Press Online
OP/ED

ZIGZAG: BARAKAT E DIFERENCIMIT

Ndërrimi i pushtetit është ndër dallojat kryesore të sistemeve demokratike të çdo vendi. Kuptohet, konstatimi zë vend më shumë në rrafshin teorik sesa në ralitetin e vendeve në tranzicion. Përtej ndarjes së pushtetit dhe formulave për zgjidhjen e çështjeve të karakterit etnik që akomodojnë, përkundër debateve, shumëllojshmërinë etnike, përvoja tek ne dëshmon se partitë nuk kanë as sy e as veshë për ata që bëjnë pjesë në atë që quhet administratë e të cilët në rast të ndërrimit të pushtetit e paguajnë çmimin e përkatësisë në ‘kohën e tyre’, dmth. të oponentëve politik të pushtetarëve të rinj. Deri tani, tek blloku maqedonas, në rrafshin qendror, janë shënjestruar e kanë pësuar përkatësisht ‘vmro-istët dhe sdms-istët’, ndërkohë që tek shqiptarët, integristët janë atakuar nga opzitarët. Në rrafshin lokal, punët ndryshojnë: ka pasur ndërrim pushteti dhe e lë në ndërgjegjen e lexuesit të bëjë dallimin mes ‘këtyre’ e ‘atyre’, në sensin: kush ka qenë më hakmarrës.Jo kush s’ka qenë! Pra, kush?

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Miku im Krenari, ka përvojën e të paktën tri-katër ndërrimeve të ‘kryekomunarëve’. Për të nxjerrë titullin e këtij shkrim, le të them se edhe ai ka kaluar fazën tremujore të ‘riedukimit’ në një barakë dhe mëpastaj është rikthyer në vendin e merituar të punës. ‘Problem është qasja e kryebashkiakëve që pasojnë njëri-tjetrin: Vijnë me të ‘vetët’ dhe s’para mbajnë llogari për punët që duhen bërë,’ – më thotë miku im që, për arsye të vetëkuptueshme, po e quaj Krenar. Rrafshi i Pollogut i dy mandateve të fundit të ndërrimit të pushtetarëve lokalë, është shembulli më i mirë i mozaikut të zbehtë të ndërrimit dhe funksionimit të administratës dhe, për të qenë të ‘balancuar’ nuk ka ndonjë shquarje, ndonjë dallim a veçim, për të mirë, kur është fjala për ushtrim pushteti dhe qëndrim ndaj administratës së ‘gjetur’ komunale, as nga njerëzit e BDI-së, as ata të Aleancës, e as ata të Besës. Domethënë, krejt kjo në fushëgropën e Pollogut, po të doni nga Zhelina a Tearca, Tetova, Bogovina, Vrapçishti e Gostivari: Gjithandej është tentuar e tentohet të ‘paguajnë çmimin e besnikërisë ndaj tjetrit’! Arsyet, mbase për mungesë përvoje a kulture, janë edhe të kuptueshme: zgjerimi i radhëve partiake është i kushtueshëm dhe, për pasojë, këtë e paguajnë – ‘ata të atyre’! Pa çka se mund të jenë të zotët, pa çka se e kanë merituar vendin e punës, pa çka se flakja nga puna mund të jetë e kushtueshme për arkën e komunës!?

Përfaqësuesja e një institcioni nga Shkupi, që merret me qëmtimin e shkarjeve burokratike të administratës, kishte qëndruar kohë më parë, pas disa ankimimeve, në një komunë, më saktësisht në një barakë të një komune të Rrafshit të Pollogut, për të dëgjuar thirravajet e nja dymbëhjetë ‘administratorëve’ të cilët ishin flakur atje në mënyrë që ‘shefi’ të mos ua shikonte surratin. Të gjithë me përgatitje profesionale dhe me të vetmen behane: I kanë takuar ‘partisë tjetër’. Madje, mbresëlënës kishte qenë deklarimi i njërit: M’u tha se unë do duhet ta paguaj çmimin sepse baba, në zgjedhjet e fundit, paska votuar për ‘ata’!

Veprimet e këtilla, natyrisht se krijojnë një, si të them, sekëlldi të pështirë, të panevojshme, po se po, por provojnë edhe mungesën e vullnetit dhe të guximit për të bërë ndryshimin. Kjo për shkak se thirravajet për mosfunksionim të administratës (lokale, por edhe publike) mbeten zë në shkretirë nëse  mungon qasja me përgjegjësi ndaj veporimeve çaluese të pushtetarëve të rinj, në të gjitha levat e pushtetit. Barakat e diferencimit dhe të riedukimit do duhej t’i përkisnin një kohe tjetër, të perenduar, apo jo?

 

Lajme të ngjashme

Më shumë siguri!

Press

Kushtet e Shkupit që mund të shkatërrojnë procesin e negociatave me Sofjen

Press

Kosova duhet të ndalojë orgjinë hegjemoniste kishtare serbe në Gazimestan

Press

Çka e mban ende Kosovën afër dhe në interesin rus?

Press

Pse BE-ja duhet të zgjerohet pa humbur kohë me Ballkanin Perëndimor

Press

Bashkimi Evropian lindi nga frika?!

Press