Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani sot zyrtarisht e mori detyrën nga ushtruesi i deritanishëm i detyrës në atë funksion, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ceremonia shtetërore me këtë rast ishte mbajtur në sheshin “Ibrahim Rugova” në kryeqytetin e Kosovës, ku Osmani dhe Konjufca shikonin paraqitjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Nga kabineti i presidentes njoftuan se, për shkak të situatës me pandeminë, nuk do të ketë ceremoni tjetër inauguruese, por do të mbahen disa aktivitete individuale të Osmanit, siç është pritja e komandantit të FSK-së, Rahman Rama dhe të gjeneralëve të tjerë, si dhe e xhudistëve të Kosovës të cilët gjatë kohës së fundit shënuan rezultate të dukshme në disa manifestime botërore.
Në inaugurimin e Osmanit në sheshin para Kuvendit të Kosovës krahas familjes së saj – bashkëshortit dhe dy vajzave, morën pjesë edhe ambasadorët e të ashtuquajturit “Kuinti”, gjegjësisht të pesë shteteve më me ndikim të cilat kanë përfaqësitë e tyre në Prishtinë, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, si dhe kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit të Qeverisë.
Mandatin pesë vjeçar në krye të shtetit Osmani e fitoi nga Kuvendi i Kosovës të dielën më 4 prill.