Press Online
AKTUALE OP/ED

BE-ja duhet t’i bëjë Ballkanit një ofertë të re

Unioni duhet të bëhet shumë më politik. Për ta tërhequr akoma më fort rajonin në një orbitë evropiane, BE mund të përdorë një format ekzistues të bashkëpunimit rajonal, siç është Procesi i Berlinit. Qasja në tregun e përbashkët, mund të jetë pjesë e agjendës së tij. Por e tillë duhet të jetë edhe qasja përkundrejt shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që këta të fundit të arrijnë marrëveshje politike për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra, si ato që vazhdojnë të pengojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, apo marrëdhëniet e Bosnjes me Serbinë dhe Kroacinë

Nga Vessela Tcherneva

Muajt e fundit janë rritur shumë tensionet në Ballkanin Perëndimor,dhe javët e ardhshme duket se do të jenë të vështira në të gjithë rajonin. Në Bosnje Hercegovinë, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, po kërcënon që ta nxjerrë partinë e tij jashtë institucioneve shtetërore të vendit, që janë ende shumë të brishta.

Në Maqedoninë e Veriut, ka dhënë dorëheqjen kryeministri Zoran Zaev. Në Malin e Zi, ka një mosmarrëveshje të fortë midis partive që janë pjesë e koalicionit. Në Kosovë, partia serbe, Lista Srpska, po flet për largim nga institucionet shtetërore. Dhe në Serbi, ku ekzistojnë të gjitha llojet e sëmundjeve, shumica e protestave janë fokusuar aktualisht rreth një muraleje në Beograd që përshkruan figurën e Ratko Mladic.

Me përjashtim të rastit të Maqedonisë, filli i përbashkët i të gjithë krizave të tjera, është ndërhyrja e qeverisë serbe në punët e fqinjëve të saj, nëpërmjet përfaqësimit politik të pakicave serbe. Ajo është shndërruar në një vijë sjelljeje nga Beogradi, një model që reflekton mentalitetin e viteve 1990.

“Detyra e këtij brezi politikanësh është që të krijojë botën serbe, domethënë të bashkojë serbët kudo që jetojnë”-deklaroi në korrik Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin. Tema e përsëritur në mesin e politikanëve serbë në të gjithë rajonin, është thirrja për ndryshimin e statuskuosë që prodhuan luftërat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Së bashku me mbështetjen e lartë publike në rajon ndaj regjimeve autoritare, si dhe ndaj  Rusisë dhe Kinës, kjo qasje po krijon një koktejl helmues. “Serbia është në fakt një shtet i kapur. Liria jonë, e fituar me vështirësi pas rrëzimit të Miloshevic ka humbur tashmë”- më tha kohët e fundit një analist serb.

Ajo ka një “qeveri të pazëvendësueshme” pavarësisht zgjedhjeve të lira (por jo të ndershme); është zhytur në një korrupsion të nivelit të lartë; teksa është përkeqësuar më tej mjedisi i saj mediatik. Sipas analistëve, midis korrikut 2020 dhe fundit të qershorit 2021, përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse morën deri në 93 për qind të kohës televizive tek emisionet politike, ndërsa opozita ishte e pranishme vetëm në 7 për qind të kohës së mbetur.

Vetëm në shtator, presidenti Aleksandar Vucic u shfaq në televizion 37 herë, me disa transmetime që zgjatën 2 ose 3 orë.

Një investigim i fundit hetoi blerjen e të drejtave nga kompania serbe “Telekom” për të transmetuar kampionatin anglez Premier League, në vende të ndryshme në anembanë rajonit, një lëvizje që sipas investigimit synon të “mbajë audiencën ballkanike të lidhur me narrativatanti-perëndimore, të cilat korrespondojnë me lidhjet në rritje të vendit me vende si Kina, Rusia dhe Hungaria”.

Rusia dhe Kina po e përdorin korrupsionin si një mënyrë për të ndikuar mbi institucionet shtetërore në rajon. Siç e ka deklaruar vazhdimisht presidenti amerikan Joe Biden, shtetet autoritare po e përdorin “korrupsionin strategjik” si një mjet shtrëngimi, duke e minuar kontratën sociale dhe besimin e publikut tek institucionet, dhe duke e bërë akoma më të keqe qeverisjen tashmë të keqe në rajon.

Për qytetarët e zakonshëm të Ballkanit, korrupsioni mbetet problemi i tretë më i rëndësishëm në vendin e tyre, pas papunësisë dhe situatës ekonomike. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është shndërruar në një arsye ekzistenciale për partitë opozitare në të gjithë rajonin, pavarësisht nga ideologjia e tyre.

Kjo pasi shtetet e kapura e shtypin lirinë e medias, pavarësinë e sistemit të drejtësinë, mbysin ekonominë dhe shërbimet publike sikurse është kujdesi shëndetësor. Për rrjedhojë, emigracioni nga Ballkani Perëndimor vetëm sa vazhdon që të rritet.

Është më se e dukshme se procesi i zgjerimit të BE-së ka ngecur në vend, dhe do të mbetet i tillë edhe për disa kohë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian synonte dikur të zgjidhte ndër të tjera, problemet e qeverisjes së dobët që e mundojnë Ballkanin Perëndimor, si dhe të konfirmonte paqen e brishtë të vendosur çerek shekulli më parë.

Por sot një numër i konsiderueshëm vendesh anëtare të BE-së, nuk janë më të gatshme që t’i referohen zgjerimit në dokumentet zyrtare të Këshillit të BE-së. Vetoja e fundit kundër nisjes së bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, tregoi qartazi mungesën e gatishmërisë por edhe paaftësinë për ta integruar Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe duke se si qytetarët po ashtu edhe politikanët në rajon e kanë marrë mesazhin.

Barometri Ballkanik i vitit 2021, tregoi se 1/3 e serbëve, boshnjakëve dhe maqedonasve nuk presin që anëtarësimi të ndodhë ndonjëherë. Nën këtë boshllëk depërtojnë lehtësisht idetë nacionaliste dhe fuqitë e tjera të huaja.

Edhe sondazhet e kryera nga ECFR këtë verë, konfirmojnë se qytetarët në Serbi kanë një pikëpamje të fortë negative mbi BE-në. Ata e shohin në përgjithësi si problematik sistemin politik të BE-së, dhe shumë të dobët reagimin e saj ndaj pandemisë.

Ndërkohë ata vlerësojnë më shumë udhëheqjen e vendit të tyre, ndërsa shohin Rusinë dhe Kinën si aleatët kryesorë të Serbisë, respektivisht me 94 dhe 91 për qind mbështetje. Në këtë kontekst, çfarë mund të bëjë ndryshe BE-ja? Dhe çfarë duhet të përpiqet të arrijë ajo?

Në një mjedis gjeopolitik shumë të kontestuar, vetëm proceset teknike nuk do të mjaftojnë më. Brukseli nuk mund të përdorë vetëm negociatat e anëtarësimit (për shembull, duke zgjeruar qasjen e këtyre vendeve në tregun e përbashkët), dhe të shpresojë që të ndryshojëdinamika në terren.

Unioni duhet të bëhet shumë më politik. Për ta tërhequr akoma më fort rajonin në një orbitë evropiane, BE mund të përdorë një format ekzistues të bashkëpunimit rajonal, siç është Procesi i Berlinit. Qasja në tregun e përbashkët, mund të jetë pjesë e agjendës së tij.

Por e tillë duhet të jetë edhe qasja përkundrejt shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që këta të fundit të arrijnë marrëveshje politike për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra, si ato që vazhdojnë të pengojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, apo marrëdhëniet e Bosnjes me Serbinë dhe Kroacinë.

Shtetet që e arrijnë një progres të tillë, duhet që të kenë në këmbim qasje në fondet evropiane.Po ashtu,BE-ja duhet që t’i përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në Marrëveshjen e Re të Gjelbër, duke krijuar mundësinë që edhe ata të modernizojë infrastrukturën e tyre, dhe të shënojnë një përparim më të madh në de–karbonizimin e ekonomive të tyre.

Diversifikimi i burimeve energjitike do t’i ndihmojë ato të bëhen më pak të varura nga palët e treta si Rusia për furnizimin e tyre me energji, dhe do të zvogëlojë, nëse jo eliminojë, korrupsionin në sektorin e energjisë. Mungesa nga BE e instrumenteve të fortë, do të thotë se Evropa po lihet jashtë bisedave strategjike kryesore në Ballkan.

Gatishmëria e SHBA-së për të tundur “shkopin” në formën e “Aktit Magnitsky” dhe sanksioneve, në vend se t’i ofrojë thjesht një “karotë” vendeve të rajonit, duket se e bën shumë më bindës qëndrimin amerikan, dhe zërin e tyre më të fuqishëm.

BE-ja ka një gamë të gjerë mjetesh potenciale që mund t’i përdorë. Për shembull, të shtojë problemin e kleptokracisë në Aktin e saj Evropian Magnitsky, dhe të zgjerojë dispozitat e këtij akti në Ballkanin Perëndimor. Mundësia për të vendosur sanksione për korrupsion kundër individëve, do ta rriste fuqinë e BE-së, dhe do të ndryshonte perceptimin e hipokrizisë që ekziston, sipas së cilës kur i leverdis ajo është shumë e lumtur të punojë me autokratët.

Zyra e Prokurorisë Publike Evropiane, mund të garantojë një fokus më të madh në hetimet ndërkufitare, që përfshijnë edhe autoritetet ballkanike. Kufijtë në Ballkan, nuk do ta humbasin së shpejti kuptimin e tyre. Prandaj, BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje arkitekturës së sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit, e cila është lënë aktualisht pas dore.

Ndihma ndaj qytetarëve për të hequr kontrollin e pushtetit nga elitat e korruptuara dhe rivendosja e qeverisjes së mirë brenda institucioneve, do të ndihmonte shumë për njëmbështetje më të plotë të reformave, dhe në shtimin e ndikimit të BE-së në një rajon kyç për rritjen e besueshmërisë së saj ndërkombëtare dhe në sigurimin e stabilitetit të fqinjësisë së saj.

“European Council on Foreign Relations”/BotaAl

Lajme të ngjashme

Shpërblime për mjekët që nxisin vaksinimin e pacientëve

Press Online

Vetoja e Bullgarisë, PS kundër Metës: Tirana nuk duhet të shkëputet nga Shkupi

Press Online

Grubi: Javën e ardhshme do të ketë zhvendosje të funksioneve, përgjegjësi për tragjedinë duhet të ketë!

Press Online

Mickoski: Disa tragjedi në vend tregojnë një sistem të kalbur dhe jofunksional

Press Online

Kovaçevski: Me Alternativën flasim për përgjegjësitë në Qeveri, jo për ndarjen e resorëve

Press Online

Familjarët e viktimave kërkuan që kufomat t’i pranojnë para xhumasë – ndryshon plani!

Press Online