SPORT

Parada e “ndaluar” e Italisë, Federata nuk i respektoi marrëveshjet

Prefekti i Romës, Matteo Piantedosi ka zbuluar se Federata e Futbollit e Italisë (FIGC) “nuk i respektoi marrëveshjet”, pasi parada e Përfaqësueses së Italisë pas triumfit në “Euro 2020” në kryeqytetin Italian nuk ishte e autorizuar nga autoritetet lokale, kanë raportuar mediumet italiane të mërkurën. Prefekti i Romës foli për festën e “Azzurëve” në Romë pasi fituan në Kampionatin Evropian dhe pse autoritetet nuk ndaluan autobusin e hapur të parakalonte rrugëve të “Qytetit të Përjetshëm”.

Përfaqësuesja e Italisë, të dielën mbrëma u shpall kampione e Evropës, kur në stadiumin “Wembley” në Londër e mposhti në finale Anglinë 3:2 pas penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa fitues – 1:1. Një ditë pas këtij suksesi, ekipi italian u kthye në shtëpi për të festuar me tifozët në Romë. Ai tha se marrëveshja ishte që lojtarët të dilnin në podium për të festuar me tifozët.

“Federata italiane na kishte siguruar se do të përdorte një podium në sheshin ‘Piazza del Popolo’. Bllokimi i tyre do të kishte krijuar probleme të rendit publik”, tha Piantedosi për “Corriere della Sera”. “Ne kishim refuzuar lejen për të festuar fitoren e Italisë në Kampionatin Evropian në autobusin e hapur, por marrëveshjet nuk u respektuan”.

Për shkak të pandemisë COVID-19, autoritetet lokale donin të shmangnin tubimet masive në rrugë dhe prefekti i Romës pa dyshim që nuk ishte i lumtur për atë që ndodhi të hënën dhe “pasojat e mundshme që mund të ndodhin në javët e ardhshme, pavarësisht nga puna e madhe e bërë”.

Kur u pyet nëse Italia nuk duhej të festonte, ai u përgjigj: “Po, sigurisht. Por në mënyra të ndryshme”.

Prefekti Piantedosi ka mbetur shumë i zhgënjyer me veprimet e Federatës italiane, që insiston se e dinte shumë mirë që parada në Romë në asnjë mënyrë nuk duhej të bëhej me autobus të hapur.

“Të premten e kaluar ne thirrëm një komitet për rendin dhe sigurinë. Unë kisha rënë dakord me kërkesën e ministres së Brendshme Luciana Lamorgese dhe me shefin e policisë Lamberto Giannini. “Takimi ishte pikërisht për të vendosur se çfarë duhej të bëhej dhe për këtë arsye ne gjithashtu e përfshimë direkt edhe Federatën italiane”, ka zbuluar Piantedosi.

“FIGC kërkoi të lejojë futbollistët e ekipit kombëtar të udhëtojnë rreth Romës me një autobus të hapur, por u shpjegua qartë se kjo nuk ishte e mundur. Ne thamë se nuk mund të autorizonim këtë kërkesë.

Na u desh të menaxhonim kalimin nga ‘Quirinale’ në ‘Palazzo Chigi’, duke u përpjekur t’i respektonim nevojat e sigurisë të lidhura me pandeminë dhe për këtë arsye donim të shmangim tubimet”.

Prefekti vazhdoi të shpjegonte zgjidhjet e ndryshme të diskutuara me drejtuesit e Federatës italiane.

“Të hënën në mëngjes, FIGC propozoi zgjidhje të ndryshme, e fundit prej të cilave ishte të përdorte një platformë që do të mblidhej në ‘Piazza del Popolo’, në qendër të Romës, ku lojtarët mund të festonin me tifozët”, ka thënë ai. “Ne menduam se mund të ishte një ndërmjetësim i zbatueshëm, sepse na lejoi ta mbanim turmën nën kontroll në një vend, gjithashtu duke verifikuar që njerëzit mbanin maska ​​siç kërkohet nga dekreti në fuqi kur ka tubime”.

Mirëpo Përfaqësuesja e Italisë vendosi kundër podiumit në sheshin “Piazza del Popolo” dhe zgjodhi të udhëtonte nëpër rrugët e Romës me një autobus të hapur.

“Në pasditen e hershme të së hënës kemi pasur kontakte të tjera të drejtpërdrejta me stafin e Federatës, të cilët përsëritën kërkesën për të qenë në gjendje të përdorin autobusin e hapur”, vazhdoi Piantedosi. “Ne u shpjeguam të gjithëve se vlerësimet nuk kishin ndryshuar. Ne menduam se ata do t’i bënin lojtarët të ndalonin përpara ‘Palazzo Chigi’ pas takimit me kryeministrin Mario Draghi. Ne u siguruam se transferimi do të bëhej në një autobus të mbyllur. Në vend të kësaj, menjëherë pas largimit nga ‘Quirinale’, u bashkua një autobus i hapur me banderola dhe letra kushtuar kampionëve të Evropës”.

Prefekti i Romës tha se ai menjëherë e kontaktoi presidentin e Federatës italiane, Gabriele Gravinan, dhe zbuloi se do të kishte “krijuar probleme të rendit publik” nëse autoritetet do të ndalonin paradën e ekipit që ishte në autobusin e hapur.

“Ata argumentuan se tashmë kishte shumë turma në rrugë gjithsesi. Dhe lojtarët kishin një qëllim të fortë për të vazhduar festimet me një udhëtim në një autobus të hapur. Kishte mijëra njerëz që prisnin për udhëtimin me autobus, duke ndaluar atë që mund të kishte krijuar probleme të rendit publik”, tha ai.

Për Italinë, triumfi në “Euro 2020” ishte suksesi i parë në një Kampionat Evropian pas vitit 1968 dhe në total e ka fituar dy herë këtë turne. (Koha Ditore)

LAJME TË NGJAJSHME

Dybala do të mbetet te Juventusi

Press Online

Liverpooli pas Kessiet

Press Online

Ganiu priti në Komunë boksierët e suksesshëm të KB Shkupi-t

Press Online

Shkupi mposhtet bindshëm nga Santa Clara

Press Online

Shkëndija me gabimet e veta, mundet nga Riga

Press Online

Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer

Press Online