur për vizitorë nga Kosova, Shqipëria apo diaspora shqiptare.

Sipas, Edon Cana, asokohe ambasador i Kosovës në Sofje, eko-kompleksi “Bukur shtëpi” mund të bëhet një pikë e mirë për vizitat nga nxënësit shqiptarë.

“’Shtëpia e bukur’ është një hap shumë i rëndësishëm në ekzistencën e vetë Mandricës, andaj do të shikojmë se si do të bashkëpunojmë dhe do të ishte mirë që edhe fëmijët tanë të vijnë këtu në një vizitë”, thotë ai besimplotë që një ditë edhe fëmijët e Mandricës do të kenë mundësinë të vijnë në Kosovë e Shqipëri.

Petrov nuk përton ta përsërisë emrin shqip të shtëpisë së tij.

“Shumë njerëz e bëjnë pyetjen pse, tingëllon shumë ndryshe, vështirë mbahet mend, por më pas i përshtaten atij, meqenëse emri është aq unik, kollaj mësohet dhe në fund, të gjithë e dinë çfarë do të thotë ‘Bukur shtëpi’”, thotë Petrov.

Banorët kanë qejf që mysafirin ta presin në shtëpi. E natyrshme që Sulltana Gramenova, banorja më e popullarizuar e fshatit, ngulmon. Ta takosh këtë grua medoemos duhet t’i shkosh në konak. Mirëpret në shtëpinë e saj të gjithë vizitorët derisa dëshiron të ndajë historinë e Mandricës me media e vizitorë që ndalen në fshat në kohë të ndryshme. Kryesisht verës. Mirëseardhjen e bën me një gotë verë dhe piten me vezë e djathë që ajo e gatuan pothuaj çdo ditë.

“Në dimri është mirë, nuk bie shumë dëborë, ngroftë është koha, e mi druza kemi, sobëzat i bëjmë… nuk është shumë ftoftë. Jemi si këtu”, thotë ajo. “Peta, me djath edhe me kokove – Gëzuar!”

Georgi Angelov Kadenkov, 92 vjeç – është bashkëfshatar i Sulltanes. Ndryshe nga Sulltana, Georgi në Mandricë i kalon muajt verës.

“Ama këtu është mirë, nuk ka automobile, shumë bukur o dhe nuk është vapë”, thotë Kadenov.

Banorëve të këtushëm duhet shkuar për vizitë në shtëpi. Edhe pse të shtyrë në moshë gjithë secili janë vital.

As Sulltana e as Georgi nuk kanë qenë në tokën e të parëve. Madje kanë shumë pak informacion për të.

“Nuk kam vatë, ndonjëherë do vete – do vijnë ke Shkipëria – Korça, shumë e bukur është ama det nuk kishte – nuk është deti pranë… A kështu, kështu kodra, me kodra”, konstaton e pyet Kadenov që do të dijë më shumë për Korçën, Shqipërinë, vendin e të parëve të tij.

Lumenjtë e Mandricës

Mandrica ndër shekuj ka pasur ditët e mira dhe të vështira. Për koincidencë është e shtrirë mes dy lumenjve. Njëri quhet Lumi i Bardhë e tjetri siç i thonë banorët “I marrës lumë”. Ai nuk i ndan vetëm me Greqinë, por edhe Mandricën.

“Bardhë lumë, po tjatri lumë ke ni ndanë me grektë … e thojnë ‘I marrës lumë’ në dimrës kohë shumë ujë mbles” dhe ni nda me grektë”, thotë Maria Stoençeva. Pjesa greke e Mandricës u bë Mandres. Aty shqiptarët e dikurshëm u asimiluan.

“Ato kë ke vanë ke greku nga Mandrica, zallahinë pas neve, gjithë zallahinë dë Mandres janë. Në 1913 fshati ndahet në dy dhe gjysa fshat vete dë greku dhe atje bëjnë një fshat Mandres dhe ata zallahinë pas neve”, zallahinë ajo. “Nuk thonë që janë shqiptarë ama zallahinë pas neve – plektë janë pjella këtu” – bile i gjenë gurat lartë te varret”. Thotë se banorët e Mandres kur dalin në Mandricë flasin me ta në shqipen e tyre të përbashkët.

“Neve nuk dimë gërkisht ata nuk dinë shkrelisht”, thotë Katerina Ilieva, shoqe e Maries. “Shkrelisht” është fjala për bullgarisht. “Ashtu thonë që janë greke, ama tonë gluhë e zallahinë. Bile më bukur nga neve e zallahinë. Ca fjala më bukura i thonë”, shton Ilieva.

Thuhet se fshati është themeluar në vitin 1636, banorët e anës e thonë këtë bazuar në mbishkrimin e gjetur në varrezat e kishës “Shën e diela”.

Mandrica ndër shekuj ka pasur ditët e mira dhe të vështira. Për koincidencë është e shtrirë mes dy lumenjve. Njëri quhet Lumi i Bardhë e tjetri siç i thonë banorët “I marrës lumë”

Për katër shekuj banorët e Mandricës s’e kanë njohur dorën e shtetit amë. Vizita e korrikut 2019 për ta, por edhe për ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës merr kuptim historik.

Ndërsa Mandrica ruan ekzistencën e shqipes në ata pak banorë që kanë mbetur, dikur në Bullgari kishte edhe vendbanime të tjera me shqiptarë. Duke u thirrur në burime historike, studiuesit bullgarë thonë se gjatë mesjetës shqiptarët jetonin edhe në vendbanime me emra si Kopilovci, Arbanasi, Çerveda Voda, Poroishte e të tjera.

“Kjo është vizita ime e parë këtu”, thotë Donika Hoxha, e cila kur e vizitoi Mandricën në korrikun e vitit 2019 kishte tetë muaj si ambasadore e Shqipërisë në Sofje. Zyrtarisht Kosova ka qenë një hap më parë në këtë drejtim.

“Dua ta falënderoj ambasadorin paraprak të Kosovës në Bullgari, z. Kallaba – ai ishte dy herë këtu zyrtarisht, kështu që Kosova ka qenë proaktive me këtë fshat, por ka munguar ky proaktiviteti nga ana e Qeverisë shqiptare më herët dhe tani mendoj që jemi në një hap të duhur, sepse kemi edhe zyrtarë nga Agjencia për Diasporë i shtetit shqiptar. Do të shikojmë ta krijojmë një plan veprimi me Shqipërinë dhe të shohin se si do të veprojmë më tutje”, thotë Edon Cana, ambasador i Kosovës në Sofje

Në pritje të rilindjes

Shqipëria dhe Kosova mund të luajnë rol kyç në “rilindjen” e Mandricës. Banorët vendës veprojnë në këtë drejtim, por u duhet ndihmë.

“Është sigurisht impresionuese se si kanë arritur ta mbajnë atë gjuhë, por nga ana tjetër më vjen keq për depopullimin e fshatit”, thotë Donika Hoxha, ambasadore e Shqipërisë në Bullgari

“Unë dhe disa njerëz të rinj nga fshati, duke qenë brezi i fundit, ndihemi përgjegjës të shpëtojmë atë që ka ngelur nga fshati. Ja përse themeluam Shoqatën për Rilindjen e Mandricës, ku me përpjekje të përbashkëta kërkojmë mundësi për të ruajtur atë që ka ngelur nga fshati, të rivendosim atë që është e mundur dhe t’ia tregojmë pjesës tjetër të botës”, thotë Ivajllo Petrov për të cilin “Bukur shtëpi” s’është nisma e vetme e konkretizuar.

“Mendojmë se rruga drejt ruajtjes së fshatit është të sjellim turistë në fshat dhe në këtë mënyrë ta popullojmë atë me njerëz të rinj dhe t’i japim fund shpopullimit të tij të mëtejshëm”, thotë ai.

Për ambasadoren Hoxha është shumë impresionuese që në Mandricë gjetën një investim të mirëfilltë në turizëm siç është “Bukur shtëpi”.

“Do të ishte mirë që ne të vijonim një bashkëpunim me projekte konkrete dhe gjithashtu fokusi do të mbetej tek zhvillimi i turizmit kryesisht në mënyrë që të sjellë mirëqenie në këtë vend të vogël. Këtë mund ta bëjmë duke e promovuar të gjithë së bashku Mandricën, por jo vetëm unë do të sugjeroja që të mos mbetemi këtu – të studiojmë edhe gjuhën e folur të Mandricës, të ftojmë albanologët tanë, të vijnë këtu ta vizitojnë këtë fshat, sepse jam e bindur që është një objekt studimi shumë me vlera të veçanta”, thotë Hoxha.

Mandrica i pret të gjithë. Veçmas shqiptarët. Sepse është fshati i shqiptarëve.

“Tjatrën herë kur do të vini do rrini në shpi, do të flini këtu”, thotë Georgi Kadenkov. Dhe pret përgjigje. /Koha DITORE

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

publicitet

LIFESTYLE

TECH & AUTO

MË TË LEXUARAT