OPINIONE

Vetoja bullgare kundër Maqedonisë së Veriut s’ka pse zë Shqipërinë

Nga Preç Zogaj

Axhenda europiane e zgjerimit, në vendnumëro prej disa vitesh në dëm të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, po përballet këto ditë me dilemat e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, konferencë e cila që do të shënonte hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE të këtyre dy vendeve.

Lexuesit e vëmendshëm të kësaj odiseje me të drejtë mund të venë habinë: Si? Përsëri mund të mos hapen? Po sa herë na ka përgatitur shpirtërisht Brukseli se do të hapen dhe nuk janë hapur?

Sa herë ka bërë dasmë pa nuse sikur janë hapur Rama dhe qeveria e tij? A nuk na thanë në fund të vitit të shkuar se do të hapen pas zgjedhjeve të këtij viti? A caktuan qershorin si muajin e konferencës së shumëpritur? Po. Këto kanë qenë fjalët. Por kanë ridalë në skenë, më saktë kanë mbetur të pazgjidhura, kushtet e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut.

Sofja ka në fuqi veton e saj të vitit të shkuar kundër hapjes së negociatave me Shkupin për çështje të gjuhës dhe historisë. Diskutimi që po bëhet këto ditë në Bruksel dhe në disa kryeqytete të Europës rrotullohet rreth idesë “për të mos i ndarë” Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ka kuptimin që në skenarin e mosarritjes së një marrëveshjeje dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Shqipëria të mbetet në tako, në një varkë të ndaluar me fqinjin tonë lindor. Pra, të penalizohet tërthorazi andej nga nuk pritej: nga Bullgaria.

Kjo, jo se Bullgaria ka ndonjë problem me Shqipërinë, por për shkak të lidhjes obelikale artificiale që duan të vendosin për ketë çështje disa shtete dhe politikanë të Europës mes vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut. Duhet ta themi se Tirana ka qenë gjithnjë e kënaqur të ketë qenë në një varkë me Shkupin në aspiratën dypalëshe të integrimit në NATO dhe në BE. Bashkimi në këtë aspiratë është një gur themeli në miqësinë mes dy vendeve.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut jeton në trojet e veta komuniteti etnik shqiptar që formon bashkë me etninë maqedonase në shumicë binomin shtetformues, identitetin dhe sovranitetin e Republikës. Edhe për këtë shkak, por sigurisht jo vetëm për këtë shkak, por para së gjithash për të ardhmen në miqësi mes dy vendeve, Tirana ka dëshiruar e dëshiron të ecë dorë për dorë me Shkupin drejt NATO-s dhe BE-së.

Kjo është qartë si një e bëjnë dy. Por nuk është e drejtë dhe as në të mirë të tyre të presin njëra -tjetrën për arsye që nuk kanë të bëjnë me to. Dy vendet ishin njëlloj të gatshme të pranoheshin në NATO në vitin 2008. Në atë kohë ishte Greqia që vuri veton kundër anëtarësimit të Maqedonisë për çështjen e emrit.

Ngërçi u zgjidh me bisedime dypalëshe përgjatë qeverise së Kryeministrit grek, Cipras. Maqedonia është sot me titull të plotë në familjen euroatlantike. “Mosndarja” e dy vendeve kandidate nuk u shtrua sa i takon anëtarësimit në NATO. Ç’kuptim kishte të lihej në pritje Shqipëria për një çështje greko-maqedonase, për më tepër pa lidhje me përmbushjen e kritereve të anëtarësimit? E njëjta gjë mund të thuhet sot për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Ç’kuptim ka të lihet në pritje Shqipëria derisa të lëshojë pe Sofia apo Shkupi? Shqipërisë mund të mos i hapeshin negociatat për arsye që lidhen me zhvillimet e saj të brendshme. Por jo për mosmarrëveshjet bullgaro- maqedonase, të cilat duke qenë të papritura dhe të çuditshme, e lënë pa afat çështjen e hapjes së negociatave për Shqipërinë sikurse edhe axhendën e integrimit europian të rajonit tonë në tërësi. Kryeministri Zaev ka konsensus të gjerë në pikëpamjen e tij se “identiteti dhe gjuha nuk duhet të jenë objekt i negociatave me BE-në në asnjë rrethanë”. Vetë projekti i BE-së, hëm si koncept, hëm si praktikë, është një bashkim i lirë në diversitet përtej mureve të vjetra të të gjitha llojeve, përfshirë kufijtë.

Nga ky këndvështrim, gjasat që të jetë pala maqedonase ajo që bën një hap prapa për të kënaqur palën bullgare ngjajnë të jenë pothuajse zero. Po çfarë do të ndodhë po të mos merren vesh këto dy palë? Do të ndalojë zgjerimi? Kjo është pyetja që i rri si çekan mbi kokë projektit të zgjerimit të BE-së.

Nëse BE do të zbatojë “mosndarjen”, vetoja e Bullgarisë për një çështje të natyrës historike rrezikon ta shtyjë në kalendrat greke, për të mos thënë ta dështojë në shkallë të gjerë procesin e integrimit të vendeve të rajonit. “Mosndarja” reflekton pa dyshim merakun për ruajtjen e mozaikut të brendshëm maqedonas. Por “mosndarja” do të inkurajonte “veto” të tjera të këtij lloji me pasoja; rajoni ynë është i pasur me subjekte që i ushqejnë. Këto rreziqe duhen peshuar mirë.

Zgjidhja ideale në kohën e mbetur do të ishte zgjidhja në burim: arritja e një marrëveshjeje mes Sofjes dhe Shkupit. Një zgjidhje e dytë e mirë do të ishte tërheqja e vetos nga Bullgaria, trajtimi i kërkesave të saj në një tjetër kuadër të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe.

Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik. Shqiptarët, grupi i dytë etnik pas maqedonasve, nuk kanë ndonjë lidhje me kërkesat e Sofjes. Zgjidhja e tretë- e treta e vërtetambetet ndarja e dy vendeve kandidate. Shqipëria të vazhdojë përpara, nëse nuk ka arsye të tjera për ta mbajtur prapa derës. Maqedonia e Veriut të presë jo për fajin e saj, duke ia deleguar BE-së zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.

Mbetet një çudi e madhe se si një vend ish-komunist si Bullgaria, që ka pasur privilegjin të bëhet anëtare e BE-së me procedurë të përshpejtuar, të ketë në dorë veton për të bllokuar zgjerimin e BE-së me fqinjë të saj në rajon. Apo me keq akoma, të përdorë veto që në analizë të fundit rrezikojnë të hedhin në erë vetë filozofinë e Europës së Bashkuar. Po kjo është një çështje e organizimit të brendshëm të Unionit.

E përsërisim: Shqipëria nuk ka asnjë arsye të paguajë apo sakrifikojë ëndrrën e saj për veton e Bullgarisë. Mbajtja e “mosndarjes” ushqen në opinionin tonë publik dh jo vetëm teoritë se Europa gjen gjithnjë rrugë të driblojë premtimet e saj të hapjes, duke e shndërruar integrimin e vendeve të Europës Juglindore, domethënë edhe të Shqipërisë, në një gur Sizifi për ta./Panorama

LAJME TË NGJAJSHME

Goditja e Kryeministrit Plenković në mikrofonët e gazetarëve është një uverturë në dhunë fizike

Press Online

Stabiliteti i Ballkanit e kërkon marrëveshjen Kosovë – Serbi

Press Online

EDITORIAL/Vendimi politik i KE-së për hapjen e negociatave, “vulosë” rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Press Online

Perëndimi e shmangu humnerën, po tani?

Press Online

Marketingu dhe shembulli Cristiano Ronaldo

Press Online

Uji flen, hasmi ende nuk flen

Press Online