OPINIONE

Kur romët u mbajnë ders shqiptarëv

Askush, kurrë nuk ka bërë një gjest burrash dhe qytetarie siç e bënë Romët. Këta i mbajtën një ders të fuqishëm të gjithë shqiptarëve se si duhet të zhvillohet lufta politike e vërtetë, pa hile. Ky reagim, ishte një mësim për klasën politike dhe sferën publike, të cilat e ndjellin dyshimin e publikut dhe të votuesve të tyre, se sa të dëmshëm janë për shoqërinë tonë korrupsioni dhe tradhtia e interesit publik. Këta dy vese asnjë bojaxhi nuk mund t’i lyej me boja të lumturisë dhe të mirëqenies!

Nga Shaqir ISLAMI

Në fillim të majit, ndodhi një ngjarje shumë interesante, që u kalua heshtazi në mediat shqipfolëse; pra, si klasa politike njashtu sfera publike u bë qorr dhe shurdhmemec! Të gjithë u bëmë gjoja se nuk e dëgjuam lajmin! Ta nis me radhë: Dita e 5 Majit na qenkësh Dita e Gjuhës Maqedonishte! Qeveria për nder të kësaj Dite, e promovoi një Fjalor Shpjegues Digjital, e cila është e pranishme në platformën sociale: makedonski.gov.mk. Ky fjalor me 100 000 fjalë, paskësh përmbajtur disa fjalë dehumanizuese dhe denigruese kundër Romëve, siç janë: cigançe, pocigani, ciganiçi se, ciganishtillak, .. S’do mend se të gjitha këto fjalë shprehin etno-racizëm të paparë ndaj popullit të persekutuar dhe të diskriminuar të Romëve. Dhe ky shtet synon anëtarësimin në BE!

Denigrimi dhe segregimi shovinist maqedonas ka qenë shkaku që Romët, të zemërohen dhe t’i kanosen me ultimatum qeverisë “Edno Obshtestvo Za Site” të Z. Zaevit.

Kryetari i Partisë Popullore të Romëve, Gege Demirovski ka reaguar menjëherë në platformën shoqërore në Facebook: “Me Fjalorin Digjital Romët u fyen dhe u poshtëruan … Keni afat 24 orë, që t’i hiqni fjalët fyese dhe poshtëruese: “mos u bë maxhup”, “maxhupllëk”, “maxhup”, … nëse nuk i hiqni këto fjalë poshtëruese dhe dehumanizuese për Romët e mi, do t’i ngre në këmbë të gjithë Romët në Maqedoni dhe në Europë. Partia Popullore e Romëve kërkon që të hiqen menjëherë këto fjalë poshtëruese dhe të pështirë ndaj Romëve të mi, se ne jemi Romë”.

LEXO »  Frika e madhe nga Albin Kurti

Pra, ky ishte reagimi burrnorë dhe fisnik i Kryetarit të PPR-së! Dhe ta them sinqerisht, nuk di nëse kjo parti ka përfaqësuesin e vet në Kuvend! Ajo që mua më la përshtypje të thellë, ishte vendosmëria dhe burrnia e reagimit të ashpër të Prijësit të kësaj partie të Romëve! Njëkohësisht pati edhe reagime nga shoqëria civile e Romëve. Qeveria, nën kanosjet burrnore të Romëve e zbatoi menjëherë kërkesën ultimative të tyre dhe i tërhoqi fjalët poshtëruese dhe dehumanizuese kundër Romëve! Ja çka do të thotë vendosmëri politike!

Bravo, Prijës Gege Demirovski! Kjo vepër politike e Romëve, duhet të jetë një ders edukues politik për rrahagjoksit politik Shqiptarë, me 32 përfaqësues në Kuvend, me një mori partiçka politike në skenë dhe të gjithë këta nuk e kanë takatin politik të Partisë Popullore të Romëve! Haram u qoftë që të gjithëve me radhë! A e kuptoni tashti, se çka i mungon klasës politike të Shqiptarëve? A e kuptojnë Shqiptarët rrahagjoks se në çfarë derexhe ndodhet kjo klasë politike virane dhe kjo shoqëri e mjerë që qëllimin e vet e ka, të ik sa më parë pa nam e nishan nga ky vend i pashpresë për rininë ?

Ne zanatin e politikës e kemi shndërruar në zanat të bojaxhillëkut! Mund të bojadisemi me të gjitha ngjyrat e ylberit, por boja një ditë kalon dhe shëmtia herë-do-kurdo do del në shesh. Sepse, një ditë boja harxhohet, ndërsa shëmtia delcullake në dritë. Kurrsesi nuk mund t’i iket përgjegjësisë shoqërore, sado të përpiqemi që të bëjmë manovra të budallafta politike. Dita e gjykimit është i pashmangshëm për të gjithë njerëzit e vdekshëm; një ditë doemos “të vijë cjapi,ke kasapi”! Për fatin tonë të keq, qysh nga kohërat e lashta është thënë; dhe deri dje ende thuhej se “fjalët fluturojnë, ndërsa veprat mbesin”. Jo, sot me teknologjinë e re, çdo gjë regjistrohet dhe mbetet si dokument për gjeneratat e ardhshme; të cilët me shumë gjasa do na mallkojnë, qortojnë dhe do na shajnë me babë e nënë, edhe me soj e fis! Mbase, teknologjia e përparuar e mundëson që çdo fjalë, çdo vepër, çdo bojadisje, çdo tradhti, … do mbeten si dëshmi e paaftësisë dhe batakçillëkut tonë politik.

LEXO »  I dashur kryeministër Kurti, a e kuptove tash se Shqipëria s’ka nevojë për ndryshim?

Romët na e treguan vendin dhe gjendjen e qytetërimit të shoqërisë sonë në këtë shtet! Plot tre dhjetëvjeçarë – me gjithë atë numër të konsiderueshëm deputetësh që dergjen kolltukëve dhe korridoreve të Kuvendit, të Qeverisë dhe të Drejtësisë, janë vetëm badihavxhi dhe e harxhojnë energjinë tonë shoqërore në pazarllëqe me shtetin, vetëm për mirëqenie personale dhe në dëm të qytetarëve. Megjithatë qytetarët Shqiptarë vazhdojnë të jenë të diskriminuar, të dehumanizuar dhe skajshmërisht të varfëruar më së shumti në këtë vend; të jetë më e habitshme, diskriminimi dhe pabarazia vazhdon pa prajtur edhe sot! Botohen enciklopedi me falsifikime të historisë, duke na ofenduar dhe fyer prejardhjen, sojin, trashëgiminë, historinë, vlerat, besimet, … Në librat shkollorë, të miratuar nga ministra shqiptarë të arsimit( !) nxënësit tanë kanë mësuar fyerje dhe poshtërime propagandistike me vite, duke ua mbjellë dhe rrënjosur farën e shkombëtarizimit. Qeveria vet nuk e zbaton Ligjin për Zyrtarizimin e gjuhës Shqipe! Vet e solli këtë ligj me ndikimin e BE-së.

Muret nëpër vendbanime janë përplot me grafitë “Smrt za Shiptari”, “Gasni komori za shiptari”, platformat shoqërore janë përplot të mbushur me kanosje shfarosëse dhe me gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve, ndaj të cilave shteti dhe sfera publike maqedonase heshtin dhe i përkrahin me heshtjen dhe mosveprimin e tyre! Ndërsa, nga shqiptarët ka pasur tek tuk ndonjë reagim të llojit “ta lajmë një groshë pa ujë”, ose siç thotë populli me gjuhën vulgare: “ta shpërlajmë mu… me shu…”. Kaq, sa për të treguar se klasa politike nuk fle, por aq e ka kaçikun!

Askush, kurrë nuk ka bërë një gjest burrash dhe qytetarie siç e bënë Romët. Këta i mbajtën një ders të fuqishëm të gjithë shqiptarëve se si duhet të zhvillohet lufta politike e vërtetë, pa hile. Ky reagim, ishte një mësim për klasën politike dhe sferën publike, të cilat e ndjellin dyshimin e publikut dhe të votuesve të tyre, se sa të dëmshëm janë për shoqërinë tonë korrupsioni dhe tradhtia e interesit publik. Këta dy vese asnjë bojaxhi nuk mund t’i lyej me boja të lumturisë dhe të mirëqenies!

LEXO »  Big Brother po ju vëzhgon! Kur shteti vjedh të dhënat personale

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

LAJME TË NGJAJSHME

Big Brother po ju vëzhgon! Kur shteti vjedh të dhënat personale

PressOnline.mk

Edi Rama midis Lindjes dhe Perëndimit

Press Online

Biznesi me “non-pappers”

PressOnline.mk

Zilja e gjelbër e Ali Ahmetit

PressOnline.mk

Me zemërim dhe urrejtje, opozita nuk mund të ballafaqohet me BDI-në

PressOnline.mk

Gjelbërimi është më i mirë gjithmonë!

Press Online