Press Online
KULTURË

Kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin

Pak kush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin, fytyrën e Eugjenisë së Andon Zako Çajupit apo trishtimin e Brojkës së Migjenit. Cilat ishin muzat e shkrimtarëve tanë dhe pse mungojnë biografitë ndryshe të autorëve…Haki Stërmilli, burri me vështrimin e thellë, veshur me kostumin e zi, shfaqet elegant në fotot e mbetura në kohë. Në historinë e letrave shqipe ai është një ndër personazhet më interesante për vetë profilin që ka, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të viteve 1923-1924, partizan në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, mbrojtës i të drejtave të grave në shtyp dhe autor i një prej veprave më të rëndësishme të fillesave të historisë sonë letrare “Sikur t’isha djalë” (1936).Historia e Dijes, vajzës jetime të mbuluar me ferexhe që zbulon papritur dashurinë, e cila hap tek ajo dëshirën për ta parë botën ndryshe nuk mund të ishte thjesht një përfytyrim i aktit të krijimit. Stërmilli analizon me këtë personazh botën femërore, duke treguar kushtet e vështira në të cilat jetonte femra shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Ai e bën Dijen të shkruajë ditar, duke treguar aty jo vetëm dëshirat e fshehta për Shpendin, por dhe dëshirën e saj për të mësuar për të jetuar në një botë më të lirë.Kritika shqiptare ende nuk i ka dhënë Dijes vendin e duhur në galerinë e pafund të personazheve të kësaj letërsie, ku ajo vijon të shfaqet e ndrojtur. Por teksa flasim për Dijen ne shohim se sa pak dimë për jetën e burrit që i pëlqente të vishej bukur, Haki Stërmillin. Në një histori letërsie, e cila deri atëherë ishte më shumë një sprovë, ai shfaqet si autor i disa romaneve. Ajo çfarë dimë për Stërmillin janë titujt e veprave që ka shkruar. Ne nuk dimë se kush ishte “Dija” e tij, në ishte i martuar apo ndonjë vajzë me të njëjtin emër e torturonte nga pamundësia për t’u takuar lehtë.Historia e letërsisë shqipe është një nga më të varfrat sa u përket historive të dashurive, letrave apo qoftë dhe ndarjeve. Në asnjë letërsi shkrimtarët nuk shfaqen kaq seriozë, si qenie perfekte të zhveshur nga veset. Pas viteve ’50, vetë sociorealizmi i përjashtonte histori të tilla në jetë e jo më në letërsi. Por nëse hidhemi sërish para në kohë e kemi të vështirë të përfytyrojmë se cila mund të ketë qenë gruaja e Naim Frashërit, një prej intelektualëve më tërheqës të Perandorisë Osmane. Apo çfarë e trazonte kur shkruante vargjet “Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë / Si ajy që gjeti në malt Perëndinë / Lulezët e Majit sa janë të mira! / Po përpara teje m’erdhë të pështira / Kur shoh faqezët’ e tua / Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit, / Zëri yt shpirt më jep mua …” (Poezia Bukurija). Është e vështirë të besosh udhëtimet e tij nga Janina në Stamboll pa pasur në mendje imazhin e një femre. Asnjë biograf nuk është marrë deri tani me jetën private të Naim Frashërit, duke e bërë profilin e këtij intelektuali të rëndësishëm të kohës të mos jetë i plotë.E ç’mund të themi për të ditur më shumë mbi Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin apo Pjetër Bogdanin. Edhe botimet e sotme të Jeronim de Radës, djaloshit që bëri një jetë të lirë përtej brigjeve, denjojnë të rrëfejnë mbi pasionet apo femrat që takoi në jetë. Do të ishte e pamundur ta mendojmë De Radën një asket teksa Arshi Pipa, pas hulumtimeve në Kozencë mes dorëshkrimeve, zbuloi letra që ai ia drejtonte tek Josephine de Knorr, Dora D’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky etj. A thua mes këtyre letërkëmbimeve nuk kishte asnjë për grua?Interesante do të ishte të kishim sot ditarin e Ndre Mjedës, priftit, gjuhëtarit e poetit lirik, i cili përpara se të përqafonte besimin mbrëmjeve në Venecia ëndërronte të jetonte si shkrimtar i lirë. Më pas u nis në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi letërsi. Sa keq që copëza historish që mund të kenë shoqëruar jetën e Mjedës janë shuar sapo kanë mbaruar duke mos mbetur në asnjë rresht. Po kështu histori të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Sami Frashërit, Naum Veqilharxhit, Risto Siliqit, Mihal Gramenos …Një tjetër bashkëshorte e bukur e letrave shqipe është Eftipia, gruaja e Mitrush Kutelit. Vajza elegante nga qyteti i Korçës pëlqente të vishej bukur e me stil. Njohja me Kutelin ishte gjëja më e bukur në jetën e saj. Ajo ra në dashuri pa e ditur se jeta përkrah këtij burri nuk do të ishte e lehtë. Janë të njohura letrat që ai i dërgonte asaj, sidomos gjatë kohës kur ishte në burg. Kaq afër jemi, por kaq larg, / Të lutem mos më prit / Na ndajnë terre rreth e qark / Dhe yll për mua s’ndrit. /MAPO / KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

Press

George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale, “Ferma e Kafshëve”

Press

Kur Shqipëria ngriti Bordin kundër abuzimeve: viti 1934

Press

12 vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, ikonës së papërsëritshme të kinematografisë shqiptare

Press

Nuk pashë kurrë paqe – shuhet shkrimtari i shpresës

Press

Miqësia sekrete e Mark Tuenit me Nikola Teslën

Press