Sa më tepër kohë kalon, në vend që të zbehen dyshimet me prova shtesë për përdorimin e vaksinave, të tjera pikëpyetje ngrihen. “AstraZeneca”, me të cilën janë vaksinuar mbi 38 mijë personel pedagogjik e akademik në vend, shton dyshimet për lidhjen me mpiksjen e gjakut.
Sakaq, vaksina me të cilën po tentohet imuniteti i tufës në vendin tonë, “Sinovac”, po provon se nuk bën punë në shtete që e kanë administruar me kohë. Pasi ka shpërndarë miliona doza në botë, vetë Kina, nuk numëron më shumë se 7% të popullatës së vaksinuar sot për sot, ndonëse trupa e saj kërkimore ka arritur të prodhojnë e certifikojë për prodhim plot katër vaksina. Për më tepër, nuk ka asnjë të dhënë për sigurinë dhe efikasitetin e tyre.
Pas të dhënave të dy fazave të para, virologët e huaj po presin provat klinike të fazës së tretë që thuhet të jetë bërë, por për fat të keq, nuk e ka parë ende dritën e botimit. Sikundër edhe të dhëna të tjera mbi COVID-19, për të cilat Kina s’ka bërë ende transparencë.