SPORT
Gjokoviqi triumfon për herë të nëntë në “Australian Open”

Tenisti serb, Novak Gjokoviq, ka triumfuar për herë të nëntë në karrierën e tij në Grand Slamin “Australian Open”.
Numri 1 në botë mposhti në finale rusin Daniil Medvedev 3:0 në sete (7:5, 6:2, 6:2).
Për Gjokoviq ky ishte Grand Slami i 18-të i fituar gjatë karrierës.
“I jam përjetësisht falënderues skuadrës sime për gjithë përkrahjen e tyre dhe energjinë. Ju dua shumë. Ka shumë emocione të përziera me atë që ka ndodhur në muajin e fundit me tenistët që erdhën në Australi, por mendoj se kur shikojmë në tërësi ka qenë një turne i suksesshëm. Nuk ka qenë e lehtë, por organizatorët duhet të jenë krenar me organizimin. Rod Laver Arena, ju dua çdo vit e më shumë. Kjo lidhje dashurie vazhdon. Ju faleminderit shumë”, ka thënë Gjokoviq, që ka përgëzuar edhe kundërshtarin e tij në finale.
Vetëm Roger Federer dhe Rafael Nadal kanë më shumë Grand Slame të fituara sesa Gjokoviq, me nga 20 sosh.
Medvedev ka vlerësuar lartë Gjokoviqin pas disfatës që e pësoi në finale.
“Nuk është e lehtë të flasësh kur pëson në finale në Grand Slam, por do të bëjë më të mirën! Përgëzime Novaku. Nëntë Grand Slame në Australi është e jashtëzakonshme dhe ky nuk do të jetë i fundit për ty. Ju them një storie të shkurtër, e kam takuar Novakun kur isha në pozitën 500 apo 600 në botë. Thash në rregull, ai nuk do të flasë me mua, pasi është numër një në botë. Isha i ndrojtur. Ai po fliste me mua sikur të ishim shokë. Kurrë nuk ka ndryshuar – ai gjithmonë ka qenë sportist i madh dhe shok i madh”, ka thënë Medvedev.