Press Online
OP/ED

Greqia te porta e Republikës së Kosovës

Në një shkrim të hollësishëm, i botuar në gazetën greke “Kathimerini”, ambasadori grek Alexandros Mallias ka folur për një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të intensifikimit të kontakteve bilaterale të nivelit të lartë me Kosovën.

Në fund të kësaj rruge ai ka theksuar se, sipas të gjitha gjasave, është njohja.

“Qasja ime e shprehur publikisht tashmë sa vite është: sapo të merret vendimi politik duhet të niset procesi i nënshkrimit të një marrëveshjeje, përkatësisht një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën, e cila më pas do të ratifikohej nga parlamentet e dy vendeve. Prandaj, duhet të ketë mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë parlamentit grek”, ka shkruar Malliasi.

Ndërsa, kanë kaluar 16 vjet (3 mars 2005) qëkur ish-kryeministri Kostas Karamanlis vizitoi Kosovën.

“Ishte vizita e parë dhe fatkeqësisht e fundit e një kryeministri grek në shtetin e pavarur, të cilin Greqia nuk e ka njohur dhe që është rreth dy orë larg nga kufiri në Evzoni. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Dendias, ka lansuar një dialog të nivelit të lartë mes Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të kësaj rruge me gjasë është njohja. Një zhvillim i tillë, që do ta afronte Greqinë me faktorin shqiptar, pa dyshim se do ta dridhte primatin e Turqisë. Përmes raporteve me politikanë specifikë ajo ka zënë Kosovën. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht ajo ka forcuar dhe thelluar raportet në shkallë të paprecedentë për një dekadë me Serbinë, e cila po negocion për shkëmbim territoresh me një shtet të cilin nuk e njeh. Eksperimente ballkanike”, ka shkruar ambasadori Malliasi, i cili po ashtu është autor i librit “Kufijtë – Revizionizëm”, transmeton Zeri.info

Në këtë shkrim ai ka nënvizuar se është e pakuptimtë dhe e rrezikshme që Kosova të krahasohet me Qipron.

“Sidomos kur Opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010 shprehimisht thotë (në paragrafin 81) se nuk mund të ketë paralele ose analogji mes Republikës së Qipros dhe Kosovës. Sa u përket pohimeve për një analogji me një pjesë gjeografike të Greqisë, mund të shpreh vetëm habi”./Zëri

Shkrimi i plotë i ambasadorit Aleksandër Mallias:

Greqia te porta e Republikës së Kosovës

Gjatë vizitës së fundit në Beograd dhe Tiranë, kacelarja Angela Merkel risolli në vëmendje rëndësinë e Ballkanit. Është koha që ne të ndërmarrim hapat e radhës në trekëndëshin Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.

1. Përkundër qëndrimeve optimiste në Athinë dhe Tiranë, baza e marrëdhënieve bilaterale mbetet burim i shqetësimit. Shqipëria ka politikë stabile. Politika e fqinjëve tanë, përkundër dobësive dhe mungesës së kredibilitetit, nuk varen vetëm nga emri i kryeministrit. Politikanët e Shqipërisë konstatuan se normalizimi i marrëdhënieve bilaterale është më i nevojshëm për Athinën. Kryesisht sepse Greqia, pa kërkesa dhe kushte të qarta, kur nuk i prinë procesit vazhdimisht jep pëlqim për integrimin e Shqipërisë në BE. Kështu, nuk kemi shfrytëzuar një mundësi të mirë për caktimin e një kornize të para-anëtarësimit që do t’i zgjidhte çështjet bilateral edhe delimitimin e EEZ-së së bashku me pranimin e Shqipërisë si vend kandidat.

Dyshimi i ndërsjellë

2. Greqia dhe opinioni publik grek e kanë trajtuar Shqipërinë me ndjenja kontradiktore të shqetësimit dhe arrogancës. Establishmenti politik dhe struktura specifike të mekanizmave shtetëror të Shqipërisë e kanë parë vazhdimisht Greqinë me një përzierje të fortë të dyshimit të thellë dhe pasigurisë. Greqia ka qenë interes parësor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për 30 vjet. Edhe më i rëndësishëm është interesi i Serbisë, pozicioni i së cilës po përmirësohet vazhdimisht në Shqipëri.

Objektivat diplomatike

3. Forcimi i raporteve tona me Shqipërinë, në kombinim me rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia, janë duke u trajtuar ndaras, por paralelisht. Për Greqinë, tash e një kohë të gjatë, zgjidhja e çështjeve të hapura me Shqipërinë ka qenë prioritet, pa dyshim. Rruga mbetet përpjetëze. Çështjet kryesore janë: a) minoriteti kombëtar grek, gjegjësisht Himara; dhe b) përshpejtimi i negociatave bilaterale për referimin e delimitimit të EEZ në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pa vonesa të mëtejme nga ana shqiptare.

Procesi i njohjes

4. Një zhvillim i rëndësishëm është intensifikimi i kontakteve bilaterale të nivelit të lartë me Kosovën. Kanë kaluar më se 16 vjet (3 mars 2005) që kur ish-kryeministri Kostas Karamanlis vizitoi Kosovën. Ishte vizita e parë dhe fatkeqësisht e fundit e një kryeministri grek në shtetin e pavarur – të cilin Greqia nuk e ka njohur – dhe që është rreth dy orë larg nga kufiri në Evzoni. Ministri i Punëve të Jashtme, Z. Dendias, ka lansuar një dialog të nivelit të lartë mes Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të kësaj rruge me gjasë është njohja. Një zhvillim i tillë, që do ta afronte Greqinë me faktorin shqiptar, padyshim se do ta dridhte primatin e Turqisë. Përmes raporteve me politikanë specifik ajo ka zënë Kosovën. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht ajo ka forcuar dhe thelluar raportet në shkallë të paprecedent për një dekadë me Serbinë, e cila po negocion për shkëmbim territoresh me një shtet të cilin nuk e njeh.

Eksperimente ballkanike

5. Sipas diplomatëve, një deklarim politik formal për njohjen e Republikës së Kosovës mund të jetë mundësi e humbur për të siguruar shkëmbim bilateral përmbajtjesor. Qasja ime e shprehur publikisht tashmë sa vite është: sapo të merret vendimi politik duhet të niset procesi i nënshkrimit të një marrëveshje, përkatësisht një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën, e cila më pas do të ratifikohej nga parlamentet e dy vendeve. Prandaj, duhet të ketë mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë parlamentit grek.

6. Përmes këtij procesi ligjor të njohjes dhe paktit me përfitime të dyanshme me Kosovë, besoj se Greqia siguron interesat bilaterale dhe regjionale, veçanërisht në çështje që na interesojnë, shqetësojnë dhe bezdisin. Nene të veçanta do të merreshin me propagandën armiqësore, shpengimin, e të tjera. Procedura e brendshme e ratifikimit të Paktit në Greqi dhe shprehimisht njohja e Republikës së Kosovës do të bëheshin pas përfundimit të ratifikimit të brendshëm në Kosovë. Mbi të gjitha, megjithatë, është adekuate të përfshihet në tekst një referencë eksplicite e zotimit të Prishtinës për ndalesën e “bashkimit me cilindo shtet fqinj” në pajtim me Nenin 1 (paragrafët 1 dhe 3) të kushtetutës së tyre. Ky provizion – element thelbësor i pavarësisë së kushtëzuar – sot ka të bëjë me përjashtimin e opsionit të shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve me Serbinë, dhe nesër përjashtimin opsionit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Prandaj, njohja është e lidhur me kushtin themelor në rrafshin rajonal të përjashtimit të ndryshimit të kufijve, ndarjes, dhe shkëmbimit të territoreve (me Serbinë) dhe bashkimin e mundshëm (me Shqipërinë). Presidenti Serb Aleksandar Vuçiq dhe ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me mbështetjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, kane punuar së bashku – si duket nga pikëfillime të ndryshme, mirëpo me interesa konvergjente – për një Ballkan të ri dhe të rrezikshëm dhe zhvendosje të detyruar të popullsisë. Ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk është fundi. Ajo ndez revozionizmin. Është Kutia e Pandorës.

7. Në pyetjen se pse i referohem në detaje Shqipërisë, përgjigja është e thjeshtë. Për shumë njerëz, Kosova është sinonim me Shqipërinë. Përgjegjësia është te politikanët Shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët, shkelin, mes tjerash, Kushtetutën e Kosovës duke folur për bashkimin e dy shteteve. Po ashtu, promovimi i “Shqipërisë Natyrale apo Kombëtare” teston asociimet. Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia presupozon një kapital të fortë politik dhe diplomatik në raportet Athinë-Tiranë. Ai ekziston, mirëpo duhet të jetë e qartë po ashtu se raportet Athinë-Prishtinë nuk duhet të trajtohen si çështje e agjendës së raporteve Greko-Shqiptare. Ashtu si nuk duhet të jenë subjekt i raporteve të Greqisë me Serbinë. Përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve serb të cilët zgjedhin të harrojnë se Greqia ka shpenzuar shumë kapital diplomatik në përkrahje të politikave jugosllave dhe serbe në të kaluarën. Pa asnjë konsideratë. Në cilëndo çështje bilaterale apo regjionale. Një problem klasik i atyre që japin pa kërkuar.

Synimi

8. Si pragmatist, nuk jam shumë optimist se kjo qasje do të ketë përkrahje universale. Shpesh sloganet e injorancës dhe stereotipave bëhen simbole. Është e pakuptimtë dhe e rrezikshme që Kosova të krahasohet me Qipron. Sidomos kur Opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010 shprehimisht thotë (në paragrafin 81) se nuk mund të ketë paralele apo analogji mes Republikës së Qipros dhe Kosovës. Sa i përket pohimeve për një analogji me një pjesë gjeografike të Greqisë, mund të shpreh vetëm habi.

9. Opsioni i propozuar është formulimi i një pakete të fortë pohuese dhe negociuese. Në kërkim të një pike më të lartë të ekuilibrit të interesave. Si në të kaluarën, kushti i nevojshëm është pajtimi i forcave tona politike.

(Alexandros P. Mallias është një ambasador nderi, autor i librit përkatës “Kufijtë – Revizionizëm”).

Lajme të ngjashme

Rruga e Serbisë drejt imunitetit kolektiv: Kush mbijeton do të dëshmojë

News Desk

Të votohen programet më përparimtare e më premtuese politike si dhe kandidatët më të mirë në RMV dhe në RKS.

News Desk

Alush Kamberi, dhe “Rrëfimet e gurbetqarit të pastrehë!”

News Desk

Gaz lotsjellës në vend të vaksinave

News Desk

Të përkundim gjenerata të reja në një djep të thyer!

PRESSonline.mk

“Kriza e çmimeve dhe Shqipëria në ankand”

News Desk