Press Online
SPORT

Masat e sigurisë dhe procedurat, gjithçka duhet të dinë tifozët për finalen e Ligës së Konferencës që zhvillohet në Tiranë

Finalja e Conference League më 25 maj në Tiranë është një operacion masiv sa i përket tifozëve, ashtu edhe sigurisë.

Në një intervistë për RTSH, shefi i Sigurisë në FSHF, Armando Mandro, i cili është edhe një nga oficerët e sigurisë për finalen, tregon të gjithë itinerarin e tifozëve, me rrugët kryesore që do të ndjekin për të kaluar dhe masat e sigurisë me të cilat ato do të përballen përpara se ata të hyjnë në stadium.
Plani për sigurinë e tifozëve, nga aeroporti në stadium – Është përgatitur një plan i detajuar, së bashku me Policinë e Shtetit, strukturat e tjera dhe Sektorin e Sigurisë së UEFA-s duke bashkëpunuar edhe me klubet, për ardhjen e tifozëve dhe sigurinë e tyre nga aeroporti në stadium. Tifozët e Romës do të grumbullohen në Parkun e Madh, ndërsa tifozët e Feyenoord do të grumbullohen në shëtitoren “Murat Toptani”. Autobusët do të ndalojnë në “Rrugën e Kosovarëve” për tifozët e Romës dhe pastaj ata do të kalojnë nga Diga e Liqenit dhe do të futen në brendësi tek Amfiteatri. Aty do të jetë pika e grumbullimit për tifozët e Romës. Për arsye sigurie, tifozët do të levizin tre orë përpara fillimit të ndeshjes, nga pika e kalimit, duke kaluar në këmbë, nëpërmjet parkut të liqenit, te Rruga “Lek Dukagjini” dhe duke ardhur drejt sheshit “Nënë Tereza” ku do t’i afrohen pjesës jugore të stadiumit, ku është hyrja për ta. Rruga “Lek Dukagjini” do të ndahet në dy pjesë, me skela, ku një pjesë do të jetë për automjetet që do të futen në stadium dhe pjesa tjetër për tifozët e Romës, të cilët duke u afruar në këmbë, do të kalojnë kontrollet policore dhe kontrollet e steward-ëve për t’u futur në stadium. Kontrolli do të nisë nga Universiteti Politeknik, ku do të jetë Policia e Shtetit dhe më pas, duke u afruar te perimetri i sigurisë së stadiumit, është kontrolli tjetër i steward-ëve.

Procedurat që do të ndjekin tifozët për t’u futur në stadium – Procedura e parë është të tregojnë biletën elektronike dhe me një aparaturë të veçantë, steward-ët do ta çekojnë atë dhe do ta aktivizojnë. Në atë moment, do të aktivizohet edhe numërimi mbrapsht i tyre dhe ata do të mbarojnë kontrollin trupor të tyre dhe do të afrohen te dyert. Koha është e mjaftueshme për t’u ngjitur në katin e dytë dhe tifozët duhet të drejtohen direkt për te Turnstile, ku aktivizohet hapja dhe mund të hyjnë direkt. Në rast se do të kenë vështirësi, do të ketë personel nga UEFA, por edhe vullnetarë, që do t’i ndihmojnë për çdo problem, si edhe për të gjetur vendet e tyre në stadium. E veçanta është se për herë të parë në këtë stadium aktivizohet bileta elektronike. Kjo biletë është aplikuar me sukses gjatë EURO 2020 dhe për këtë arsye, ekspertët e sigurisë së UEFA-s vendosën ta aplikojnë edhe për këtë ndeshje. Me sistemin e ri të biletave elektronike që çdokush do e ketë në telefonin e tij smart, shansi për t’u futur pa biletë është minimizuar ndjeshëm, pasi në momentin që afrohesh te turnstile bileta aktivizohet vetëm me aparaturë të posaçme dhe në rast se bileta mund të jetë screenshot, pajisja nuk e njeh.

Lajme të ngjashme

Ky është objektivi kryesor i Realit, pasi dështoi me Mbappen

Press

Mbappe: Jam shumë i lumtur që do ta vazhdoj aventurën me PSG-në

Press

Bale drejt rikthimit në Angli?

Press

Arrihet marrëveshja për rikthimin e Pogbas te Juventusi, këto janë detajet

Press

Arrihet marrëveshja, Thomas Strakosha kalon si lojtar i lirë te klubi i njohur anglez

Press

Juventusi vendos për Moratan

Press