SPORT
Osaka e fiton garën “Australian Open” për herën e dytë

Japonezja Naomi Osaka e ka fituar garën e tenisit “Australian Open”. Në finalen e konkurrencës së femrave, Osaka mposhti amerikanen Jennifer Brady.
Për Osakan është hera e dytë që e fiton garën “Australian Open”, ndërsa është triumfi i katërt në Grand Slame.
23-vjeçarja Osaka mposhti Bradyn me rezultatin 2:0 në sete, 6:4 dhe 6:3 në Melbourne. Osaka e fitoi setin e parë pasi Brady, që luajti për herë të parë në një finale të Grand Slamit, bëri gabime të rënda në momentet vendimtare.
Në setin e dytë, bartësja e tretë e garës, e kontrolloi lojën dhe krijoi epërsi 4:0, për t’iu gëzuar në fund triumfit të merituar.
Osaka i ka dy tituj në “Australian Open”, pasi në Melbourne Park kishte triumfuar edhe në vitin 2019.
Në Grand Slame ka sukses edhe në US Open, ku e fitoi trofeun në vitin 2018 dhe në vitin 2020. Ende nuk ka pësuar disfatë që prej shkurtit të vitit 2020, dhe fitorja ndaj Bradyt ishte e 21-ta rresht.