Press Online
AKTUALE MAQEDONI

KE: Korniza ligjore për furnizimet publike dhe kontrolli financiar i Maqedonisë së Veriut është harmonizuar me legjislacionin e BE-së

Përkushtimi institucional dhe korniza ligjore e proceseve të furnizimit publik në Maqedoninë e Veriut janë në masë të madhe në përputhje me legjislacionin e BE-së, por vendi është ende mesatarisht i përgatitur në këtë fushë, si dhe në aspektin e brendshëm, kontrollin dhe llogaridhënien menaxheriale të përdoruesve buxhetorë në nivel qendror dhe lokal, sipas Raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian për anëtarësimin e vendit në BE, në seksionin për furnizimit publik dhe kontrollit financiar.

Sipas Komisionit Evropian, edhe pse është bërë progres i kufizuar në zbatimin e akteve nënligjore të Ligjit për furnimizim publik, kapacitetet e institucioneve kyçe duhet të forcohen më tej përmes trajnimeve të vazhdueshme.

“Autoritetet duhet të zbatojnë masa më efektive kundër korrupsionit në procesin e furnizimit. Strategjia për zhvillimin e sistemit të furnizimit publik ende nuk është finalizuar. Rekomandimet e Raportit 2020 nuk janë zbatuar plotësisht dhe janë ende të vlefshme”, thuhet në Raportin e progresit.

Sipas Brukselit, gjatë vitit të ardhshëm vendi duhet të angazhohet veçanërisht për të siguruar zbatimin efektiv të kornizës ligjore për furnizime publike, duke përfshirë hartimin dhe miratimin e ligjeve për partneritetet publike-private dhe koncesionet, si dhe aktet nënligjore për tregun elektronik.

Më tej rekomandohet përmirësimi i koordinimit ndërmjet faktorëve kyç në proceset e furnizimit publik dhe forcimi i kapaciteteve dhe pavarësisë së tyre për zbatimin e parimeve të transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos diskriminimit, si dhe përforcimi i kontrollit mbi furnizimin publik, procedurat nëpërmjet monitorimit dhe raportimit efektiv, parregullsitë, konfliktet e interesit dhe mashtrimet.

Raporti i progresit vlerëson se praktika e “vendosjes së kompanive në listën e zezë” në procesin e furnizimit publik vazhdon, gjë që nuk është në përputhje me rregullat aktuale të BE-së, duke theksuar se Ligji i ri për partneritet strategjik për projektet infrastrukturore është miratuar nga Kuvendi, pavarësisht kritikave nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

“Byroja për Furnizime Publike (BFP) duhet të vazhdojë të modernizojë dhe përmirësojë sistemin e furnizimit publik në mënyrë që të përmirësojë performancën dhe funksionalitetin e tij. Përgjegjësitë e tij të monitorimit dhe kontrollit duhet të përforcohen. Bashkëpunimi në mes BFP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Komisionit shtetëror për ankesa për furnizime publike mbetet i pamjaftueshëm”, shtohet në Raportin e progresit.

Komisioni Evropian konsideron se duhet të sigurohet shkëmbim më efikas i të dhënave dhe informacioneve ndërmjet Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, Entit Shtetëror të Auditimit dhe KSHPK-së.

“Sistemi elektronik i furnizimit publik funksionon me efikasitet. Është në proces zhvillimi i platformës për e-tregun, e-katalogët dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemit të përpunimit të Komisionit shtetëror për ankesa për furnizimet publike. Planet vjetore të furnizimit publik publikohen rregullisht në platformë. Kapaciteti i Ministrisë së Ekonomisë, që merret me koncesione dhe partneritete publiko-privat, mbetet i kufizuar. Regjistrat për partneritetet publike-private dhe koncesionet nuk janë krijuar ende”, thuhet më tej në Raportin e progresit

Komisioni konsideron se kapacitetet për implementimin dhe zbatimin e furnizimeve publike në nivel qendror dhe lokal nuk janë kompakt dhe duhet të forcohen më tej, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e transparencës dhe integritetit, por se zbatimi i kritereve më të favorshme ekonomikisht mbetet i kufizuar gjatë marrjes së vendimeve.

“Për zbatimin e këtyre kritereve duhet organizuar trajnime të vazhdueshme. Përdorimi i ankandit elektronik është opsional, por shpesh përdoret”, thuhet në Raportin e progresit..

Në raport theksohet se portali e-furnizime është përmirësuar dhe kontrolli administrativ nga Byroja e Furnizimeve Publike është rritur, si dhe vendosja e arkivit elektronik mundësoi në ruajtjen e dokumentacionit në formë origjinale elektronike dhe përmes modulit e-ankesave shkëmbimin elektronik të të dhënat për procedurat e ankimit.

Komisioni Evropian rekomandon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve për menaxhimin e proceseve të furnizimit publik, veçanërisht në nivelin lokal, në mënyrë që të arrihet një qasje më koherente në menaxhimin e procesit të furnizimit.

Në Raportin e progresit vlerësohen mekanizmat rregullativë dhe institucional për integritetin dhe konfliktin e interesit janë ende të pamjaftueshëm dhe nuk ekziston sistem për vlerësimin e rrezikut në procesin e furnizimit publik, i cili do të jepte informacion në kohë për praktikat e mundshme korruptive, parregullsitë apo falsifikimin e ofertave.

“Roli dhe kapacitetet e Entit Shtetërore të Auditimit në kryerjen e auditimeve të furnizimit publik janë përmirësuar përmes zbatimit të një programi të ri të auditimit të furnizimit publik, i cili siguron udhëzime dhe mjete metodologjike të përditësuara për auditorët. Është kryer një auditim i kontratës emergjente të furnizimit publik në lidhje me krizën Kovid-19”, thuhet në Raportin e progresit.

Sipas Komisionit, legjislacioni për mjetet juridike efektive është kryesisht në përputhje me ligjin e BE-së, por kapaciteti për zbatim nga Enti Shtetëror i Auditimit mbetet e pamjaftueshme.

“Duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të numrit të ankesave në krahasim me vitet e mëparshme, lind nevoja për sigurimin e stafit shtesë të kualifikuar për shqyrtimin në kohë të ankesave. Nuk ka prapambetje të konsiderueshme. Megjithatë, shumica e ankesave kanë të bëjnë kryesisht me çështjet ligjore dhe administrative, jo me përmbajtjen e tyre teknike”, thuhet në Raportin e progresit.

Sipas dokumentit, është bërë progres i kufizuar në përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale të përdoruesve buxhetorë në nivel qendror dhe lokal, por funksionaliteti i inspektimit financiar është i pamjaftueshëm.

Në Raportin e progrsit gjithashtu thekson se pavarësia e Entit Shtetëror të Auditimit (ESHA) nuk është ende e garantuar me Kushtetutë dhe mbikëqyrja parlamentare e menaxhimit të mjeteve publike është ende joefektive.

“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të fokusohet në miratimin dhe zbatimin efektiv të ligjit të ri dhe mjeteve metodologjike për kontrollin e brendshëm financiar publik, në mënyrë që të sigurohet transparencë më e mirë, llogaridhënie menaxheriale dhe menaxhim i qëndrueshëm i mjeteve publike”, thuhet në Raportin e progresit.

Sipas Komisionit Evropian, është e nevojshme të përforcohet bashkëpunimi ndërmjet Entit Shtetëror të Auditimit dhe Kuvendit, të përmirësohet kontrolli parlamentar mbi zbatimin e buxhetit dhe të ndjekë rekomandimet e ESHA-së dhe të vendosë dhe të sigurojë funksionimin efikas të rrjetit për koordinimin e aktivitetet kundër mashtrimit dhe parandalimi, menaxhimi dhe raportimi i parregullsive të perceptuara.

“Komiteti i kontrollit të brendshëm financiar publik dhe Këshilli i menaxhimit të financave publike vazhduan të kryejnë monitorime onlajn në nivel teknik dhe politik”, thuhet në Raportin e progresit.

Sipas Komisionit, është e nevojshme të sigurohet trajnime të vazhdueshme dhe sistematike të ekspertëve nga sektori i financave publike përmes krijimit të Akademisë për financa publike, për të cilën ligji ende nuk është miratuar.

“Zbatimi efikas i llogaridhënies menaxheriale mbetet sfidë për përdoruesit buxhetorë në nivel qendror dhe lokal. Zbatimi koherent i Doracakut të përgjegjësisë menaxheriale ende nuk është siguruar, së bashku me delegimin e shtuar të kompetencave nga menaxhmenti tek njësitë publike. Korniza ligjore për kontrollin e brendshëm është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, por zbatimi i tij duhet të përforcohet më tej. Në vitin 2020, procesi i miratimit të strategjive të menaxhimit të rrezikut dhe regjistrave të rrezikut vazhdoi si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Megjithatë, përfshirja e tyre në proceset kryesore të kontrollit dhe menaxhimit financiar mbetet e pamjaftueshme”, thuhet në Raportin e progresit.

Komisioni thekson se ende nuk është arritur funksionimi efikas i inspektimit financiar dhe se nevojitet harmonizim i mëtejshëm i bazës ligjore, si dhe zhvillimi dhe zbatimi i mjeteve metodologjike që do të sigurojnë menaxhim të shëndoshë financiar.

“Duhet të sigurohet trajnim i vazhdueshëm dhe përforcimi i kapaciteteve të zyrtarëve financiarë dhe inspektorëve. Për sa i përket praktikës së auditimit të brendshëm, është hartuar dhe miratuar një manual dhe udhëzime të reja. Aktualisht janë krijuar 164 njësi të auditimit të brendshëm, nga të cilat 91 në nivel qendror dhe 73 në nivel lokal. Megjithatë, kapaciteti i tyre për të zbatuar në mënyrë efektive standardet e auditimit të brendshëm mbetet i kufizuar”, thuhet në Raportin e progresit, duke shtuar se nevojitet një sistem kombëtar certifikimi për auditorët e brendshëm.

Komisioni vlerëson se Ligji për Entin Shtetëror të Auditimit është në masë të madhe në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit, duke theksuar se korniza ligjore është duke u harmonizuar për të siguruar funksionalitet më të mirë të auditimit të jashtëm në sektorin publik, si dhe si rritje e pavarësisë financiare dhe operacionale të ESHA-së.

“Gjatë vitit 2020, ESHA-ja lëshoi ​​90 raporte përfundimtare të auditimit të cilat u dërguan në Kuvend dhe u publikuan në faqen e internetit të ESHA-së. Procesi i auditimit është kryer në bazë të udhëzimeve për sigurimin e cilësisë së auditimit dhe programit vjetor për sigurimin e cilësisë së auditimit, i cili është zbatuar plotësisht në vitin 2020. Lidhur me ndikimin e punës së auditimit, rekomandimet e ESHA-së nuk janë zbatuar në mënyrë efektive nga subjektet e audituara. Bashkëpunimi ndërmjet ESHA-së dhe Kuvendit është përmirësuar, por mbikëqyrja parlamentare e përgatitjes dhe zbatimit të buxhetit duhet të përforcohet edhe më tej. Transparenca dhe llogaridhënia e menaxhimit të fondeve publike duhet të sigurohet në bazë të mekanizmave efektivë të monitorimit si nga ekzekutivi ashtu edhe nga Kuvendi, duke përfshirë edhe ndjekjen e rekomandimeve të auditimit të nxjerra nga ESHA-ja”, thuhet në Raportin e progresit të KE-së.

Sipas Komisionit Evropian, legjislacioni kombëtar i kontrollit financiar është kryesisht në përputhje me Konventën për mbrojtjen e interesave financiarë të BE-së.

“Procesi i harmonizimit me Direktivën e BE-së 2017/1371 ka filluar dhe ndryshimet në Kodin Penal janë gati, por ende nuk janë miratuar. Baza ligjore për vendosjen e kornizës institucionale të sistemit të mbrojtjes financiare të BE-së është e gatshme dhe pritet të miratohet pas miratimit të Ligjit për buxhete. Strategjia kombëtare për luftë kundër mashtrimeve 2019-2022 dhe Plani i veprimit po zbatohen me sukses”, thuhet në Raportin e progresit.

Në raport thuhet se bashkëpunimi i vendit me Komisionin Evropian në fushën e parandalimit të mashtrimit ka vazhduar edhe në vitin 2020, ku autoritetet kanë raportuar 16 raste, 13 prej të cilave janë vlerësuar si parregullsi dhe tre si mashtrime të dyshimta.

Komisioni gjithashtu konstaton se legjislacioni kombëtar për mbrojtjen e euros nga falsifikimi i vendit është deri diku në përputhje me rregulloret e BE-së, ku Banka Popullore ka bërë progres në kryerjen e analizave teknike dhe zbulimin e parave të falsifikuara, zhvillimin e mjeteve të reja metodologjike si dhe shkëmbimin me kohë të të dhënave me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Gjykata Supreme ka miratuar vendim për “Lagjen e Trimave”

Press Online

Moti me vranësira dhe temperatura deri në 14 gradë

Press Online

Neziri: Kriza energjetike do të imponon edhe mundësinë e rritjes së çmimeve tjera

Press Online

Tragjedia në Bullgari, VMRO kërkon përgjigje për historikun e autobusit

Press Online

Ali Ahmeti: Bashkëqytetarët tanë i përcollëm me nderime të larta shtetërore

Press Online

Varrosen trupat e pajetë nga aksidenti në Bullgari

Press Online