SHOWBIZ

Billie Eilish e quan të tmerrshme betejën ligjore të Britney Sperasit

Ylli i njohur i muzikës, Billie Eilish, ka folur për betejën e vazhdueshme rreth kujdestarisë ligjore të pop yllit, Britney Spears, duke e quajtur atë diçka vërtetë të tmerrshme.

Në fillim të muajit korrik, Spears e pati një seancë dëgjimore në gjykatën e Los Angelesit, me ç’rast i tha gjykatësit se dëshiron që babai i saj, Jamie, të largohet nga detyra e kujdestarit të saj ligjor si dhe të paditet për abuzim të detyrës.

Këngëtarja gjithashtu u lejua ta caktojë përfaqësimin e saj ligjor, pasi deri vonë është dashur të përfaqësohet nga një avokat i caktuar nga gjykata.

Në një intervistë të fundit për revistën “Vogue Australia”, Billie Eilish u pyet rreth kësaj situate me ç’rast tha se është e shikuar nga problemet e vazhdueshme ligjore të Spearsit, dhe është falënderuese që ajo gjithmonë e ka pasur afër vetes një ekip të njerëzve të mrekullueshëm dhe përkrahës.

“Është me të vërtetë e tmerrshme ta mendosh se çfarë përjetimesh kanë pasur shumë femra të reja. Dua të them, fatmirësisht unë nuk e kam pasur përreth një ekip njerëzish që donin të më shkatërronin apo lëndonin në çfarëdo mënyre, gjë që është shumë e rrallë në këtë biznes. Dhe kjo nënkupton shumëçka. Prandaj, ndihem me fat dhe falënderuese që e kam një grup të njerëzve të mirë përreth vetes, të cilët nuk kanë dashur të më shfrytëzojnë dhe të bëjnë gjëra, që njerëzit në të kaluarën i kanë bërë shpesh me artistet e reja, njësoj sikurse me Britney Spearsin”.

Së fundmi, këngëtarja 39-vjeçare e postoi një mesazh në rrjetet sociale, përmes së cilit sugjeroi se nuk planifikon të performojë live në skenë derisa babai i saj, Jamie Spears, vazhdon të jetë kujdestari i saj ligjor.

Këngëtarja 39-vjeçare e muzikës pop dëshiron t’i japë fund kësaj marrëveshjeje, duke e quajtur atë abuzive.

Çështja e kujdestarisë ishte vendosur pasi babai i Britneyt, Jamie Spears kishte bërë kërkesë në një gjykatë për autoritet ligjor mbi jetën e yllit të muzikës, mes shqetësimeve në lidhje me shëndetin e saj mendor.

“Nuk do të performojë askund derisa babai im vendos se çka të veshi, them, bëjë, apo mendoj. Kjo kujdestari më ka vrarë ëndrrat. Krejt çka kam është shpresa”, ka shkruar Britney në një postim në Instagram.

Hera e fundit kur ajo ka performuar në publik ka qenë fundi i vitit 2018.

Në lajme të tjera, Billie Eilish ka treguar se ndihet jashtëzakonisht e turpëruar për disa gjëra që i ka bërë apo thënë në të kaluarën, dhe të cilët po qarkullojnë online.

Pop ylli 19-vjeçar i shpërblyer me çmim “Grammy”, tha për revistën “Vogue Australia” se shpesh i vjen rnëdë të përballet me sasinë e informacionit rreth saj që është në dispozicion të publikut përmes internetit.

“Është shumë e çuditshme se si bota mund ta shikojë çdo aspekt të jetës tënde dhe ta rikujtojë atë. Internet sjell në sipërfaqe gjëra nga e kaluara e secilit, dhe unë çuditem se si njerëzit nuk e kuptojnë se të gjithë ndihemi të turpëruar nga e kaluara jonë”, ka deklaruar Eilish.

Ylli i hitit “Bad Guy” së fundmi u etiketua si raciste për shkak të një videoje të montuar, ku ajo dëgjohet duke folur me një aksent të cilin disa njerëz po e interpretojnë sikur shaka nënçmuese ndaj aziatikëve.

“Në videon tjetër që është një klip i montuar unë dëgjohem duke folur fjalë pa kuptim dhe më një zë të cilin e kisha shpikur si fëmijë. Kështu flisja sa herë që bëja shaka apo iu adresohesha kafshëve shtëpiake, miqve të ngushtë apo familjarëve të mi. Janë fjalë pa kurrfarë kuptimi dhe një budallallëk absolut i një vajze të papjekur, dhe në asnjë mënyrë nuk është një imitim i askujt ose i ndonjë gjuhe, theksi apo kulture tjetër. Kushdo që më njeh mua më ka parë duke bërë zëra të këtillë gjatë gjithë jetës”, citohet të ketë thënë këngëtarja.

Tutje, Eilish ka deklaruar se reagimet me të cilat janë pritur këto video ia thyejnë zemrën, sepse ajo nuk do të dëshironte që njerëzit të lëndoheshin nga ky keqinterpretim.

“Pavarësisht se si është interpretuar kjo video, unë asnjëherë nuk kam dashur që ndonjë nga veprimet e mia t’i lëndojë të tjerët, dhe absolutisht më thyhet zemra për faktin se po etiketohet si video raciste dhe kështu mund të shkaktojë dhimbje tek njerëzit që e dëgjojnë atë. Unë jo vetëm që besoj, por gjithmonë kam punuar shumë për ta përdorur platformën time për të luftuar për përfshirjen, mirësinë, tolerancën, drejtësinë dhe barazinë. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të nxisim biseda që i luftojnë padrejtësitë dhe diskriminimet, të mësohemi të dëgjojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ju dua shumë të gjithëve”, përfundoi këngëtarja.

Billie Eilish aktualisht po bëhet gati ta hedhë në treg albumin e dytë muzikor, “Happier Than Ever”, i cili pritet të lansohet më 30 korrik të këtij viti.

LAJME TË NGJAJSHME

Publikohet bashkëpunimi mes Elvana Gjatës, Innas dhe Sickotoyt

Press Online

Dua Lipa në Tiranë, viziton punimet e kopshtit për fëmijë

Press Online

Dhurata Dora dhe Noizy publikojnë sonte bashkëpunimin

Press Online

Arta Elezaj e krahason veten me bakllavë

Press Online

Marka të mëdha prishin kontratat me këngëtarin e famshëm kinez

Press Online

Elvana Gjata dhe Yll Limani publikojnë bashkëpunimin

Press Online