Lidhu me ne

KULTURË

Arbëreshi me shpirt kosovar

»

: Botuar më

Brenda tij bashkëjetonin në mënyrë harmonioze njeriu i letrave, këngëtari e artisti i madh. Vendlindja e tij në zemër të Kalabrisë, Shën Mitër, mund të duket paksa e pazakontë për këngëtarin që fluturonte shpirtërisht e fizikisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë. Kantautori Pino Cacozza – i njohur me formën më të shqipëzuar edhe si Zef Kakoca – nuk i ka bërë ballë virusit COVID-19, me të cilin luftonte për jetë a vdekje prej fillimit të këtij muaji
Trevave arbëreshe në jug të Italisë nuk iu kanë munguar mendjet e ndritura që frymën e “Motit të Madh” e mbajtën gjallë ndër shekuj. Dhe as këngëtarët që e lartësuan edhe më shumë këtë traditë. Me recitale e grupe artistike që flasin domethënshëm edhe nga emërtimet si “Udhëtimet e Arbërisë” dhe “Rrënjat e Arbërisë”, bilbili arbëresh Pino Cacozza ishte nga ata që kulturën arbëreshe nuk e la vetëm relikt.

Për audiencat e tij ndër arbëreshë e shqiptarë, e shtuna ishte dita që solli mandatën e pikëllimtë. Kantautori Pino Cacozza – i njohur me formën më të shqipëzuar edhe si Zef Kakoca – nuk i ka bërë ballë virusit COVID-19, me të cilin luftonte për jetë a vdekje prej fillimit të këtij muaji.

Ndonëse ishte nën përkujdesjen e mjekëve, gjendja e tij shëndetësore kishte ardhur duke u përkeqësuar edhe më shumë.

“Emigranti i përjetshëm”

Njoftimin për ndarjen nga jeta të artistit arbëresh e ka bërë ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri.

“Pusho në paqe Pino Cacozza! Sot ndiejmë në zemër peshën e rëndë të një humbjeje të madhe! Ndahet nga ne njeriu i dashur për çdonjërin që mbledh flamuri e zemra. Do të ruaj gjithmonë mesazhin e tij, 14 janar ‘21, dhe këngën që më përcillte! Ta kujtojmë përherë!”, ka shkruar diplomatja Bitri në llogarinë e saj në “Twitter”.

Me një dedikim të veçantë, edhe këngëtari nga Kosova, Ilir Shaqiri, ka thënë se flamujt e komunitetit artistit arbëror janë ulur në gjysmështizë me ndarjen nga jeta të poetit dhe kantautorit të njohur arbëresh.

“Zefi la pas vetes shumë këngë të bukura arbëreshe, la përmbledhje poezish të botuara e të pabotuara, la romanin e radhës përgjysmë, la këngë të nisura, ashtu siç la përgjysmë ‘Urën mbi det’, një projekt që e nisëm bashkë viteve të fundit dhe që na lumturonte fort”, ka shkruar Shaqiri në faqen e tij në “Facebook”. “Më fal për këto dy kokrra loti që mu rrokullisën në mjekër…se edhe shqiponjat sot ndalen fluturimin, duke parë shpirtin tënd të bardhë tek merr udhë nëpër qiell”.

Ndarjes nga jeta të artistit arbëresh ia ka kushtuar një tribut edhe qendra artistike e kulturore shqiptare në Piemont, “Margarita Xhepa”.

“Sot ai, arbëreshi kosovar, emigranti i përjetshëm, ‘emigroi’ drejt parajsës! Të jemi përjetë mirënjohës për punën, veprën tënde”, shkruan njoftimi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një postim ka shkruar se artisti, shkrimtari, kompozitori dhe këngëtari gjithë energjitë e tij ia përkushtoi ruajtjes, përhapjes dhe zhvillimit të gjuhës, kulturës, traditave historike dhe kombëtare shqiptare.

“Përfaqësues i denjë i vlerave më të mira të komunitetit arbëresh, kontributi dhe vepra e Pino Cacozzas do të mbeten të paharruara, ashtu siç titullohet edhe një prej këngëve të tij më të bukura ‘Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes’ (Jemi një kulturë, që nuk mund të vdesë), me të cilën fitoi edhe një nga festivalet e Këngës Arbëreshe”, ka shkruar Meta.

Më shumë sesa promovues i traditave të arbëreshëve, Cacozza ishte edhe njohës serioz i kulturës tradicionale të cilën e shihte si pjesë e një spektri më të gjerë të kulturës mesdhetare. Vjershat arbëreshe, sipas tij, “kanë atmosferën e Kalabrisë, meqë këngët u lindën këtu dhe vijat melodike u krijuan mes kalabrezëve”.

“Kalabrezët mund të kenë humbur disa nga traditat e tyre vokale, por ne kemi ruajtur tonat me më shumë fanatizëm, njësoj siç kemi bërë edhe me kulturën, muzikën dhe letërsinë tonë. Deri në fillim të shekullit të 20-të arbëreshët nuk kishin ndonjë kontakt me Shqipërinë dhe ndërveprimet bëheshin vetëm me kulturën dhe popullin kalabrez”, i kishte thënë Cacozza studiuesit të muzikës, Eno Koço, siç e citon ai në librin e tij “A Journey of the Vocal Iso(n)”.

Zëri i traditës së madhe

I lindur më 27 shtator të vitit 1957 në Shën Mitër të Kalabrisë, Giuseppe Cacozza kreu studimet klasike në Kolegjin e Shën Adrianit, në të njëjtin ku mësoi dhe ligjëroi Jeronim de Rada.

Diplomoi për Gjuhët dhe Letërsinë e Huaj në Universitetin e Kalabrisë më 1980, duke mbrojtur temën për veprën e Fan Nolit.

Ka vazhduar punën si profesor i frëngjishtes në Rossano, ku edhe banonte.

Autor, kompozitor e këngëtar, aura e tij artistike është shpërblyer gjashtë herë në Festivalin e Këngës Arbëreshe, në të cilin event ishte drejtor artistik për katër vjet.

Cacozza do të bënte debutimin e parë para publikut shqiptar në fillim të vitit 1977, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ka marrë pjesë edhe si konkurrent në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion, në vitin 1992, ku u radhit ndër vendet e nderit të klasifikimit.

Aktivitetet e tij prej artisti përshkonin gjithë botën arbëreshe, si dhe atë shqiptare. Shumë shpejt ai do të njihej me të drejtë si një nga personalitetet më të shquara të këngës arbëreshe, si dhe promovues i traditave, historisë dhe kulturës së këtyre anëve.

Në jetëshkrimin e tij përfshihet edhe drejtimi i “Arbitalia”, e para gazetë arbëreshe në botën virtuale.

Në vitin 2009, në Napoli, u nderua me “Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Kreativitetin”, nderim që iu akordohet personaliteteve të larta të kulturës mesdhetare.

Ka qenë pjesë e shoqatave të ndryshme, si dhe në institute akademike e institucionale që promovojnë kulturën arbëreshe.

Gjashtë vjet më parë, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e kishte laureuar atë me titullin “Naim Frashëri i Artë”. Në arsyetimin presidencial, titulli ishte dhënë “për vlerat dhe kontributin si shkrimtar dhe kompozitor për të mirën e bashkatdhetarëve të tij dhe përtej, duke mbajtur gjallë një traditë të madhe të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në përgjithësi, kur stërvitja e kohës moderne përpiqet për këto lloj kultura të shkëputura nga fusha e tyre, siç është ajo arbëreshe”.

Cacozza është sprovuar edhe në fushën e letërsisë, ku më 2017 nxori në dritë romanin e tij të parë “La Terra di Yll”. Në po të njëjtin vit ai u bë edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

publicitet
Klikoni për të komentuar

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

op/ed

publicitet

LIFESTYLE

TECH & AUTO

MË TË LEXUARAT