Press Online
AKTUALE

Merkeli në Tiranë me mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor

Kancelarja gjermane Angela Merkel në kuadër të Procesit të Berlinit dje e ka vazhduar vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku ka pasur takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama si dhe shefat e qeverive të Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Merkeli ne aeroportin e Tiranës është pritur nga ministrja shqiptare për Evropë dhe Punë të Jashtme, Olta Xhaçka, ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf dhe ambasadori shqiptar në Gjermani, Artur Kuko.

Xhaçka e përshëndeti kancelaren gjermane dhe përmes publikimit në rrjetet sociale i shprehu mirënjohje për mbështetjen që jep Merkeli për integrim evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe për përforcim të bashkëpunimit dhe zhvillimit të rajonit.

“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen kancelares gjermane, Angela Merkel e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me kryeministrin, Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për përforcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, ka shkruar Xhaçka.

Nën sigurim të fortë Merkeli mbërriti para Pallatit të Brigadave ku e priti kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama e ka nderuar kancelaren gjermane, Angela Merkel me medaljen “Ylli i Mirënjohjes” gjatë vizitës që zhvilluan me njëri-tjetrin.

“DANKE ANGELA”, shkroi Rama në rrjetet sociale. “Ky është Yll i Mirënjohjes dhe ky këtu është simboli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, i cili mbrojti Shqipërinë nga pushtimi e u mbiquajt “Atleti i Krishtit” si mbrojtës i Krishterimit. Kështu që mendoj se ju detyrohemi për këtë. Nuk do mbaj fjalim këtu se e di që ju nuk para i duroni ceremonitë ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, theksoi Rama.

Në delegacionin qeveritar të Maqedonisë së Veriut të kryesuar nga kryeministri Zaev kanë qenë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ku patën takim dypalësh me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë.

Kryeministri Zaev në takimin bilateral me kancelaren gjermane Angela Merkel i parashtroi qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me nevojën për përshpejtimin e proceseve eurointegruese dhe për zgjidhje më të shpejtë të problemit të cilin e imponoi Bullgaria fqinje. Siç u theksua në kumtesën qeveritare nga takimi, Zaev theksoi se propozimi i vetëm i pranueshëm që vendi ynë të kapërcejë bllokimin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor është propozimi i paraqitur gjatë presidencës portugeze të BE -së, i cili respekton angazhimet dhe në të dyja palët për promovimin e marrëdhënieve reciproke dhe për proceset e integrimit evropian në rajon.

Në takimin dypalësh, kryeministri Zaev gjithashtu u përqendrua edhe në iniciativën Ballkani i Hapur e cila bazohet në parimet e funksionimit të Bashkimit Evropian.

“Neve na duhet të zgjidhim pengesat politike sa më shpejt të jetë e mundur dhe të integrojmë Maqedoninë e Veriut në BE. Ne kemi përfunduar me sukses detyrat e shtëpisë, por kjo nuk do të thotë që ne të ndalemi këtu, përkundrazi, ne punojmë çdo ditë dhe luftojmë për një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë”, theksoi kryeministri Zaev në takimin dypalësh me kancelaren Merkel.

Kancelarja Merkel, siç u tha në kumtesë u pajtua me delegacionin qeveritar se integrimi në BE i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit nuk duhet të vonohet dhe se përparimi i vazhdueshëm është vërejtur nga të gjitha institucionet përkatëse evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit.

Zaev dhe kancelarja Merkel diskutuan gjithashtu shkëmbimin tregtar midis dy vendeve dhe promovimin shtesë të investimeve ekonomike në vend, duke pasur parasysh klimën e favorshme të biznesit që e bën Gjermaninë partnerin numër një tregtar të Maqedonisë së Veriut për vite me radhë.

Kryeministri Zaev ka falënderuar kancelaren Merkel për angazhimin e saj personal në punën e saj të përgjithshme të përkushtuar dhe kontributin e paçmuar në forcimin e marrëdhënieve të Gjermanisë me Maqedoninë e Veriut, si dhe mbështetjen e saj dhe vendit të saj në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe Procesi i anëtarësimit në BE.

Në kumtesën e Qeverisë citohet se Merkeli ka thënë se Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq mori pjesë në një drekë pune në Tiranë me Merkelin dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke u fokusuar kështu në bashkëpunimin rajonal dhe mekanizmat për përmirësimin e tij.

“Me këtë rast, Merkel veçanërisht theksoi se Mali i Zi është vendi-kandidat më i përparuar për anëtarësim në BE, duke e theksuar rëndësinë e idesë së një tregu të përbashkët ekonomik rajonal, i cili, sipas mendimit të saj, mund të jetë i dobishëm për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor”, kumtoi Qeveria malazeze. Krivokapiq e falënderoi Merkelin për njohjen që ajo i bëri Malit të Zi dhe njohjen e reformës së Qeverisë së re dhe kursit evropian.

Qeveria malazeze shtoi se nevoja për punë të vazhdueshme brenda Procesit të Berlinit në vitet e ardhshme u theksua në drekën e punës, si një nga nismat më të rëndësishme diplomatike nga viti 2014, që synon zgjerimin e BE-së.

“Në atë kuptim, u shpreh synimi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë shumë në proceset e brendshme të reformës, në mënyrë që procesi i integrimit në BE të rrjedhë më shpejt dhe më intensivisht”, thuhej në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit me Merkelin ka thënë se nuk do të jenë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur” derisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Ai shtoi se nuk mund të jetë në të njëjtën tryezë dhe të marrë vendime të përbashkëta me një shtet që mohon krimet e kryera ndaj popullit shqiptar. Kurti theksoi se të gjithë duhet të bëjnë presion mbi Serbinë, jo Kosovën.

“Ne jemi për marrëdhënie të mira dypalëshe, jo për të shprehur mirëkuptim ndaj Serbisë. Çdo kuptim i mosnjohjes së Kosovës, i kushton Kosovës. Ne nuk e konsiderojmë në interes të një Serbia që mohon krimet dhe nuk e njeh pavarësinë tonë që të jemi bashkë, të marrim vendime së bashku. Kosova nuk duhet të ndryshohet, por Serbia dhe ata që përpiqen të bëjnë presion mbi Kosovën gabojnë. Është detyrë e çdo shqiptari të bëjë presion mbi Serbinë”, tha Kurti.

Pas takimit me kancelaren gjermane në Tiranë, të cilin ai e përshkroi si të frytshëm, ai tha se procesi i Berlinit është i mjaftueshëm dhe nuk nevojiten alternativa të tjera për të krijuar frymë pozitive në Ballkan, duke theksuar se procesi i Berlinit është një mënyrë për Kosovën integrimit në Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të ketë fonde evropiane pa vlera evropiane. Për vendet tona, theksova se janë katër elemente të nevojshëm për paqen dhe stabilitetin, shteti ligjor që vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve, i dyti është demokratizimi. E treta është përballja me të kaluarën që nuk lejon që kriminelët e luftës të jenë të lirë, e katërta është reciprociteti i pakicave kombëtare kundrejt hegjemonisë”, tha ndër të tjera Kurti.

Sipas tij, procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për integrimin në Ballkan.

“Ballkani nuk është gjashtë, por të paktën 12 vende. BE -ja duhet të jetë ndryshimi në mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është se në këtë të fundit ne nuk kemi BE-në. Duhet gjithashtu të theksohet se Kosova është një shtet i pavarur dhe ne të gjithë duhet të angazhohemi në mënyrë të pavarur nga BE”, tha Kurti.

Kryeministri Edi Rama madje në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kancelaren gjermane Angela Merkel, shprehu vlerësim të përbashkët se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet me iniciativa të reja që shfaqen dhe iniciohen me kalimin e kohës.

Sipas tyre, “Ballkani i Hapur” nuk është iniciativë e cila synon të garojë me Procesin e Berlinit, por është mjet i rajonit për zbatimin e Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit është esenca e gjithçkaje dhe në këtë kontekst nuk mund të zëvendësohet. Gjërat mund të përshpejtohen në këtë proces. Nuk ka rëndësi se kush mund të kujdeset për të, ka shumë miq që mund të kujdesen për të. Çdo kancelar tjetër federal do të jetë një mik i këtij rajoni, ka shumë njerëz që punojnë dhe jetojnë atje dhe interesi për të punuar dhe bashkëpunuar me këtë rajon është i madh”, tha kancelarja Merkel.

Duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe qëndrueshmërinë ekonomike, Rama tha se duhet të nënshkruhet një marrëveshje mbi një treg të përbashkët rajonal midis gjashtë vendeve.

Mes tjerash, ai shtoi se një nga pengesat është Serbia e cila nuk lejon lëvizjen e lirë të njerëzve.

Nga ana tjetër, ai nuk ngurroi të akuzonte kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, duke thënë se ai po bënte një teori konspirative për “Ballkanin e Hapur”.

“Kancelarja me të drejtë e thekson nevojën që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshje në një treg të përbashkët rajonal. Procesi i pajtimit është konfuz dhe ajo që ne kemi parë në të kaluarën është se një vend apo një tjetër po na bën të gjithëve të mbetemi prapa. Kjo është arsyeja pse “Ballkani i Hapur” nuk u krijua për të përjashtuar askënd, por për të mos u varur nga vetoja ose teoritë e komplotit të dikujt nga një tjetër”, tha Rama duke aluduar në kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili e kundërshton këtë iniciativë. Shtoi se Procesi i Berlinit ka 4 liri të BE-së, njerëz, kapital, mallra dhe shërbime dhe investime që dalin nga pakoja e komisionit.

“Sa i përket 4 lirive, ne duam të lëvizim më shpejt. Një nga pengesat ishte se Serbia nuk e pranoi lëvizjen e lirë të njerëzve, pasi kishte një paragjykim se lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të garantohej. Është e pabesueshme sot që Kosova nuk po e përdor këtë për vete, por mbetet dhe po bën teori konspirative për” Ballkanin e Hapur”, theksoi Rama.

Ai theksoi se “rruga është e asfaltuar. Procesi i Berlinit do të vazhdojë. Ballkani i Hapur është mekanizmi për përshpejtim të ri. Nuk ka kurrfarë kontradikta midis dy iniciativave”.

Lajme të ngjashme

ANKETË/ ASH-AAA prinë para BDI-së, Taravari mbetet i pari i Gostivarit

Press Online

Shaqiri: Aplikacioni për nxjerrjen e dokumenteve nga celulari është gati

Press Online

Bexheti: Opozita shqiptare do ta bëj ndryshimin dhe kthesën e madhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Press Online

Byrnes: Të gjithë partnerët e Maqedonisë të veprojnë jo vetëm si partnerë të BE-së, por edhe SHBA-ve

Press Online

Mamer: Ursula fon der Lajen në Shkup do të bisedojë për kontestin me Bullgarinë

Press Online

Popullsia rurale rrallë i përdor shërbimet elektronike që i ofrojnë komunat

Press Online

Ju nuk mund të kopjoni përmbajtjen e kësaj faqe