OPINIONE

Biznesi me “non-pappers”

Pasi vendet fqinjë këto ndërrime nuk do t’i pranojnë dhe janë formuar shtete të reja me popullsi të përzier, non-papers-i slloven dhe të tjerët nuk i përmbushin kriteret për të qenë në tavolinën e bisedimeve serbo-kosovare, pasi nuk janë gjithëpërfshirëse dhe fokusohen vetëm në një pengesë – rikthimin e dominimit ekonomik serb në rajon dhe zgjerimin territorial.

Megjithatë, të gjitha sugjerimet ndërkombëtare dhe non-papers-ët nuk duhet hedhur poshtë nëse kanë për qëllim që t’i japin fund konfliktit serbo-kosovarë me një marrëveshje që nuk do të linte vrima për depërtimin në të ardhmen të Serbisë në Kosovë. “Non-papers-ët nuk mund të jenë seriozë dhe qëllimmirë nëse nuk përfshijnë rivendosjen e Ballkanit në linjat etnike, që përafërsisht do të sillte një gjendje paqeje si në fillim të viteve 1800-të.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Që nga viti 2018 Ballkani vazhdon të trazohet nga idetë për ndryshime territoriale dhe projekte eksperimentale që vijnë nga diplomatë, grupe të interesit ose edhe nisma qeveritare për (mos) t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve serbo-kosovare. Beogradi dhe Prishtina, realisht, nuk kanë ndonjë projekt konkret që do t’i kënaqte interesat kombëtare të dy vendeve. Së fundi, në mungesë të nismave qeveritare, si zgjidhje shihen propozim-projektet që shkojnë në dëm të Kosovës dhe lejojnë që Serbia edhe më tej ta ruajë një ndikim në Kosovë, qoftë edhe pas marrëveshjes përfundimtare të normalizimit.

Pala kosovare nuk dëshiron që territori i Kosovës të bëhet pjesë e negociatave dhe kërkon njohje nga Beogradi. Këtë dëshirë kosovare qeveria e Serbisë vështirë se mund ta plotësojë pa përfitime konkrete ose vetëm njërën – interesin financiar nga Perëndimi.

Serbia ka për qëllim të fitojë territor në veri ose të lë hapësirë në të ardhmen për veriun me një status edhe ashtu special. Pozicionet e dy shteteve aktualisht nuk premtojnë zgjidhje të mosmarrëveshjeve këtë vit dhe si e vetmja rrugë mbetet diplomacia e huaj, e cila asnjëherë nuk e ka për objekt t’i trajtojë çështjet me nder dhe drejtësi.

Dokumentet dhe projektet e publikuara gjatë dy viteve të fundit, qëkur Thaçi dhe Vuçiqi u bënë bashkë në idenë e shkëmbimeve territoriale, tash nuk gëzojnë aq besueshmëri të plotë në shtetet përkatëse, për shkak të dyshimeve se kush i publikon projektet dhe pse përgënjeshtrohen nga vetë shtetet e BE-së.

Nëse janë dokumente zyrtare, atyre zakonisht u qëndrojnë qeveritë ose nëse janë marrëveshje ndërshtetërore ose ndërkombëtare, ato pasohen nga bisedimet paraprake serioze për paqe, ashtu siç i pamë gjatë 30 viteve të fundit në Ballkan.

Publikimi i non-papers-ëve gjatë javëve të fundit duket joserioz dhe është në linjën e përbashkët të dikurshme të ndërrimeve territoriale të dëshiruara nga vetë Serbia, të mbështetura nga Rusia dhe aktorët në Kosovë dhe në Shqipëri.

Meqenëse Tirana zyrtare, publikisht, i ka hedhur poshtë këto ide, vetë mbështetja e dikurshme për ish presidentin Thaçi nga Shqipëria tregon se në të ardhmen Shqipëria zyrtare do të anojë nga projektet që ofrojë ndryshime territoriale ose nga presioni publik do të detyrohet të pajtohet me qëndrimin e Kosovës dhe të fuqive të jashtme.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut (MV), publikimi i non-papers-ëve nuk ka pasur asnjë ndikim, pasi përfaqësuesit e tyre politikë, si BDI-ja e Ali Ahmetit, për afro dy dekada është deklaruar pro sovranitetit, integritetit territorial dhe identitetit të Shkupit. Meqenëse shqiptarët e MV-së janë në një situatë të mjerë, shpresat për përmirësimin e gjendjes socio-politike janë shuar, pasi liderët politikë të shqiptarëve janë të kënaqur me statusin aktual dhe disa prej tyre janë të zënë ngushtë nga sistemi maqedonas i sigurisë dhe i “drejtësisë”.

Një mori dokumentesh të tilla nuk do të kenë ndikim në ndarjen ose mbetjen e MV-së të bashkuar, pasi nuk kemi rezistencë të brendshme nga shqiptarët për ndryshim të statusit aktual diskriminues. Ndërkaq, në Kosovë kemi dy rryma që dëshirojnë t’u japin fund negociatave me Serbinë. E para është ajo që dominohet nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti, e cila ka për qëllim njohjen nga Beogradi dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. E dyta është rryma e ish luftëtarëve të UÇK-së, tashmë politikanë në burgjet e Hagës, që synonin sipas burimeve kosovare ndërrime territoresh.

Nga ana tjetër, Evropa dhe SHBA janë për fillimin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve, por pa plane konkrete se si të zgjidhet problemi ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja e Uashingtonit (2020) sipas reagimeve amerikane do të jetë pikënisja e normalizimit. Pavarësisht kësaj, kryeministri Kurti gjatë qeverisjes do të ketë presione për hyrje të shpejtë në bisedime dhe pranim të një marrëveshjeje që Kosova nuk e dëshiron. Nga pikëpamja e pozicionimeve gjeopolitike, Kosova qëndron shumë më dobët se Serbia e cila ka mbështetje të BE-së, Rusisë, Kinës dhe SHBA-së në çështjet e sigurisë së shtetit serb, të ardhmes së saj në raport me Fuqitë e Mëdha dhe dominimit rajonal. Kosovës i nevojitet një diplomaci aktive në Uashington, e cila po mungon tani dhe e cila nuk ka qenë më parë përfaqësuese në dobi të interesave strategjike kosovare. Atmosfera në Uashington nuk shkon në favor të Kosovës dhe statusit final, pasi gjërat në politikën e jashtme amerikane kanë ndryshuar. Kush besonte se Serbia, hap pas hapi, nga një shtet agresor do të bëhej vend ku interesat e fuqive të jashtme do ta linin në harresë të kaluarën gjenocidale të shtetit serb?!

Udhëheqësit kosovarë nuk kanë shumë kohë për luftëra të brendshme. Kosova tashmë po rrezikohet jo vetëm nga vetvetja, por edhe nga renditja e forcave në sistemin ndërkombëtar, që jo gjithherë përkon me dëshirat dhe interesat e shteteve të vogla ose popujve që kërkojnë pavarësi. Përderisa Prishtina do të vazhdojë të ëndërrojë në aleatë virtualë, të cilët kanë ndryshuar gjatë dekadës së fundit, e kjo është SHBA-ja, e ardhmja e Kosovës dhe e bisedimeve me Serbinë do të jetë e papërcaktuar, e paqartë dhe e pasigurt për qytetarët e Kosovës. Brenga kosovare nëse shteti nuk do të copëtohet në të ardhmen do të vazhdojë.

Megjithatë të gjitha sugjerimet ndërkombëtare dhe non-papers-ët nuk duhet hedhur poshtë nëse kanë për qëllim që t’i japin fund konfliktit serbo-kosovarë me një marrëveshje që nuk do të linte vrima për depërtimin në të ardhmen të Serbisë në Kosovë. Non-papers-ët nuk mund të jenë seriozë dhe qëllimmira nëse nuk përfshijnë rivendosjen e Ballkanit në linjat etnike, që përafërsisht do të sillnin një gjendje paqeje si në fillim të viteve 1800-të. Një rrokullisje të tillë në rajon e kanë kundërshtuar SHBA-ja dhe BE-ja, mirëpo jozyrtarisht shkëmbimet territoriale i pranojnë në shkallë të kufizuar në Ballkan.

Pasi vendet fqinje këto ndërrime nuk do t’i pranojnë dhe janë formuar shtete të reja me popullsi të përzier, non-papers-i slloven dhe të tjerët nuk i përmbushin kriteret për të qenë në tavolinën e bisedimeve serbo-kosovare, pasi nuk janë gjithëpërfshirëse dhe fokusohen vetëm në një pengesë – rikthimin e dominimit ekonomik serb në rajon. Vite të vështira e presin Kosovën, ndonëse pozicioni rajonal dhe botëror i Kosovës do të vazhdojë t’i mbajë të zgjuar politikanët e mençur kosovarë, por jo ato që e shkatërruan pas vitit 1999.

LAJME TË NGJAJSHME

Goditja e Kryeministrit Plenković në mikrofonët e gazetarëve është një uverturë në dhunë fizike

Press Online

Stabiliteti i Ballkanit e kërkon marrëveshjen Kosovë – Serbi

Press Online

EDITORIAL/Vendimi politik i KE-së për hapjen e negociatave, “vulosë” rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut

Press Online

Perëndimi e shmangu humnerën, po tani?

Press Online

Marketingu dhe shembulli Cristiano Ronaldo

Press Online

Uji flen, hasmi ende nuk flen

Press Online