SPORT

Futbollistet amerikane në kërkim të medaljes së pestë të artë olimpike

Përfaqësuesja e SHBA-së në futboll (femrat), është në një flluskë të veten për Lojërat Olimpike të Tokios. Dhe kjo nuk është vetëm për shkak të kufizimeve ndaj koronavirusit.

Fitueset e Kupës së Botës janë bërë të afta të kufizojnë të gjithë zhurmën e jashtme – debatet në dukje të pafundme të mediave sociale, ekspertët televizivë dhe madje edhe bisedat që i konsiderojnë ato si më të mirat në botë.

“Unë mendoj se veçanërisht lojtaret që kanë kaluar nëpër këta turne të mëdhenj e kanë kuptuar se duhet të qëndrojnë në hapësirën më të mirë mendore dhe nganjëherë duhet të ndahen nga pjesa tjetër, duke u përqendruar maksimalisht për gara. Për këtë arsye edhe kemi krijuar ‘flluskën’ tonë për të mos lejuar që asgjë të ndikojë në paraqitjet tona në Lojërat Olimpike”, tha mbrojtësja Becky Sauerbrunn. “Kështu që ne ndihemi të sigurta në ‘flluskën’ tonë dhe jemi të mbrojtura”.

Turneu olimpik i futbollit për femra fillon të mërkurën. SHBA-ja, ekipi i rangut më të lartë në botë dhe favorit për të fituar medaljen e artë olimpike, ndeshjen hapëse të turneut olimpik e luan kundër Suedisë në “Tokio Stadium”.

Futbollistet amerikane në LO “Tokio 2020” po synojnë medaljen e artë, që do të ishte e pesta për to. Ato synojnë suksesin që do të kalonte suksesin e ekipeve të tjera. Futbollistet amerikane gjithashtu mund të bëhen femrat e para që e fitojnë medaljen olimpike pas titullit të botës. Dhe, ka një arsye për të besuar se futbollistet amerikane do ta bëjnë pikërisht këtë. Skuadra nuk di për humbje në 44 ndeshje rresht, seria e dytë më e gjatë pa humbje në historinë e ekipit.

Është një skuadër e gjerë dhe me një sulm të frikshëm. Shtatëmbëdhjetë nga lojtaret ishin pjesë e ekipit që triumfoi në Kampionatin Botëror.

Christen Press është përfshirë drejtpërdrejt në 37 gola në 37 ndeshjet e saj të fundit, me 16 gola dhe 18 asistime. Megan Rapinoe, sulmuesja e krahut, është golashënuesja kryesore e ekipit këtë vit, me shtatë gola të realizuar. Në heshtje, duke mbajtur portën e paprekur është portierja Alyssa Naeher, e cila ka pritur gjashtë penallti në nëntë ndeshje që ka startuar këtë vit. Naeher është ndoshta liderja në ekip kur bëhet fjalë për të “kufizuar” zhurmën. Ajo iu shmang të gjitha mediave sociale gjatë serisë së ekipit në Francë dy vjet më parë dhe shpesh mbushte fjalëkryqe para ndeshjeve për t’u qetësuar.

“Gjithçka ka të bëjë me ndarjen. Sa më e mbyllur të jesh gjatë një turneu të rëndësishëm, mundësia është më e madhe për ta fituar atë”, tha Naeher.

Sigurisht, do të jetë pak më e lehtë për amerikanet të qëndrojnë të përqendruara në këtë turne. Japonia është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus. Si rezultat i kësaj, sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike do të jenë me ekipet e tyre ose “flluska” individuale me protokolle të rrepta anti-COVID-19. Dhe asnjë tifoz nuk do të lejohet në ngjarjet sportive.

“Nuk është konfigurimi më i mirë për sa i përket të qenit në gjendje të shëtisësh ose thjesht të dalësh jashtë, të marrësh një kafe apo ndonjë gjë tjetër. Ky opsion nuk është në dispozicion për ne”, pranoi mbrojtësja tjetër, Kelley O’Hara. “Por, në fund të ditës, ne tashmë jemi mësuar me këtë situatë, pasi ka disa muaj që kemi vepruar kështu në grumbullimet tona. Kështu që ky është realiteti i turneut dhe i Lojërave Olimpike, bazuar në situatën aktuale. Ne jemi pajtuar tashmë me këtë fakt”.

SHBA-ja e kishte një kamp përgatitor që e mbajti në qytetin Miyazaki, para se të mbërrinte në Tokio të premten e shkuar që të bëhet gati për duelin me Suedinë, ekip që i eliminoi amerikanet në çerekfinale të lojërave olimpike “Rio 2016”.

Australia luan me Zelandën e Re në ndeshjen e dytë, që gjithashtu zhvillohet në “Tokio Stadium”. Dymbëdhjetë skuadrat e femrave janë të ndara në tri grupe për turneun, i cili do të luhet në gjashtë stadiume në të gjithë vendin. Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshje, por në stadiumin në Sapporo. Britania luan me Kilin, kurse Japonia përballet me Kanadanë. Kina luan me Brazilin dhe Zambia luan ndaj Holandës në “Miyagi Stadium”.

Si kapitene e SHBA-së, Sauerbrunn e ka për detyrë të mbajë ekipin të fokusuar drejt synimit të madh, medaljes së artë olimpike, për ta shkruar historinë.

“Është një aftësi që unë mendoj se të gjithë duhet ta mësojnë, veçanërisht në këta turne të mëdhenj, sepse nuk janë aspak të lehtë”, tha Sauerbrunn në lidhje me izolimin e amerikaneve. “Ka shumë stres, ka shumë zhurmë dhe vetëm në këtë mënyrë ne mund ta bllokojmë atë. Pra jemi të qeta dhe të gatshme ta dëshmojmë forcën tonë edhe në Lojërat Olimpike. Synimi natyrisht që mbetet medalja e artë dhe do të ishte një sukses i madh pas triumfit në Botëror”.

LAJME TË NGJAJSHME

Dybala do të mbetet te Juventusi

Press Online

Liverpooli pas Kessiet

Press Online

Ganiu priti në Komunë boksierët e suksesshëm të KB Shkupi-t

Press Online

Shkupi mposhtet bindshëm nga Santa Clara

Press Online

Shkëndija me gabimet e veta, mundet nga Riga

Press Online

Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer

Press Online