OPINIONE

P(l)andemija

Është e qartë, ngado që të kthehemi, me lajmet e rreme, dizinformatat dhe teoritë konspirative, ne do të luftojmë për një kohë të gjatë. Dhe a kemi përmendur tashmë që politikanët janë ndër shpërndarësit më të mëdhenj të dizinformatave? Ja pra, tani po ua bëjmë me dije!

Nga Ivor Fuka

Është e saktë – një plandemi. Ky është një mbishkrim që do të përshëndesë pasagjerin e rastit në një nga hyrjet më të frekuentuara në Zagreb. Ato katër rrokje janë të shkruara me bojë të zezë me yndyrë në pesë blloqe betoni të vendosura në mbikalimin mbi autostradën e qytetit dhe është vërtet e vështirë të mos e vëresh atë. Autori i panjohur zbuloi kështu një sekret të ruajtur mirë për ata që hyjnë në qytet – pandemia e koronavirusit që ktheu gjithë botën me kokë poshtë është një trillim më i zakonshëm. E planifikuar, natyrisht, siç thotë vetë emri p(l)andemia. Nuk mund të pajtohem plotësisht se i kujt është plani, sepse ekzistojnë miliona teori të vogla rreth saj, por është e sigurt se gjithçka që ka ndodhur para syve tanë dhe që po ndodh ende është diçka e manipuluar. Sidoqoftë, e gjithë kjo ishte “gatuar” për ne nga disa njerëz shumë të fuqishëm në mënyrë që të sundonin planetin nnga hija. Mirëpo, nuk është aq e thjeshtë. Ata e kanë bërë faturën pa hanxhiun, duke mos llogaritur që ka nga ata që do të deshifronin planin e tyre ogurzi.

Ne nuk e dimë nëse bota ka qenë e çmendur më parë, por që nga pranvera e kaluar e këtej, kjo diagnozë mund t’i atribuohet asaj me një siguri të plotë. Problemi me këtë diagnozë mund të jetë se nuk është e qartë se çfarë terapie mund të jetë efektive. Që nga shpërthimi i pandemisë, më falni plandemisë, rrjetet sociale kanë vluar me lajme të rreme dhe teori konspirative, dhe përveç kësaj, në Kroaci në mënyrë shtesë mbizotëronte edhe gjuha e rrezikshme e urrejtjes. Të gjithë ata që nuk e shohin se bëhet fjalë për një plandemi u nderuan me emërtime që, besoj, asnjëra nga këto nuk duhet të përmendet specifikisht, ndërsa, për shembull, të gjithë ato “dele budalla” që mbajnë maska u ​​quajtën “surrat”.

Verifikimi i fakteve (Fact-checking) si zgjidhje

Hulumtimi ndërkombëtar „Journalism and the Pandemic“, në të cilin morën pjesë më shumë se 1.400 gazetarë dhe gazetare, konfirmoi se punonjësit e medias, gjatë kohës së pandemisë janë hasur më shpesh me dizinformatat sesa më parë, kurse më së shumti dizinformata ka pasur nga Facebook, Twitter dhe WhatsApp. Portalet e specializuara të verifikimit të fakteve kurrë nuk kanë pasur aq shumë punë sa në vitin e kaluar e gjysmë. Nëse dikush ka dyshuar, tani është krejtësisht e qartë se pikërisht këto portale do të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në të ardhmen. Me atë rol në paketë vijnë edhe kërcënime dhe fyerje, pasi gazetarët që ekspozojnë pasaktësinë e një pretendimi të veçantë të pasaktë e gjejnë veten të sulmuar ashpër nga dhunuesit online që u dërgojnë mesazhe kërcënuese, zakonisht me emërtimin “mercenarë”, qartë sepse ata marrin pjesë në një konspiracion global të njerëzve të fuqishëm kundër njerëzve duarbosh.

Dhe kjo është diçka për t’u shqetësuar, sepse kërcënimet ndaj gazetarëve janë bërë plotësisht normale në hapësirën publike, njësoj si gjuha e urrejtjes ose përndjekjet e turpshme. Nuk ka asnjë gazetar ose gazetare në Kroaci që merret me verifikimin e fakteve e që nuk e ka ndjerë këtë në lëkurën e tij/saj. Gjegjësisht, megjithëse, në përgjithësi, mediat në Kroaci bënë punën e tyre me përgjegjësi gjatë kohës së pandemisë, ata që merren me verifikimin e fakteve po kalojnë nëpër portale të paqarta të internetit që kanë dalë si kërpudha në të gjithë botën në vitet e fundit. Këto janë vende ku nuk punojnë gazetarët, por si të tillë prezantohen dhe prej aty shpërndajnë lajmet e rreme. Gazetarëve që zbulojnë gënjeshtrat e tyre u marrin hak duke analizuar jetën e tyre private, duke i përqeshur dhe fyer, duke i paraqitur si homoseksualë ose ndonjë pakicë etnike “të padëshirueshme”, duke publikuar publikisht adresat e tyre të kontaktit dhe duke nxitur audiencat e tyre që, për shembull, t’i dërgojnë një mesazh nga një numër i madh njerëzish në një kohë dhe ditë specifike. Dhe kështu ata vendosin shënjestrën në ballin e tyre.

I vetmi portal i specializuar për verifikimin e fakteve në Kroaci, Faktograf, në të kaluarën ka botuar më shumë se 400 artikuj që ekspozojnë lajme të rreme dhe pretendime të pasakta që lidhen ekskluzivisht me Kovid-19 dhe vaksinimin. Në total, këto tekste përfshinin më shumë se 1.000 dizinformata, shumica e të cilave janë postuar në Facebook. Se si dukej kjo, do të na e përshkruaj z. Petar Vidov, kryeredaktori i Faktograf-it.

„Duke pasur parasysh numrin e madh të dizinformatave që ishin në qarkullimin e përditshëm, ne u përqendruam në disa gjëra që kishim supozuar paraprakisht se ishin të pasakta dhe kryesisht rezultuan se ishin të tilla. Ishte e rëndësishme për ne që të ekspozonim sa më shumë dizinformata të tilla që paraqiteshin në internet”, thotë redaktori i Faktograf-it, një portal që bashkëpunon me Facebook si pjesë e programit Third Party Fact-Checking duke marrë parasysh se Facebook ka miratuar masa shtesë kundër dizinformatave rreth koronavirusit, në mënyrë që t’i largojë këto përmbajtje që vlerëson se rrezikojnë shëndetin publik. Dhe dëmi i vërtetë shoqëror që kanë shkaktuar dizinformatat është më i lehtë për t’u përshkruar në shembullin e kërcënimit shëndetësor.

“Njerëzit që besojnë në fakte të pasakta në lidhje me Kovid-19 do të jenë më të prirur për sjellje të rrezikshme, duke e bërë më të vështirë luftimin e epidemisë dhe duke rënduar sistemin e kujdesit shëndetësor. Ata që besojnë në propagandën kundër vaksinimit për kinse dëmin që shkakton vaksina, nuk do të dëshirojnë të vaksinohen. Kundërshtarët e vaksinimit, të cilët përdorin rrjetet sociale për të përhapur dizinformata, që përhapin frikë dhe mosbesim ndaj vaksinës tek qytetarët, duke zgjatur në këtë mënyrë kohëzgjatjen e epidemisë. Për sa kohë që ekziston një kontingjent i mjaftueshëm i njerëzve që refuzojnë të marrin vaksinën, virusi ka hapësirë ​​të përhapet dhe të kalojë në një mutacion të ri. Çdo zgjatje e epidemisë rrit numrin e viktimave njerëzore dhe gjithashtu rëndon ekonominë”, thotë redaktori Vidov.

Vaksinoni nënën tuaj – mua jo

Mund të dëgjohej dhe shihej gjithçka: mjekë dhe predikues të rremë, teknologji çipi dhe 5G, përbërës gjenocidial në vaksinë, efekte anësore të manipuluara nga vaksina, helme të fshehura në maskat ​​mbrojtëse, ekspertë të vetëshpallur të koronavirusit me një masë të madhe ndjekësish, barna të rreme dhe imagjinata të tjera të ndryshme që mund t’i numëronim deri në fundin e këtij teksti dhe nuk do të arrinim t’i renditnim të gjitha. Përhapja masive e gjërave të tilla bëhet e mundur nga njerëzit që fitojnë para duke shpërndarë lajme të rreme. Sot, interneti është plot me portale që nuk prodhojnë ndonjë përmbajtje të mbrojtur nga e drejta e autorit, por vetëm shkarkojnë përmbajtje nga burime të tjera dhe përpiqen ta paraqesin atë sa më skandaloze ose ta pastrojnë atë nga konteksti, në mënyrë që të mbledhin sa më shumë vizita dhe të fitojnë para përmes shërbimeve të reklamimit në internet. Për shpërndarjen e këtyre “lajmeve” përdorin rrjetet sociale sepse është mjeti dhe mënyra më e lehtë për të depërtuar në një numër të madh njerëzish.

Protesta kundër mbajtjes së maskave dhe masave të tjera epidemiologjike janë organizuar në Kroaci disa herë, me mesazhin “Maskat i mbajnë skllevërit” ose “Stop diktaturës”. I sulmonin gazetarët sepse po helmojnë botën me gënjeshtra. Nëpër shumë vende të frekuentuara të qytetit ishin varur pankarta me fjalët “Koronavirusi është një mashtrim” ose „Vaksinoni nënën tuaj, mua jo“ ose “Stop terrorit me koronavirusin”. Shëtitorja që çon rreth gjashtë kilometra rreth Liqenit Jarun në vende të panumërta janë vendosur mbishkrime klishe të shkruara me mesazhet “plandemia” ose “blamdemia”. Qytetarëve u linin fletushka në kutitë postare dhe në fshirëset e xhamave të makinave përmes të cilave u shpjegonin njerëzve naivë se koronavirusi ishte një mashtrim, një plan i fshehtë nga një grup komplotistësh që manipuluan situatën për të përfituar prej saj dhe për t’i kthyer në skllevërit e tyre. Ka pasur disa sulme fizike ndaj njerëzve që kanë paralajmëruar dikë në ambiente të mbyllura për të mbajtur maskë. Në një situatë mbylljeje që kërcënonte ekzistencën e shumë njerëzve, njerëzit reagonin në mënyra të ndryshme.

Është e vështirë të thuash se sa prej qytetarëve janë të bindur për të paktën disa nga të gjitha këto teori dizinformatash dhe konspiracioni që gjetën rrugën e tyre në tavolinën e pasur suedeze që u shërbye pranverën e kaluar. Nuk ka ndonjë hulumtim përkatës dhe preciz për këtë. Megjithatë, përshtypja është se, megjithëse nuk duket kështu, bëhet fjalë për një pakicë që është shumë e zhurmshme dhe agresive. Ky agresion është më i dukshëm, përsëri, në mediat sociale. Atje, poshtë çdo teksti mbi koronavirusin që i referohet fakteve shkencore, ka një bandë komentesh në të cilat “njerëzit naivë” që besojnë në plandemi dhe vaksinim, fyhen më vulgarisht, kurse ata që përfshihen në diskutime me ta do të ekspozohen ndaj fyerje të papara, madje edhe në mesazhet private. Ata shpallen ose budallenj ose pjesëmarrës në këtë komplot.

Ekspertët thonë se teoritë e konspiracionit janë tokë pjellore për shumë njerëz sepse ato japin shpjegime të pavërteta, por në dukje logjike për njerëzit që e kanë më të vështirë për ta kuptuar dhe në një farë mënyre ofrojnë një lloj zgjidhje, një udhërrëfyes për të luftuar, sepse kur i kuptoni gjërat dhe e dini se nga vie “rreziku”, atëherë është më lehtë të kalosh kohë kaq të paqëndrueshme. Ajo që këto kohë të pasigurta kanë prodhuar, ndër të tjera, është një rritje absolute e pandjeshmërisë dhe një mungesë e plotë e empatisë. Si ta shpjegojmë ndryshe që nën tekstet e shpërndara në Facebook nga mediat kryesore, të cilat thonë se një person vdiq nga efektet e koronavirusit ose japin një raport ditor mbi numrin e vdekjeve në 24 orët e fundit, më e popullarizuara është ajo “buzëqeshja” i/e cila qesh me të madhe dhe e cila përdoret shpesh si shenjë talljeje? Si tjetër të shpjegojmë kaq shumë pëlqime që nga fillimi i karantinimit deri te komenti i deputetit të atëhershëm Ivan Pernar i cili thotë se nuk është normale që i gjithë vendi të paralizohet për muaj me radhë në mënyrë që një gjysh të jetojë një ditë, një javë, një muaj apo një vit më gjatë.

Historia e Shtabit te kroatët

Megjithëse, do të thuhej “në pesë batanije”, pothuajse e njëjtë në të gjithë botën, në Kroaci, Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile ka kontribuar ndjeshëm në mosbesimin e përgjithshëm ndaj institucioneve. Është një organ i themeluar ad hoc që menaxhon krizën e koronavirusit në vend, i cili është formuar vetëm disa ditë para se të regjistrohej rasti i parë i infeksionit me koronavirus në Kroaci. Që nga fillimi, ekzistonte një dyshim i arsyeshëm në lidhje me ligjshmërinë e këtij organi, duke pasur parasysh se nuk kishte asnjë bazë në ndonjë ligj për t’ia lënë kompetencat e menaxhimit të krizave këtij Shtabi. Por kjo është pjesa më e vogël e problemit.

Pikërisht tre javë pas rastit të parë të infeksionit në Kroaci, Shtabi miratoi masa të rëndësishme epidemiologjike. Së pari, mësimi në shkolla dhe fakultete u kalua në versionin online, dhe menjëherë më pas u kufizuan tubimet shoqërore, u shfuqizua transporti publik dhe qytetarëve u ndalohej të largoheshin nga vendbanimet e tyre. U shpall një “lockdown” gjatë të cilit, përveç dyqaneve ushqimore, pothuajse asgjë tjetër nuk funksiononte. Konferencat e përditshme për shtyp të Shtabit, gjithmonë në të njëjtën kohë, ishin programi televiziv më i shikuar në Kroaci në ato ditë. Në këto kushte të tilla, Shtabi miratoi një sërë vendimesh që ishin plotësisht të dështuara dhe të pabazuara epidemiologjikisht, dhe që tronditën besimin e qytetarëve, gjë që për pasojë, pas valës së parë të pandemisë, çoi në shumë faktorë të tjerë që rritën dizinformatat dhe teoritë e konspiracionit.

Për shembull, ritet fetare përjashtoheshin nga disa masa me vendim të Shtabit Kombëtar. Kështu, i bie fjala, një procesion i madh tradicional u lejua të mbahej në ishullin Hvar dhe para Pashkëve u lehtësuan edhe masat, ndërsa gjatë një konference për shtyp, madje u soll edhe zëdhënësi i Konferencës së peshkopëve kroatë. Ashtu siç Kisha ka kërkuar me vite, përkohësisht të ndalohet puna e dyqaneve të dielën. Kur i pyetëm pse të dielën, morëm vetëm përgjigje jo bindëse. E gjithë kjo pa ndonjë argument të arsyeshëm ose të justifikuar epidemiologjikisht, madje pavarësisht fjalëve që ata vazhdonin të përsërisnin – “dy javët e ardhshme janë thelbësore” – fjalë që shumë kroatë me siguri do t’i mbajnë mend për pjesën tjetër të jetës së tyre.

Rregulla të tjera të lojës u lejuan edhe për zgjedhjet parlamentare të korrikut, kur u ndryshuan rregullat e vetë-izolimit u ndryshuan, si dhe kur u përpoqën të shpëtonin sa më shumë sezonin turistik, kështu që në ato muaj të verës koronavirusi humbi rëndësinë e tij, megjithëse numri ditor i të infektuarve në ato ditë ishte dy herë më i madh sesa kur vendi ishte i mbyllur plotësisht. ër njerëzit e zakonshëm varrimet ishin të kufizuara, por nuk kishte një rrezik të tillë epidemiologjik për varrimet e politikanëve të vdekur. Gjithashtu, “njerëzit e vegjël” duhej të izolonin veten pas kontaktit me një person të infektuar, ndërsa në rastin e disa të privilegjuarve, këto rregulla u relativizuan dhe u përshtatën nevojave të partisë në pushtet, për të cilat masat e distancës dhe mbajtjes së maskës nuk ishin të vlefshme pas fitores zgjedhore korrikun e kaluar.

Nuk ka vend për çudi

Në të njëjtën kohë, anëtarët e Shtabit në mënyrë të përsëritur e demantonin veten në pyetjen se sa efektive janë maskat mbrojtëse dhe ku duhet të mbahen. Për më tepër, për çdo rritje të numrit të të infektuarve, ata drejtpërdrejt fajësonin qytetarët, duke i ankoruar nga lart dhe duke i akuzuar ata për mosdisiplinë, kurse problemet i interpretonin ashtu siç dukej e përshtatshme për atë moment të caktuar kohor. Për shembull, kur Ministri i Shëndetësisë, i cili normalisht merrte pjesë çdo ditë në konferencat e shtypit të Shtabit, u filmua në kontakt të ngushtë me katër persona që puthnin dorën e mikeshës së tij, ky gjest nuk ishte problem. Ose kur u kap Shefi i Shtabit, gjithashtu Zëvendës Kryeministrin i cili pretendonte se ai kurrë nuk ka shtrënguart duart me dikë për shkak të pandemisë, u kap në gënjeshtër në çastin kur ia publikuan fotot. Të njëjtën gjë e bëri edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç. Për të gjithë këto, merrni me mend, e tundnin dorën, por kur u vinte radha qytetarëve, ata do të quheshin „bioterroristë“ në konferencat për shtyp të Shtabit Kombëtar. Mbi të gjitha, me të vërtetë nuk ka vend për tu habitur që disa njerëz nuk u besojnë “të vërtetave zyrtare”. Besueshmëria e shtabit shkrihej dhe shkrihej dita ditës, dhe një pjesë në rritje e publikut kërkonte vazhdimisht shpjegime alternative.

Të gjitha këtyre lëvizjeve u erdhi koha të paguajnë çmimin edhe sot kur interesi i qytetarëve për vaksinim është dobësuar ndjeshëm, pavarësisht nga fakti se ka vaksina më se të mjaftueshme. Sigurisht, këtë e kanë ndihmuar edhe faktorë të ndryshëm të tjerë, në fund të fundit, “skena anti-vaksinë” në Kroaci ka qenë shumë aktive për dy dekada, por sjellja e partisë në pushtet gjatë pandemisë sigurisht nuk ka ndihmuar aspak. Përkundër debaklit fillestar, sepse vaksinat mbërritën në Kroaci shumë vonë, për shkak të përzgjedhjes së dobët të paketave të vaksinave në të cilat shumica e dozave të rezervuara ishin AstraZeneca, Kroacia planifikoi të vaksinonte plotësisht gjysmën e popullsisë së rritur deri në 1 korrik 2021, kryesisht për shkak të sezonit turistik. Kjo nuk ndodhi sepse vetëm 31 përqind e popullsisë së rritur u vaksinuan me dy doza të vaksinës disa ditë para këtij afati. Vetëm në zonën e Zagrebit u arrit qëllimi i Qeverisë – 51 përqind e popullsisë së rritur u vaksinuan me dy doza. Sot, gjithashtu rezulton se autoritetet nuk kanë ndonjë strategji efektive për të bindur pjesën tjetër të popullsisë për t’u vaksinuar, ashtu si institucionet që nuk kishin ndonjë komunikim publik kuptimplotë gjatë gjithë krizës dhe nuk reaguan kur disa figura publike shpërndanin hapur dizinformata. Këtë punë ia lanë mediave. Por kjo tashmë është një temë për një tekst krejtësisht tjetër.

Është e qartë, ngado që të kthehemi, me lajmet e rreme, dizinformatat dhe teoritë konspirative, ne do të luftojmë për një kohë të gjatë. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të punohet në edukimin mediatik të qytetarëve, me një kurrikulë serioze arsimore, në mënyrë që të dallojnë burimet cilësore të informacionit nga ato që nuk janë. Mirëpo, kjo është një punë që duhet kryer politika. Dhe a kemi përmendur tashmë që politikanët janë ndër shpërndarësit më të mëdhenj të dizinformatave? Ja pra, tani po ua bëjmë me dije!

LAJME TË NGJAJSHME

Çka duhet të (mos ) bëjë Kurti ?

Press Online

Maqedonia është e vogël për oreksin e madh të biznesit të minierave

Press Online

Një finale patriotike për BE-në

Press Online

Pse do të dështonte një samit BE-Rusi

Press Online

Rama, Kurti dhe Ahmeti zotrues absolut të politikës shqiptare në Ballkan

Press Online

Lajmet e rreme dhe konfuzioni në kohë pandemie në Kosovë

Press Online