SPORT

Si do të ndikojnë kufizimet e reja në Japoni në Lojërat Olimpike

Një gjendje e jashtëzakonshme për shkak të virusit filloi të hënën në kryeqytetin e Japonisë, ndërsa numri i rasteve të reja po rritet shpejt dhe shtretërit spitalorë kanë filluar të mbushen, vetëm 11 ditë përpara fillimit të lojërave olimpike “Tokio 2020”. Më poshtë është një vështrim i gjendjes së jashtëzakonshme dhe si do të ndikojë ajo në Lojërat Olimpike që nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht.

Cilat janë kufizimet?

Urgjenca prej gjashtë javëve është e katërta e Japonisë që nga fillimi i pandemisë dhe do të zgjasë deri më datën 22 gusht. Synimi kryesor i gjendjes së re të jashtëzakonshme është kufizimi i alkoolit që shërbehet në bare dhe restorante, pasi autoritetet duan që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i shikojnë Lojërat Olimpike nëpërmjet televizorit duke mos u mbledhur në publik.

Ashtu si emergjencat e kaluara, shumica e masave janë kërkesa, sepse Qeverisë i mungon një bazë ligjore për të zbatuar bllokimet e vështira. Autoritetet së fundmi i kanë dhënë vetes më shumë pushtet për të lëshuar urdhra detyrues për bizneset që të mbyllin ose shkurtojnë orët në këmbim të kompensimit. Ato gjithashtu tani mund të gjobisin biznese që shkelin urdhrat. Gjendja e re e emergjencës kërkon që restorantet, baret, sallat e karaokeve dhe pikat e tjera të argëtimit ose të mbyllen ose të mos shërbejnë alkool. Gjithashtu është kërkuar nga dyqanet e pijeve alkoolike të ndërpresin biznesin me restorante dhe bare që sfidojnë kërkesën, por dyqanet e pijeve alkoolike thonë se kjo do të dëmtonte lidhjet e tyre të biznesit. Shkollat do të qëndrojnë të hapura gjatë kësaj emergjence, ndërsa parqet, muzetë, teatrot dhe shumica e dyqaneve dhe restoranteve kërkohet të mbyllen në orën 20:00. Banorëve të Tokios u kërkohet të shmangin daljet që nuk janë të nevojshme, të punojnë nga shtëpia dhe t’i përmbahen vendosjes së maskave dhe masave të tjera të sigurisë. Masat për publikun e gjerë janë jo të detyrueshme.

Cilat fusha i mbulon urgjenca e re?

Gjendja e fundit e jashtëzakonshme përfshin gati 14 milionë banorët e Tokios, ndërsa masat më pak të rrepta që përqendrohen në orët e shkurtuara për restorantet dhe baret prekin 31 milionë njerëz të tjerë në qytetet e afërta të Chibas, Saitamas dhe Kanagawas që janë shtëpi e disa prej ngjarjeve olimpike.

Masat përfshijnë gjithashtu qytetin e Osakas, i cili u godit rëndë nga një valë virusi në muajin prill, dhe ishullin jugor të Okinawas.

Si do të ndikojë kjo në Lojërat Olimpike?

Gjendja e jashtëzakonshme do të përfshijë të gjithë kohëzgjatjen e Olimpiadës, nga 23 korriku deri në javën e parë të gushtit. Ndikimi kryesor i kësaj gjendjeje do të jetë në ndalimin e tifozëve nga stadiumet dhe arenat në zonën e Tokios. Ndërsa gjendja e jashtëzakonshme kryesisht mbulon Tokion, zyrtarët olimpikë kanë vendosur të ndalojnë tifozët nga ngjarjet e organizuara në tri prefekturat fqinje të Tokios, ndërsa lejojnë tifozët në numër të kufizuar në vendet e tjera periferike. Ngjarjet e futbollit në Hokkaido dhe lojërat e bejsbollit e softbollit në Fukushima do të ndalojnë gjithashtu tifozët për shkak të shqetësimeve të virusit. Lojërat tashmë janë shtyrë prej vitit 2020 shkaku i pandemisë, dhe tifozët nga jashtë ishin ndaluar muaj më parë. Me kufizimet e reja, Lojërat Olimpike tani do të jenë një ngjarje e përcjellë vetëm në TV.

Sa e keqe është situata me virusin në Japoni?

Japonia e ka përballur pandeminë më mirë se shumë vende të tjera, duke regjistruar rreth 820 mijë raste të prekura dhe 15 mijë vdekje. Por situata është bërë më serioze javët e fundit dhe Tokio arriti kulmin në dy muajt e fundit me 950 raste të regjistruara të shtunën e shkuar. Ekspertët kanë paralajmëruar se varianti Delta i virusit, i cili mendohet të jetë më ngjitës, po përhapet me shpejtësi në zyra e klasa, dhe pa masa të ashpra numrat mund të rriten deri në muajin gusht. Rreth 16.8 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht, një numër që është rritur që nga muaj maj, por është ende shumë larg numrit ku zyrtarët shëndetësorë shpresonin të ishin para Lojërave Olimpike. Personat e rinj janë kryesisht ende ta pavaksinuar në Japoni.

A do të ankohet publiku?

Ekspertët shqetësohen nëse kërkesat e gjendjes së fundit të emergjencës do të ndiqen, kur shumë njerëz janë lodhur tashmë nga kufizimet dhe janë bërë më pak bashkëpunues.

Ministri i Shëndetësisë i Japonisë, Norihisa Tamura, ka thënë se parandalimi efektiv i njerëzve që të dalin jashtë për të pirë në mes të gjendjes festive të lojërave olimpike “do të jetë një dhimbje koke”.

Të rinjtë tashmë po mblidhen nëpër rrugë dhe parqe për të pirë, pasi restorantet dhe baret po mbyllen në orën 20:00. Zyrtarët metropolitanë të Tokios kanë filluar patrullimin gjatë natës për t’i përzënë ata.

Ekspertët thonë se japonezët që enden gjatë pushimeve verore, mund të jenë një rrezik më i madh për Lojërat Olimpike sesa sportistët dhe pjesëmarrësit e tjerë, aktiviteti i të cilëve do të monitorohet nga afër.

LAJME TË NGJAJSHME

Dybala do të mbetet te Juventusi

Press Online

Liverpooli pas Kessiet

Press Online

Ganiu priti në Komunë boksierët e suksesshëm të KB Shkupi-t

Press Online

Shkupi mposhtet bindshëm nga Santa Clara

Press Online

Shkëndija me gabimet e veta, mundet nga Riga

Press Online

Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer

Press Online