Press Online
RAJON

Kurti synon rezolutë parlamentare kundër referendumit të Serbisë

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme parlamentare me fillim prej orës 14:00 për të diskutuar për çështjen e referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Në një njoftim të ZKM-së bëhet e ditur se në rend dite është diskutimi për këtë çështje e në fund nxjerrja e një rezolute të përbashkët.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në njoftim.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit për serbët në veri të vendit, ka shkaktuar reagime të shumta.

Krahas qëndrimit të Qeverisë, edhe partitë politike në vend kanë dalë kundër këtij referendumi.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, është thënë në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Kurti për takimin e 18 gushtit me Vuçiqin: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Press

Kurti për shaminë në shkolla: Pragu të jetë nga 16-vjeç, s’është qëndrim i imi i ri

Press

Stoltenberg takohet me Kurtin të mërkurën

Press

Ambasada amerikane në Kosovë: Kjo është lista e lajmeve të rreme nga Rusia (FOTO)

Press

Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 13 miliardë euro

Press

Hakerët publikojnë e-mailet e Ramës

Press