Festivali Evropian i Këngës, “Eurovision Song Contest”, ndër vitesh ka shkaktuar rrëmujë të madhe e ka bërë që të flitet pas çdo fituesi, e po ashtu çdo prezantimi të një shteti.
Ndonëse gjithnjë është akuzuar e cilësuar më shumë si politik, ky festival ka vazhduar traditën edhe sivjet me edicionin e 66-të në Torino, Itali, ngase nga ky i fundit është rrëmbyer fituesi i vitit të kaluar, grupi Maneskin.E përfaqësuar nga artistja Ronela Hajati me këngën “Sekret”, Shqipëria bëri hapjen e mbrëmjes në natën e parë gjysmëfinale (10 maj) të Eurovisionit, por nuk arriti të kualifikohej në finale që pritet të sot (14 maj).
Performanca e në veçanti veshja e 32-vjeçares u konsiderua tejet e ekzagjeruar për një kompeticion të tillë, gjersa kishte zëra të shumtë që theksuan se dukja ishte më shumë ajo që e penalizoi për në finalen e madhe.
I një mendimi të tillë është edhe kompozitori e tekstshkruesi i njohur, Kreshnik Avdiu, i cili në një bisedë për Telegrafin thotë se interpretimi dhe paraqitja e Ronelës ka qenë në nivel shumë të ulët.
“Mendoj që Ronela Hajati kishte një këngë shumë të keqe. Interpretimi dhe paraqitja, mendoj që ishin në nivel shumë të ulët, aq të ulët sa që për një moment gjykova se u bëmë gazi i botës. Pse ajo veshje, ajo skenografi, ato britma e stonime…?”, ka thënë Avdiu për Telegrafin.