Press Online
OP/ED

Ne udhëtojmë në kaderin e Zotit, por duhet t’i respektojmë ligjet

Abdusamed Zeqiri

Të dashur besimtarë, po ju drejtohem sot me zemër të thyer, me sy të përlotur dhe me shpirt të pikëlluar. Kjo mund të jetë java më e rëndë e jetës sonë dhe kjo mund të jetë xhumaja më e vështirë e xhamive tona. 45 njerëz, motra e vëllezër tanë, para 4 ditëve, e humbën jetën në mënyrë në të rëndë, në tym e flakë,në një autobus që po kthehej nga Turqia. Derisa kufomat e tyre nuk i janë dorëzuar tokës, edhe pse shpirtrat e tyre inshaallah janë bashkuar në qiell me shpirtrat e dëshmorëve dhe të mirëve në kopshtet e xhenetit, unë dëshiroj që këtë hutbe t’ia kushtojmë kësaj ngjarje, se zaten nuk ka asgjë më të rëndësishme, më të rëndë e më rënduese se kjo dhimbje për ne.

Shumë të dashur xhemat, ndonëse në këto çaste të dhimbjes më shumë se ne flet heshtja e loti ynë, do ta shfrytëzoj këtë çast të xhumasë për të reflektuar mbi këtë fatkeqësi nga një qasje islame.

Në fillim duhet ta dimë të gjithë se Zoti as nuk është dhunues, as nuk është piroman, e as nuk është sadist. Ai është Rrahman (i Gjithëmëshirshëm) dhe Rrahim (Mëshirëplotë). Ai në kaptinën “El-A’raf”, ajeti 56, thotë: “Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.”.

Xhemat i nderuar, gjithçka në këtë botë i ka ligjet e veta. Kur’ani është libri i ajeteve, i shenjave të Zotit. Nëse i respektojmë këto shenja, e fitojmë lumturinë e kësaj bote dhe shpërblimin e botës tjetër. Kjo vlen edhe për rendin në tokë. Nëse i presim malet, nuk do të kemi oksigjen.Nëse e ndotim ujin, nuk do të kemi ujë të pijshëm.Nëse nuk i respektojmë ligjet, vijojnë sanksionet.Nëse nuk i respektojmë shenjat e komunikacionit, vijojnë aksidentet. Njësoj siç janë shenjat e Zotit në Kur’an, po ashtu janë edhe ajetet ose shenjat në rrugë dhe në jetë. Nëse nuk kujdesemi për makinën me të cilën udhëtojmë, siç e përshkruan shkenca e makinerisë, detyrimisht që ajo makinë do të pësojë aksident. Ky është ligj i shkencës. Prandaj, të gjithë atyre që duan ta arsyetojnë këtë tragjedi me kaderin ose caktimin e Zotit, duhet t’u themi se Zoti na ka dhënë mend, na ka dhënë mundësi të hulumtojmë, të dimë dhe të vendosim ligje e standarde që nëse i respektojmë, ato bëhen shkak që të mbrohemi nga fatkeqësitë. Kaderi i Zotit është Dija e Zotit. Sepse ai është Alim (i Gjithdijshëm) – Ai di gjithçka, sepse Qenia e Tij është domodoshmërisht e dijshme.Por Ai nuk është shtytës për fatkeqësi. Kur i thanë Omeri ibn Hatabit r.a.: “OPrijës i muslimanëve, a po ikë nga kaderi i All-llahut?”,sepse kur Omeri mori vesh se në Damask kishte rënë një sëmundje ngjitëse, i kishte urdhëruar njerëzit të mos hyjnë në qytet,ai ishte përgjigjur: “Po iki nga Kaderi i All-llahut në Kaderin e All-llahut”.

Besimtarë të dashur, kahdo që të kthehemi, ne jemi në kaderin e Zotit.Por, ne kemi vullnetin, dijen dhe mundësinë që vetë ta zgjedhin rrugën tonë. Rruga e korrupsionit, kontrabandës, krimit, vjedhjes e ryshfetit e ka një kader dhe puna me sinqeritet, përkushtim, zell, nder, besë, respektim të ligjit dhe drejtësi e ka një kader tjetër. Zoti e ka shkruar epilogun e njërës dhe tjetrës rrugë, por është në dorën tonë zgjedhja mes tyre. Andaj, kur ne e zgjedhim rrugën e gabuar, shpeshherë ndodhë të marrim në qafë dhe shpirtra të dëlirë dhe të pafajshëm.

Xhemat i nderuar, në këto çaste të ndjeshme unë nuk jam këtu në rolin e kadiut e as të prokurorit¸ por si hatib i kësaj xhamie dhe si besimtar e kam për detyrë t’ju them se ne me veprat tona jemi ata që e prodhojmë fatkeqësinë ose suksesin. Nëse ne bëjmë çrregullime, sigurisht, që rezultatet e atij çrregullimi do i shijojmë vetë. Thotë Allahu i Lartësuar në ajetet 11 dhe 12 të kaptinës “Bekare”: “Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.”

Unë jam i bindur se të gjithë ne gjatë këtyre ditëve e kemi shtruar pyetjen si i bëhet që vetëm në autobusët tanë ndodhin fatkeqësi si ajo e Llaskarcës para një kohe dhe kjo e kësaj jave në Sofje? Apo, si ndodhi që vetëm në spitalin tonë të digjen pacientët? Pse, vallë, kjo nuk ndodhi askund tjetër, me asnjë autobus tjetër dhe në asnjë spital tjetër? A kemi ne guxim ta pyesim veten se ku gabuam? Ku nuk e respektuam ligjin? Ku e bëmë çrregullimin? Janë këto pyetje për të cilat secili nga ne duhet të meditojë më shumë dhe të përpiqet të përgjigjet se sa janë bërë të kushtueshme këto çrregullime. Nëse je këmbësor që hyn në semafor të kuq dhe kështu makina të shkelë, kjo në Islamin tonë është vetëvrasje. Nëse e vozit makinën më shumë se shpejtësia e lejuar e rrugës dhe ndodhë aksidenti, po ashtu Islami ynë thotë se kjo është vetëvrasje. Prandaj, para se t’i gjykojmë të tjerët, ta gjykojmë veten tonë. Para se t’i shpallim fajtorë të tjerët, ta marrim në pyetje veten tonë. Para se ta shpallim fajtor Zotin dhe fajin tonë ta arsyetojmë me kaderin e Zotit, ta llogarisim veten tonë. A jam unë qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm? A i respektoj unë ligjet e shtetit, shenjat e komunikacionit dhe kodet e përgjithshme shoqërore?

Besimtarë të dashur, unë nuk e di se as nuk kam kompetencë ta di se kush do të jetë fajtori i kësaj ngjarjeje tragjike, që edhe kur të dihet nuk e ndryshon faktin se 45 jetë janë humbur, por unë nga këto shkallë dua t’ju lus që të gjithë ne të marrim mësim nga ky rast dhe ta dimë se fajtor për këto fatkeqësi nuk është Zoti, siç kemi dëshirë t’ia përshkruajmë, por jemi ne që nuk jemi respektues të ajeteve, pra shenjave, udhëzimeve e ligjeve.

Xhemat i nderuar, duke u lutur që kjo të jetë fatkeqësia e fundit që na ka goditur, ju lutem që në këto ditë derisa t’i varrosim viktimat e këtij aksidenti, si besimtarë sa më shumë të lutemi për ta që Zoti t’i ketë pranuar me mëshirë e selam xheneti. Ky është detyrimi ynë i parë.

Së dyti të jemi sa më të kujdesshëm për familjarët e tyre, t’u gjendemi pranë, t’i ngushëllojmë e të kujdesemi për ta. Ky është sunnet i Pejgamberit a.s.

Së treti, të jemi të kujdesshëm që edhe me postimet dhe komentet tona publike të mos i lëndojmë njerëzit që kanë dhimbje e trishtim në familjet e tyre. Nuk është thënë kot se ne jemi mbretër të fjalës që nuk e themi dhe jemi peng të fjalës që e themi.

Dhe, së fundi, të marrim mësim nga kjo ngjarje dhe të fillojmë të mendojmë se ne me veprat tona jemi përzgjedhës të kaderit të Zotit. Gjithsesi që ne udhëtojmë në kaderin e Zotit, por nëse i respektojmë ligjet e Zotit, ligjet e shkencës, ligjet e komunikacionit dhe kodet etike, sigurisht që edhe kaderi i Zotit për ne nuk do të jetë si ky që na ndodhi në këtë javë.

E në vend të homazheve, në vend të qirinjve dhe në vend të kurorave me lule, dëshiroj që nga këto shkallë të hutbes së Pejgamberit a.s. dhe në çastet kur Zoti i pranon lutjet tona, nga thellësia e zemrës të lutemi me përgjërim që Allahu i Madh të gjithë ata që e kanë humbur jetën në këtë tragjedi, t’i ketë pranuar me mëshirë xheneti. Qoftë flaka e kësaj dynjaje fllad i ahiretit për ta! Qoftë tymi i kësaj dynjaje aromë xheneti për ta! Po ashtu, duke u gjendur në këto çaste të dhimbjes, dëshiroj që të lutemi bashkërisht që Dhuruesi i Sabrit t’i forcojë dhe freskojë me durim familjarët dhe të afërmit e këtyre viktimave. Dhe, përfundimisht, të lutemi nga kjo xhuma që kjo të jetë fatkeqësia e fundit që na godet neve! Amin! Amin! Amin!

*Ky tekst është lexuar në hutben e mbajtur në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup.

Lajme të ngjashme

A është “Open Ballkan” në kundërshtim me procesin e Berlinit?

Press

Si ia vuri flakën Biden shërimit ekonomik të nxitur nga Trump

News Desk

Nuk është WC publike jo?!

News Desk

Kërcënimi rus ndaj Ukrainës synon t’i ndërrojë parametrat e sigurisë në Evropë

News Desk

Pse Amerika është e ndarë, ndërsa Evropa jo…

News Desk

Nazarko: Afrimi i Ramës me Erdogan ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar në politikën e jashtme

News Desk