Shqipëria së bashku me 41 vende të tjera synojnë t’i bashkohen padisë së Ukrainës kundër Federatës Ruse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Twitter.
“42 shtete morën anën e Ukrainës në çështjen kundër Federatës Ruse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe shpallën synimin e tyre për t’iu bashkuar padisë sonë”, shkroi kreu i shtetit. Zelensky falënderoi partnerët të cilët, sipas tij, zgjodhën “anën e duhur të historisë”.
“Kjo është ana e së vërtetës, e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejtësisë. Së bashku do ta sjellim Federatën Ruse para drejtësisë”, theksoi presidenti ukrainas.
Zelensky krijoi një grup pune për të zhvilluar mekanizma për Rusinë për të kompensuar Ukrainën për dëmin e shkaktuar.
Zëvendës shefi i zyrës së presidentit Andriy Smyrnov u shpreh se negociatat janë duke u zhvilluar për formatin përfundimtar të një Gjykate të Posaçme Penale Ndërkombëtare.
Kjo, për krimet e agresionit rus kundër Ukrainës dhe formimin e një rrethi të shteteve themeluese.
Ministri ukrainas i Drejtësisë, Denis Malyuska shtoi se gjykata për të kërkuar llogari Rusinë për agresionin e armatosur do të formohet në kuadrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por mund të jetë gjithashtu një strukturë e veçantë.
Sipas tij, krijimi i Tribunalit Ndërkombëtar kërkon një marrëveshje nga shumë vende, e cila duhet të zyrtarizohet me një marrëveshje ndërkombëtare.
“Një marrëveshje e tillë dhe një traktat i tillë ndërkombëtar duhet të marrë mbështetje ndërkombëtare nga organizatat ndërkombëtare. Para së gjithash, sigurisht që merret parasysh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”, nënvizoi Malyuska. /Albanianpost