Press Online
KULTURË

Haki Stërmilli, shkrimtari sentimental…

Teksa… Sikur T’Isha Djalë pa dritën e botimit, në vitin 1936, erdhi si një hov në mendimin përparimtar të një shoqërie problematike. Shqipëria e kohës kredhej në kulturën e huazuar islame, ndërsa femra, femra shihej vetëm si gjini. Pa personalitet, pa ëndrra as pa dëshira. Shkrimtari, do të dinte të depërtonte thellë në botën e brendshme, thuajse inekzistente të një vajze të re… të dashuruar. Ndërsa gjithë vepra, që shënoi kulmin e krijimtarisë së Haki Stërmillit, do të përshkruante tablonë e një dashurie përballë fatalitetit të zakonit.

“Lumturia qenka si manushaqet që bijnë në mes të ferrave, ku për të bërë një buqetë lypset t’i mbledhësh një nga një dhe duke u gërricur e përgjakur duarsh. Vetëm disa orë e disa çaste mund të jetë i kënaqur njeriu në këtë jetë.Vetëm këto orë e këto çaste, të bashkuara, përbëjnë lumturinë e njeriut në këtë jetë. Ata që e kujtojnë ndryshe lumturinë gabohen…”

“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo ta ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lënka me rrëshqitë nga prehni i saj.”

Për librin, si një nga romanet më popullore shqiptare të viteve tridhjetë, Robert Elsie do të shkruante: Sikur t’isha djalë ishte e para vepër e rëndësishme në letërsinë shqiptare me temën e emancipimit të gruas. Shumë vajza shqiptare të kohës u ulën e mësuan shkrim e këndim, siç thuhet, vetëm e vetëm që të mund të lexonin këtë libër. Ai ishte ndër romanet e para shqiptare në formë ditari, çka i jepte dorë të shtjellonte karakteret e protagonistëve me një monolog dramatik të fuqishëm.

“Sikur të isha djalë” është ndoshta, i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Si një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti, ky roman zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqipe – ku pasqyrohet tragjizmi i jetës së femrës.

Patriot e demokratit, shkrimtar dhe intelektual popullor i mbrojtësit të lirive dhe të drejtave të njeriut e gruas, në veçanti – “Sikur t’isha djalë” mbetet romani emblemë i kësaj aspirate, i letrave shqipe.

Haki Stërmilli lindi në Shehër të Dibrës ku mori mësimet e para, shkollimin e mesëm e nisi në Manastir, por nuk mundi ta përfundojë për shkak të luftës ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, më pas si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit e gjithashtu, mësues personal i motrave Zogolli.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922, Zogolli i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogolli ministër e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Lartë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n[3]. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.

Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.

Mbas pushtimit të Italisë gazeta “Fashizmi në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimi e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar M. Kruja, B. Valteri, etj. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private”.

Në biografinë e tij, shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalë nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950, deputet. Pas 1945-ës ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor, zëvendësuar prej Jashar Menzelxhiut.

Me gjithë veprimtarinë e tij si shef i parë i shërbimit inteligjent shqiptar, në kujtesën e njerëzve, Haki Stërmilli do të njihej më tepër si shkrimtar. Botoi veprat “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’isha djalë” (1936), “Trashëgirntarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet të lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).

Lajme të ngjashme

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

Press

George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale, “Ferma e Kafshëve”

Press

Kur Shqipëria ngriti Bordin kundër abuzimeve: viti 1934

Press

12 vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, ikonës së papërsëritshme të kinematografisë shqiptare

Press

Nuk pashë kurrë paqe – shuhet shkrimtari i shpresës

Press

Miqësia sekrete e Mark Tuenit me Nikola Teslën

Press