Press Online
MAQEDONI

Ndarja e ofertës së Shqipërisë nga RMV-ja – nuk gjen mbështetje në BE

Agjencia e lajmeve MIA ka raportuar të hënën e 13 dhjetorit se nuk gjen mbështetje nga vendet e Bashkimit Evropian – ndarja e ofertës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në negociatat e tyre për anëtarësim.

“Kjo do të thotë se Shqipëria nuk do të lejohet të përparojë e vetme, përpara Maqedonisë, pasi Bullgaria vazhdon të mbajë veton ndaj bisedimeve të pranimit të Maqedonisë”, shkruan MIA.

Agjencia cilëson se përpara punimeve të 14 dhjetorit të Këshillit Evropian, Bullgaria përsëriti qëndrimin e saj.

Kjo e fundit ravijëzon se RMV-ja nuk i plotëson kushtet për hapjen e bisedimeve.

Të gjitha vendet e tjera dhe Komisioni Evropian e shohin RMV-në si “gati” për të filluar përfundimisht bisedimet.

“Por fakti që çdo vend i vetëm ka të drejtën e vetos do të thotë se Maqedonisë pothuajse me siguri do t’i mohohet sërish nesër”, vijon MIA.

Bullgaria kërkon nga vendet e tjera të BE-së, të dakordësohen mbi respektimin e traktatit Zaev – Borisov të vitit 2018, që të jetë pjesë integrale e bisedimeve të anëtarësimit.

Deklarata e Aleksandrov

Mediat maqedonase raportuan gjatë muajit nëntor, fjalët e ambasadorit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian, Rumen Aleksandrov, se vetoja e autoriteteve bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të hiqet dhe Shqipëria duhet të vlerësohet “e pavarur”.

Deklarata e Aleksandrov do të vinte pas një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Diplomati bullgar shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.

Ambasadori i Bullgarisë në Bashkimin Evropian, Rumen Aleksandrov

Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i mbulon kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha ndër të tjera Aleksandrov.

Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut.

Mundësitë lidhen me të drejtat e shtetasve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.

Reagimi i zyrtarëve maqedonas

Marrëdhëniet e mira me Bullgarinë dhe perspektiva evropiane për RMV-në nuk kanë alternativë, do të shprehej ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në një intervistë për Agjencinë BGNES.

I pyetur se çfarë do të bëjnë autoritetet maqedonase pas riafirmimit të qëndrimit negativ të Bullgarisë, Osmani theksoi se për çështjet politike, do të kërkohet një zgjidhje në të ardhmen.

“Ne presim që bisedimet të fillojnë kur të formohet qeveria në Bullgari. Mendoj se në dhjetor ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje, sepse me Bullgarinë nuk kemi alternativë tjetër përveç marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha zyrtari maqedonas.

Osmani theksoi se nuk ka alternativë tjetër përveç perspektivës së përbashkët evropiane.

“Shpresojmë”, nënvizon ai, “që ky stabilitet politik në të dyja vendet të japë rezultate”.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani
Qëndrimi amerikan

Bullgaria duhet të arrijë një “zgjidhje përfundimtare” të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ajo, së bashku me Shqipërinë, të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian “para fundit të vitit”.

Ky ishte apeli i dy anëtarëve të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Claudia Teni (Republikane) dhe William Keating (Demokrat), drejtuar ambasadorit të Sofjes në Washington, Tihomir Stoychev.

Letra e shkurtër nuk jepte detaje se si mund të ndodhte kjo, por shkonte në një linjë me komentet e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë në muajt e fundit.

Nga e majta, Claudia Teni (Republikane) dhe William Keating (Demokrat)

Sipas tyre, anëtarësimi në BE i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë një rëndësi të madhe për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.

“Ne po ju shkruajmë sot si anëtarë të partive të ndryshme të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, për t’ju bërë thirrje që të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, e cila do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë bisedimet e anëtarësimit përpara fundit të vitit”, shkruhej më tej.

Mundësi konkrete

Kjo detyrë është e vështirë për t’u realizuar.

Deri në fund të vitit kanë mbetur më pak se gjashtë javë dhe në Bullgari nuk ka ende një qeveri të rregullt.

Shkupi zyrtar do të paraqitet në Këshillin Evropian në mes të dhjetorit apo edhe më vonë gjatë muajit janar.

Këshilli Evropian

Autoritetet maqedonase do të kenë mundësinë që të vërtetojnë përparimin e mundshëm të tyre për heqjen e vetos.

Megjithatë, edhe nëse ka progres, udhëheqësit evropianë mund të miratojnë vetëm një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare, që nuk ka gjasa të jetë para festave të Krishtlindjeve./AP

 

Lajme të ngjashme

Mickoski: VMRO-DPMNE propozon uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90

Press

Një i lënduar në zjarrin në Tetovë i cili i kaploi dy shtëpi

Press

Kovaçevski dhe Mickoski janë dakorduar për takim të përbashkët

Press

Sela takon deputetin e PD-së, Tomor Alizoti, e djathta dhe shqiptarët temë diskutimi

Press

Të rinjtë, të zhgënjyer me procesin eurointegrues

Press

Sedat Ramadani largohet nga LB / E humbëm identitetin me të cilin na njihnin njerëzit!

Press