OPINIONE

Këndjellja gjeo-politike e BE-së

Nga Blerim Shala

Ndodhi ashtu edhe siç është pritur, apo, siç ka mundur të supozohet. Dy Non-Papera për kahjet e mundshme të zhvillimeve në këto anë të Evropës, të definuar tash e sa vjet si Ballkani Perëndimor, te dytë (Non-Papera) të parë realisht si ‘Kronika të përplasjeve dhe telasheve të paralajmëruara’, bënë që të lëvizë Bashkimi Evropian.

Josep Borrell, Kryediplomati i BE-së (i treti me radhë në këtë pozitë, që prej se u krijua EEAS-i, pra, pas Catherine Ashton-it dhe Federica Mogherini-t), pak javë më parë përgatiti një Working Paper, i cili me gjasë se është finalizuar edhe nën presionin e Propozimeve problematike në ato dy Dokumentet e mëparshme, që ka të bëjë me politikën e BE-së karshi Ballkanit Perëndimor.

Përmbajtja e këtij Dokumenti dëshmon që një punë e gjatë disamujore qëndron prapa tij, punë kjo e cila është edhe reflektim i disa zhvillimeve ndërkombëtare, në radhë të parë të fitores së Joseph Bidenit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë (në nëntorin e vitit të kaluar), me ç’gjë u krijuan rrethanat për ri-kthimin e Partneritetit trans-atlantik (të venitur shumë gjatë Administratës të Presidentit Trump), pastaj, të pranisë së vazhdueshme agresive politike, ekonomike dhe të sigurisë së Federatës së Rusisë dhe Republikës së Kinës në Ballkanin Perëndimor, tutje, të tendencave retrograde politike edhe në këtë pjesë të Evropës, etj.etj.

Në anën tjetër, edhe dy shtete anëtare të BE-së, Sllovenia dhe Kroacia, përmes Takimit të radhës të Bërdo/ Briuni, i cili u mbajt këtë të hënë (me 17 maj) në Slloveni, u përpoqën që disi ta ushtrojnë një lloj të ‘Kontrollit të dëmit’ (‘Damage control’), të shkaktuar nga ai Non-Paperi i parë që fliste për një ndryshim të madh të kufijve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si një ‘çelës kyç’ për ta përmbyllur rrëfimin e shpërbërjes së ish-RSFJ-së, që pati nisur pikërisht tridhjetë vjet më parë.

Propozimi i Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahorit, që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia), të zotohen për Politikën e mosndryshimit të kufijve, u kundërshtua nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili iu kundërvu kësaj nisme me idenë që kufijtë e njohura nga OKB-ja nuk mund të ndryshohen. Natyrisht, ideja e liderit të Serbisë është që tema e Kosovës tutje të trajtohet në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

E përbashkëta e Working Paper të Josep Borrellit dhe të kësaj nisme të Presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, apo, të Borut Pahorit dhe Zoran Milanovićit, është dyzimi i një shqetësimi real për drejtimet e rrezikshme që mund të merr kjo anë e Evropës, me përgatitjen e Propozimeve të cilat e ri-kthejnë interesimin dhe fokusin e BE-së (dhe të SHBA-së), për Ballkanin Perëndimor.

Working Paper i Borrellit, që titullohet ‘Angazhimi i ri-fuqizuar i BE-së në Ballkanin Perëndimor’, është një Dokument që në mënyrë shumë të saktë dhe të qëndrueshme analizon gjendjen e tanishme në këtë pjesë të Evropës, dhe diagnostifikon të metat e vet BE-së të cilat morën hov veçmas në tri vitet e fundit, që prej se vet Brukseli, (më së shumti nën ndikimin e Francës së Presidentit Macron), hoqi dorë nga ai Propozimi i Jean-Claude Junckerit, Presidentit të Komisionit Evropian (apo, të Qeverisë së Evropës), të shkurtit të vitit 2018, i cili artikulonte Strategjinë e BE-së për zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesin e Lartë Borrell kundërshton në këtë Dokument të vetin ‘Versionet alternative’ (për të cilat pati folur pikërisht Presidenti francez Macron), në relacionet në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë dykuptimësi në marrëdhëniet e BE-së dhe të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Këto shtete duhet të integrohen në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, Borrell konstaton me vend edhe dëshpërimin e qytetarëve të këtyre shteteve në Ballkan, me procesin e zgjerimit të BE-së.

Nëse nuk ka (dhe nuk mund të ketë) dilema se çka duhet të ndodhë me këto gjashtë shtete, kur flitet për atë perspektivën e mirëfilltë evropiane të tyre, atëherë, stabilizimi dhe qëndrueshmëria afatgjatë e Bashkimit Evropian, realisht, kërkon rrumbullakësimin e kufijve të jashtëm të BE-së (si dhe të Aleancës Veri-Atlantike), e cila gjë do të arrihet kur këto gjashtë shtete do të hyjnë në BE.

Dikush mund të thotë që këta kufij të jashtëm të BE-së tashmë ekzistojnë, apo, që këto gjashtë shtete, në të gjithë kufijtë e jashtëm takohen me shtetet anëtare të BE-së, gjë që është e vërtetë.

Dihet që këto gjashtë shtetet e WB6 (shkurtesa e njohur për Ballkanit Perëndimor), bëjnë një Ishull politik të kufizuar në të katër anët me ‘Detin’ e BE-së.

Por, ky Ishull si i tillë, është një cak evident gjeo-politik, një sferë e interesit gjithnjë e më të shtuar të Rusisë, të Kinës (dhe të shteteve të tjera), për të ndërlikuar maksimalisht këtë përmbylljen e procesit të zgjerimit të BE-së, qoftë edhe përmes veprimeve që destabilizojnë përbrenda shtete të caktuara të WB6.

Aspekti apo dimensioni gjepolitik i këtyre zhvillimeve, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë influencën stabilitetin në gjithë Bashkimin Evropian, i cili theksohet disa herë në këtë Working Paper të Josep Borrell-it, duket që bashkon SHBA-në dhe BE-në më shumë se gjithçka tjetër.

Partneriteti trans-atlantike dhe ky dimensioni gjeo-politik i Ballkanit Perëndimor, shfaqet si një interes i veçantë i Administratës së Presidentit Biden, e tani, edhe i BE-së.

Ballkani Perëndimor mund të jetë një Ishull politik (nga perspektiva e sotme e Brukselit), por këtu nuk mund të ketë Vakum gjeo-politik, apo, kjo zbrazëti, e lënë nga BE-ja për motive të ndryshme (në radhë të parë të tëfillimit të lëmshit në të cilin u gjet BE-ja pas Brexit- it, apo largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, në vitin 2016), me të shpejtë u mbush nga faktorët ndërkombëtarë, interesat dhe synimet e të cilëve janë në raporte të kundërshtimit të qartë me interesat dhe synimet e Perëndimit (të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian).

Qasja gjeo-politike e cila prezantohet shumë qartë në Dokumentin e Borrellit, përthekon më së miri gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, dhe paralajmëron veprime më të vendosura të Brukselit për zgjidhjen e problemeve të mbetura në këtë pjesë të Evropës (statusi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjendja në Bosnjë dhe Hercegovinë), dhe për ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së me inkuadrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Zatën, mënyra më e mirë që të kryhet një punë e papërfunduar e Perëndimit në këto anë të Evropës është që njëkohësisht, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të hynë në Bashkimin Evropian.

LAJME TË NGJAJSHME

Goditja e Kryeministrit Plenković në mikrofonët e gazetarëve është një uverturë në dhunë fizike

Press Online

Stabiliteti i Ballkanit e kërkon marrëveshjen Kosovë – Serbi

Press Online

EDITORIAL/Vendimi politik i KE-së për hapjen e negociatave, “vulosë” rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Press Online

Perëndimi e shmangu humnerën, po tani?

Press Online

Marketingu dhe shembulli Cristiano Ronaldo

Press Online

Uji flen, hasmi ende nuk flen

Press Online