Press Online
OP/ED

Çka të bëhet me Ballkanin Perëndimor?

Nga Blerim Shala

Pak ditë më parë, Miroslav Lajčak, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për Ballkanin Perëndimor, bëri një deklaratë për media e cila realisht, është shumëfish këmbanë alarmi për shtetet e kësaj ane të Evropës.

Lajčak pohoi që Ukraina mund të bëhet anëtare e BE-së më para se shtetet e Ballkanit Perëndimor, në vijim të rrethanave të reja dhe të njohura për të gjithë, sepse në Bruksel, zgjerimi i BE-së po shihet apo vlerësohet sërish si çështje politike  (e jo vetëm çështje e procedurave të ditura).

Në anën tjetër, kur foli për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Lajčak konstatoi që ’BE-së i ka humbur durimi me problemet në Ballkanin Perëndimor’, teksa pastaj shtoi që ’Presim që partnerët tanë në Ballkan të tregojnë se janë pjesë e zgjidhjes së problemeve, duke i zgjidhur vetë problemet ose duke na ndihmuar ne që t’i zgjidhin problemet e tyre’.

Vlerësimet e Lajčakut, janë, nëse mund të thuhet kështu, një-kahëshe, duke bërë përgjithësimet të cilat nuk kanë qëndrueshmërinë e tyre, dhe duke mos përmendur  (për arsye të njohura), që edhe shteteve të Ballkanit Perëndimor u ka humbur durimi me problemet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm anasjelltas.

Deri tash, apo, para rastit të Ukrainës, BE-ja e pati futur në një ’Frigorifer politik’  (pa pasur mundësi fare t’i hapet dera), temën e zgjerimit të BE-së, e cila realisht, përfshinte vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor, e jo Ukrainën, Gjeorgjinë, apo këdo tjetër.

Mungesa e një Perspektive konkrete, me afatet e përafërta kohore  (të cilave edhe ashtu BE-ja nuk i përmbahet, shembuj për këtë gjë ka sa të duash kohëve të fundit), kur shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të anëtarësohen në BE, ka efekt paralizues për proceset në këtë pjesë të Evropës.

Natyrisht, në Bruksel por edhe këndejpari mund të theksohet  (me të drejtë), që demokratizimi i plotë i këtyre gjashtë shteteve, forcimi i sundimit të ligjit, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, stabilizimi afatgjatë i Bosnjës dhe Hercegovinës, janë interesa vetanake të këtyre shteteve, pa marrë parasyshë se si do të mund të shpërbleheshin më pas këto arritje të cilat në tërësinë e tyre, do të kishin domethënien e evropeianizimit të Ballkanit  (edhe pse në vitet e kaluara, në disa aspekte, ka ndodhur ballkanizimi i Evropës).

Megjithatë, ata që sadopak merren vesh në politikë, në Bruksel apo këtupari, e dinë mirë që integrimi në BE, është një forcë motivuese dhe shtytëse për qeveritë dhe popujt e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pa te, vështirë që mund të ecet para.

Nuk mund të ketë as depërtim të mirëfilltë në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse BE-ja nuk do të ofrojë një Vizion të qartë për zgjerimin e vet me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në ato ditët dhe javët e para pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, pati shenja të qarta që në Bruksel kanë nisur ta kuptojnë ndërlidhjen e kësaj lufte me stabilizimin afatgjatë të kësaj ane të Evropës, teksa ky stabilitet nuk mund të sendërtohet dot pa inkuadrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Megjithatë, me kalimin e kohës dhe me të kuptuarit që Ukraina po di të përballet me Ushtrinë ruse, (dhe që Rusia nuk është fuqi e tillë ushtarake siç pretendohej), duket që ’Karta e Ballkanit’ nisi të harrohet në Bruksel.

Ukraina dhe përfundimi i luftës në këtë shtet, siç pohon edhe Lajčak, është prioritet absolut për BE-në  (dhe për Perëndimin në përgjithësi), teksa situata në Ballkanin Perëndimor, duket, sipas vlerësimeve në Bruksel, që nuk ka potencial të destabilizimit të madh, apo, këto shtete tutje mund të presin për të marrë mesazhe pozitive, inkurajuese dhe të qarta për hyrjen e tyre në BE.

Por mungesa aktuale e këtyre mesazheve të Brukselit, është faktor që fton të gjithë ata që kërkojnë t’i kthejnë mbrapsht zhvillimet politike të 23 viteve të fundit (që nga përfundimi i luftës në Kosovë), në këtë pjesë të Evropës, për të imponuar agjendën e tyre problematike.

Nëse me Ukrainën dhe me aplikimin e saj për tu bërë shteti i 28-të i Bashkimit Evropian, është shkrirë ’Frigoriferi politik’ i zgjerimit të BE-së me shtetet e reja, ky vendim i BE-së duhet të vlejë njëkohësisht edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Tek e mbrama, ndoshta dikujt i duhet që zgjerimi i BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk është ekskluzivisht çështje politike dhe e sigurisë, siç po pohohet për rastin e Ukrainës, por tash e disa vjet  (së paku), në qarqet më të larta të BE-së është nënvizuar aspekti gjeo-politik i zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pikërisht për shkak të rolit që Rusia dhe Kina kanë këndejpari.

Më në fund, shtetet e Ballkanit nuk munden vet t’i zgjidhin problemet që kanë në marrëdhëniet në mes tyre. Për këtë shkak, roli i SHBA-së dhe i BE-së është i pashmangshëm këndejpari, në të gjitha aspektet e mundshme.

Lajme të ngjashme

Frederik Ndoci, Donald Trump dhe Iluminati

Press

ZIGZAG: BARAKAT E DIFERENCIMIT

News Desk

Albin don Kishoti

News Desk

Çmimi i së ardhmes

News Desk

Çka nënkupton lufta në Ukrainë për Evropën?

Press

Origjina e totalitarizmit të Putinit

Press